Qyteti i Nju Jorkut krenohet me “ishullin e vogël”

    Një park i ri dhe unik u hap në qytetin e Nju Jorkut në fund të majit dhe që nga ajo kohë ai është bërë një perlë e qytetit dhe një magnet për turistët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Evgeny Maslov njofton nga “Little Island” në qytetin e Nju Jorkut.

    Parku “Little Island” në qytetin e Nju Jorkut u hap në muajin maj dhe u ofron vizitorëve një ndjesi ishulli dhe një pamje unike të horizontit.

    Projekti i kushtoi qytetit 260 milionë dollarë, prej të cilave 240 milionë u paguan nga biznesmeni nga Nju Jorku, Barry Diller dhe gruaja e tij Diane von Furstenberg.

    Parku ka një sipërfaqe prej 10’000 metra katrorësh, por shumë vizitorë thonë se krijon ndjesinë e një hapësire edhe më të madhe.

    Ishulli mbështetet mbi 132 kolona betoni, në formë tulipanësh, që ngrihen mbi ujë në nivelin 4-19 metra dhe janë të mbushura me dhé për bimët. Projektuesi britanik Thomas Heatherwick e krijoi atë paralelisht me një tjetër projekt të famshëm të Nju Jorkut të njohur si “Anija”.

    “Shfaqja jonë e parë këtë verë do të jetë ‘Zërat frymëzues të Brodueit’. Pra, përpara se ata të kthehen në Broduei në vjeshtë, ne do t’i kemi këtu, në koncert”, thotë producentja Julia Kraus.

    Peizazhi u projektua nga kompania e famshme “New York MNLA”. “Ishulli i Vogël” ka 35 lloje pemësh që rriten në kolonat e tij gjigande në formë tulipanësh, mbi 60 lloje shkurresh dhe 270 lloje lulesh, duke ofruar kështu lëndina të bukura të gjelbëruara për t’u çlodhur ose për të shijuar një piknik.

    “Më pëlqejnë bimët, këtu ka shumë bimë dhe lule interesante …”, thotë Maria, një vizitore.

    “Shumë bukur, është mirëmbajtur shumë mirë, ka shumë bimë, shumë njerëz miqësorë dhe fytyra miqësore!”, thotë Santiago.

    Shtigjet në këmbët e parkut shtrihen për mbi 540 metra, duke gjarpëruar mes kodrave të vogla dhe pemëve. Kushdo që ngjitet në kodrat më të larta të parkut do të ketë një pamje të bukur të Statujës së Lirisë, si dhe të Xhersit dhe Manhatanit të poshtëm.

    “Ishulli i Vogël” u krijua aty ku dikur ishte Pier 55 i Manhattanit. Këtu duhej të ankorohej “Titaniku” dhe po këtu anija “RMS Carpathia” solli pasagjerët që i mbijetuan tragjedisë së “Titanikut”.

    “Erdhëm rreth 30 minuta më parë. Kemi parë vetëm këtë anë, por duket mjaft i mirë projektimi!”, thotë vizitori Matthew.

    “Është shumë më bukur se ç’e prisja, sinqerisht. Është shumë bukur!”, thotë vizitorja Ayleen.

    Parku është i lidhur me Manhattanin nga dy shtigje për këmbësorët dhe është i hapur për vizitorët nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 1 pas mesnate. /Voa/

    Lajmi Paraprak

    Ku ka gabuar SHBA-ja me Kubën komuniste?

    Lajmi i rradhës

    Çmimi i martesës në Shqipëri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë