Liderët e partive shqiptare në RMV reagojnë për kidnapinimin e policëve të Kosovës

    Bilall Kasami, Lëvizja Besa

    Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, ka reaguar në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Kasami në një postim në Facebook shkruan se ky është një akt i pashembullt i agresionit nga ana Serbisë mbi integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.

    “Ky kidnapim është akt i shëmtuar luftënxitës i Serbisë, e cila vazhdon të provokojë dhe rrezikojë me destabilitet gjithë rajonin, në kohën kur gjithë bashkësia ndërkombëtare angazhohet për një proces paqeje dhe integrimi. Aktet e këtilla janë në kundërshtim me angazhimet për paqe të faktorit ndërkombëtar dhe minojnë dialogun si vlerë demokratike. Nuk është hera e parë që Serbia kërcënon me agresione të këtilla që shkojnë kundër idesë së normalizimit të gjendjes në rajon përgjithësisht”.

    “Shprehim solidaritetin dhe përkrahjen tonë të parezervë ndaj institucioneve të Kosovës dhe në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të bëjë presionin e duhur mbi Serbinë që të lirojë pjesëtarët e policisë së Kosovës. Gjithashtu ftojmë gjithë bashkësinë ndërkombëtare demokratike të dënojë këtë akt agresioni mbi një shtet të pavarur për të mbrojtur parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial”, ka shkruar Kasami.

    Ali Ahmeti, Bashkimi Demokratik për Integrim

    Ali Ahmeti: Serbët t’i ndalin provokimet, sovraniteti i Kosovës i paprekshëm

    Dënoj ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë dhe pres lirimin e menjëhershëm të tyre. Kështu mes tjerash e shpreh shqetësimin më situatën në Kosovë, lideri i BDI-së Ali Ahmetit, ndërsa i apelon palës serbe ti ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve.

    “Thellësisht i shqetësuar për situatën e tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Dënoj ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë dhe pres lirimin e menjëhershëm të tyre. Pala serbe duhet ti ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjelltë.

    Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar. Tani është koha të ndërmerren veprime që të ruhet paqja, stabiliteti rajonal dhe perspektiva jonë europiane”, shkruan Ahmeti në profilin e tij në Facebook.

    Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët

    Taravari: Akti i Serbisë është luftënxitës

    Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër rrëmbimin brenda territorit të Republikës së Kosovës të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e forcave speciale serbe.

    “Ky akt luftënxitës është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

    Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të efektivëve policorë dhe i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar t’i bëjë presion Qeverisë se Serbisë në këtë drejtim”, thuhet në njoftimi e kryetarit të ASH-së, Arben Taravari.

    Taravari thotë se palët duhet të rikthehen në tavolinën e bisedimeve, duke kontribuar në normalizimin e plotë të situatës në Veriun e Kosovës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga SHBA-të.

    Lajmi Paraprak

    I përdorim çdo ditë dhe nuk jemi të vetëdijshëm se janë plot me baktere

    Lajmi i rradhës

    Haker: Gjermania ka interes që Maqedonia e Veriut të futet në BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë