Vendimi i presidentit Stevo Pendarovski për të mos e nënshkruar Ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, shkaktoi reagime të ndryshme te partitë. Një pjesë e tyre e përshëndetën këtë vendim dhe kërkojnë që Qeveria të tërhiqet nga ky ligj i dëmshëm. Të tjerat paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga ideja për legalizimin e objekteve pa leje. “Nuk guxojmë që 50 mijë qytetarë, familje ti lëmë pa çati mbi kokë. Duhet të sjellim vendime, zgjidhje të problemeve që me gjenerata, dikush na ka lënë. Siç ishte çështja e emrit dhe shumë të tjera që hymë në zgjidhjen e tyre dhe në këtë drejtim zgjidhjet janë ose rrënim të objekteve pa leje ose kornizë të përshtatshme ligjore-juridike”, porositi ditë më parë zëvendëskryeministri për luftën kundër korrupsionit Lupço Nikollovski. Ai shtoi se LSDM asnjëherë nuk do të jetë për rrënimin e këtyre objekteve dhe do të vendosë në interes të qytetarëve edhe atë përmes një procedure të përshtatshme dhe mekanizmave legale duke i përfshirë të gjithë në këtë proces.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski nuk e nënshkroi Dekretin e ligjit për legalizimin e ndërtimeve pa leje, me arsyetimin se është antikushtetues dhe në kundërshtim me sundimin e së drejtës dhe shtetin e së drejtës. Parlamenti ka afat prej 30 ditëve që përsëri ta sjell ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, së paku me 61 vota, ose eventualisht me amendamente të intervenon në nenet për të cilat ka ankesa. Nëse ligji sillet përsëri, atëherë Pendarovski do të jetë i obliguar ta nënshkruan të njëjtin. Në arsyetimin dërguar kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, presidenti thotë se ligji cënon vlerat themelore dhe nxitë mosrespektimin e ligjeve. Sipas tij, legalizimi i ndërtimeve pa leje i vendosë në pozitë të pabarabartë ata që në mënyrë legale kanë ndërtuar dhe të cilët kanë paguar gjithë tatimet. Stopimi i gjithë procedurave gjyqësore kundër atyre që më parë kanë ndërtuar pa leje, për presidentin është përzierje e drejtpërdrejt e pushtetit legjislativ në atë gjyqësorë, me të cilën gjithashtu shkelet Kushtetuta. Për atë është kontestuese edhe ajo që lejohet legalizimi në parqet nacionale me të cilën cënohet e drejta kushtetuese e qytetarëve për një mjedis të shëndoshë jetese.
“Si president i shtetit jam betuar se do ta respektojë dhe mbrojë Kushtetutën dhe ligjet. Këtë obligim, kuptohet jo vetëm me respektimin formal dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve, por, shumë më tepër, me promovim të kulturës së drejtësisë”, porositi Pendarovski.
Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski në Manastir vërtetoi se për ligjin për ndërtimet pa leje ka biseduar me kryeministrin Zoran Zaev në takimin e fundit, sepse ajo ishte një nga ligjet për të cilën opozita ishte akuzuar se po e pengon. Por, nuk vlerëson se pushteti dhe opozita me marrëveshje e kanë votuar ligjin në Parlament. Mickoski politikanët që kanë kundërshtuar ligjin e votuar i ka quajtur “estradë dhe politikantë”, sepse nuk kanë dorëzuar amendamente për ato kundërshtime që kanë pasur. Duke komentuar vendimin e Pendarovskit, tha se ajo është e drejtë e tij, por që Pendarovski në të kaluarën ka nënshkruar edhe ligje më të dëmshme. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, paralajmëroi se partia e tij do ta bllokon sjelljen e ligjit për shitjen e tokës bujqësore shtetërore nëse nuk pranohen vërejtjet e tyre.
Opozita shqiptare, porositi se e mbështet legalizimin e objekteve për amvisëritë, por jo edhe amnistinë të krimeve urbane dhe legalizimin e objekteve me të cilën është uzurpuar dhe shkatërruar prona publike. Koalicioni ASH/AAA, ka përshëndetur vendimin e Presidentit dhe vlerëson se qeveria dhe opozita kanë tentuar t’i amnistojnë krimet urbanistike. Edhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov, është e kënaqur nga vendimi i Pendarovskit për të mos e nënshkruar Dekretin për shpalljen e ligjit për vërtetimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje. “Nëse ligji në formën e njëjtë kthehet në Parlament, do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e rregullores që mos të sillet ligjit në këtë formë, të cilat janë në kundërshtim me zgjidhjet themelore kushtetuese dhe shumë ligje tjera sistemore”, thonë nga partia. Lidhja Demokratike mbetet fuqishëm kundër legalizimit të objekteve pa leje dhe fton Qeverinë që ta tërheqë ligjin dhe të mos e dorëzon përsëri për vendim në Parlament.
Në rast se pushteti dhe opozita përsëri sigurojnë më shumë se 61 vota për sjelljen e ligjit pa përmirësuar vërejtjet, presidenti Pendarovski nuk do të ketë të drejtë të një vetoje të re. Në këtë rast, instanca e ardhshme do të ishte Gjykata Kushtetuese. Komisioni për Antikorrupsion veçmë ka paralajmëruar se do të dorëzon iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese për vlerësimin e kushtetueshmërisë së ligjit për ndërtimet pa leje. Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu i jep të drejtë Presidentit të shtetit lidhur me mos nënshkrimin e dekretit të ligjit në fjalë. Ai thotë se në këtë ligj shumë dispozita janë kontestuese dhe janë në kundërshtim me të drejtat themelore të kushtetuese. “Se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është çështje që nuk mundemi ta parashikojmë përpara, por ja unë si gjykatës dhe si jurist, për mua shumë dispozita të këtij ligji janë kontestuese, vlerësuar ekskluzivisht nga aspekti i kushtetutës. Ato dispozita që i përmendte me plotë kompetencë dhe përgjegjësi presidenti i shtetit, janë evidente. Domethënë nuk kemi barazi para ligjit, dhe e dyta shkelet vlera më e rëndësishme kushtetuese që quhet sundimi i së drejtës. Nuk mund të kemi sundim të së drejtës kur qytetarët që kanë qenë të ndershëm dhe kanë paguar tatime, ndërsa këta të tjerët që s’kanë paguar asgjë, të thirremi se tash kanë të drejtë. Nuk kanë ata të drejtë ligjore dhe mendoj se Parlamenti duhet t’i pranon sugjerimet e presidentit të shtetit. Por Parlamenti e ka edhe të drejtën të heqë dorë dhe atë ligj të mos e nxjerrë fare në seancë plenare”, shprehet Kadriu.
Ai mes tjerash thotë se Parlamenti ka të drejtë të mos pranon asnjë vërejtje të presidentit dhe ta nxjerr ligjin në votim, por me kusht që herën e dytë Parlamenti duhet ta sjell ligjin me shumicë cilësore, që nënkupton shumicën absolute, në rastin konkret meqenëse ligji është miratuar me shumicë të rëndomtë, shumica absolute është minimum 61 deputetë. “Nëse ndodhë kjo e dyta, atëherë ligji do t’i dorëzohet Presidentit për dekretim, ka të drejtë të mos e dekreton, atëherë ligji do të shkon në fletoren zyrtare me një nënshkrim. Por harrojmë se Kushtetuta kur bëhet fjalë për dekretimin e ligjit në rrethin e dytë, e obligon Presidentin e shtetit që ligjin ta nënshkruaj. Unë jam i mendimit, sipas praktikës së deritashme, përjashtim ka bërë ish presidenti duke mos nënshkruar ligjin disa herë, edhe pse tre herë ligjin e votoi parlamenti me shumicë cilësore, por ai ishte i mendimit se nuk ka obligim, edhe pse obligimi është shumë i qartë, aty kishte përgjegjësi edhe juridike por edhe përgjegjësi penale”, ka deklaruar për KOHA, Osman Kadriu, gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se nëse nuk miratohet ky ligj, atëherë do të duhen të rrënohen mbi 50 mijë ndërtesa të qytetarëve.