Kurti refuzon ftesën e kryeministrit të RMV-së për samitin e radhës të Ballkanit të Hapur

    Foto: Emir H

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur, që pritet të mbahet në Ohër, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.

    Në letrën e Kurtit drejtuar kryeministrit Kovaçevski, ai shprehet se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

    Sipas Kurtit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.

    “Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkroi Kurti.

    Kurti thotë se vlerat dhe aspiratat e përbashkëta arrihen në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku shtetet operojnë me rregullat dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

    Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

    Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    ‘Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje’

    Lajmi i rradhës

    Turqia ndryshon emër, kërkon të njihet zyrtarisht si ‘Türkiye’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë