Kurti: Nëse Serbia kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje nga Kuvendi i Kosovës për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

    “Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo [Serbia] do ta përsërisë krimin”.

    Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

    Seanca e 28 shtatorit në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjaku – tashmë të shpallur hero.

    Mes tjerash, Kurti ka bërë thirrje që organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës.

    Qeveria e Kosovës i ka shpallur këto dy organizata si terroriste, më 29 qershor.

    Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë.

    Kurti i ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar.

    “Lufta kundër krimit e terrorit të sponsoruar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë doemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur”.

    Kuvendi i Kosovës është pajtuar që të hartojë një rezolutë për dënim të sulmeve që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës.

    Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

    Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur, sipas saj, është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës.

    “E diela që lamë pas shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër”, ka thën ajo, teksa e ka përmendur armatimin e gjetur nga Policia e Kosovës në zonën e sulmit.

    Kusari-Lila e ka fajësuar Serbinë për sulmin.

    “Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe këtij krimi… u kuptua se Serbia as nuk ka ndryshuar, as nuk e fsheh faktin që ka mbetur Serbia e [ish-liderit Sllobodan] Millosheviqit, vetëm se ndikimin e ka më të vogël dhe fushëveprimin më të ngushtuar”.

    Kryetari i partisë opozitare, Partia Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ta vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.

    “Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës, e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikanë tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”.

    Ai ka thënë se Kosova duhet të kërkojë “ekstradimin e terroristëve nga Serbia, të cilët e kanë kryer sulmin ndaj mbi shtetin tonë”.

    Kryetari i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se synimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë krijimi i një realiteti të ri në veri.

    Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj sulmit ka qenë “më adekuatja e mundshme”.

    “Faktet janë të qarta. Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk e ka vrarë një polic të shtetit tjetër. Nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër. Në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur, pasi e kanë vrarë një polic të shtetit tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare”.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një rezolutë që e dënon sulmin në Banjskë, është e drejtë dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta aprovojë.

    “Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim do të ndihmonte, jo vetëm në zbardhjen e përfshirjes së Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do ta ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që t’i ndëshkojë sponsorët e terrorizmit”.

    Shefi i grupit parlamentar multietnik Enis Kervan, ka thënë se vdekja e rreshterit Bunjaku shërben si përkujtim për sfidat me të cilat përballet Kosova në pjesën veriore të vendit.

    Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Bekteshi: Frutat këtë dimër do të shiten më lirë

    Lajmi i rradhës

    Rama nuk tërhiqet: BE-ja duhet ta dënojë sulmin në Banjskë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë