Kurti i kërkon ndihmë më të madhe ShBA-së kundër planeve luftarake të Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin për Siguri Kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë pas sulmit të armatosur në veri të vendit nga grupi terrorist serb.

    Kurti ka thënë se ishte një bisedë inkurajuese me këshilltarin për Siguri Kombëtare në SHBA.

    “E falënderova për mbështetjen e SHBA-së për sigurinë kufitare të Kosovës dhe kërkova ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë”, ka shkruar Kurti në një postim në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

    Kurti ka thënë se “e sigurova atë për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”.

    Lidhur me gjendjen në veri të Kosovës, pas sulmit të grupit terrorist serb, të prirë nga Milan Radoiçiq, një bisedë telefonike me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, e ka zhvilluar edhe Sekretari amerikan I Shtetit, Antony Blinken.

    Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se sekretari Blinken  gjatë një bisede me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vrasjes së një rreshteri të policisë së Kosovës”.

    Zëdhënësi tha se sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet e që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi.

    Ai përsëriti se Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit (të marrëdhënieve me Kosovën) në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

    Ndërkohë, koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

    “Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

    Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

    “Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi [i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, tha ai.

    Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.

    Autoritetet në Kosovë kanë thënë se rreth 30 sulmues të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar Policinë në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Gjatë përleshjeve të grupit të armatosur me Policinë në manastirin e Banjskës, kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.

    Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

    Serbia ka mohuar çdo përfshirje.

    Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

    Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

    Lajmi Paraprak

    Antieuropianët vendosin për europianët

    Lajmi i rradhës

    Nga deklarimi i Milan Radoiçiqit se organizoi sulmin terrorist e deri të sekuestrimi i pasurisë së tij

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë