Nada Dosti
Imagjinoni një skenar që zhvillohet m’u në zemër të Stambollit: një vajzë nga fshati, e pashkolluar dhe që flet me dialekt, e cila ëndrrën më të madhe ka një unazë në gisht (martesën) dhe si punë bën pastruesen nëpër shtëpitë e pasanikëve të llastuar. Imagjinoni nga ana tjetër një grua të arsimuar, psikologe dhe terapiste, e shkolluar jashtë vendit, pasanike, e bija e një familjeje elitare. E ku kjo e fundit ka një tjetër shoqe terapiste, e cila është me përkatësi etnike kurde, e që ka një motër të çmendur histerike e cila, në një rast ia shkatërron studion të motrës dhe në një tjetër e kapë prej flokësh.
Pra, një skenar i mbushur me diversitet. Diversitet i cili deri diku pasqyron jetën reale, por meqenëse bëhet fjalë për një skenar Netflix-i, atëherë ky nuk është një realitet normal, por i shtrembëruar. Dhe përsëri, meqenëse bëhet fjalë për Netflix, i njohur për “dashamirësi”ndaj muslimanëve dhe për një portretizim të shtrembëruar të imazhit të tyre, kjo pasuri diversiteti do të bjerë në kurriz të …gjejeni pak?! Muslimanëve!
Në gjithë këtë skenar që parashtrova më sipër, ka vetëm dy personazhe muslimane me hixhab dhe ato janë: (kujt i bie dhjeta është e vërteta …??!!!) Po pra, pikërisht, s’do mend: vajza nga fshati e pashkolluar me djalekt të rëndë dhe motra psikopate e terapistes. Rolet mund të kishin qenë dhe të përmbysura, meqenëse bëhet fjalë për Turqinë e pas Erdoganit, ku me ardhjen në pushtet të partisë së tij, gratë muslimane me shami jo vetëm që filluan të arsimohen por edhe fituan poste të rënfësishme. Përfshi këtu dhe atë përqindjen e shtresës elitare e cila për shkak të ndalesës së shamisë në vend, arriti të arsimohej jashtë vendit nëpër universitetet më prestigjoze të botës. Pra, sa do ishte mundësia që rolet të ishin shpërndarë të përmbysura, pra vajza e arsimuar dhe psikologe të ishte një grua me hixhab dhe pastruesja sekulare? Mendoj se gati fifty-fifty! Mirëpo jo, s’ka se si filmi në fjalë të dalë nga standartet dhe axhendat e paracaktuara të Netflixit.
Pjesë e kësaj axhende është edhe përfaqësimi i komuntetit LGBT, ku shumë mirë në filmin në fjalë mund të ishte vetë terapistja (meqenëse ka dhe background të jashtëm-pra “mendjehapur”), ose shoqja e saj terapiste apo shoqia tjetër aktore, ose kunata personazhit kryesor, ose …shumë persoanzhe te tjera meshkuj, mirëpo jo! Se përsëri nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me Netflix, dhe gjejeni pak se cilin personazh ka zgjedhur për LGBTQI? Rastësisht, zgjodhën mu gocën e hoxhës (a nuk ju kujton “E bija e hoxhës fotomodele?”) e cila është e “emancipuar” dëgjon muzikë me kufje dhe kërcen, madje niset për studime larg fshatit, duke bërë atë gjestin klishe të heqsjes së shamisë që në Netflix është kthyer në një “ritual” traditë tashmë dhe që simbolizon çlirimin e gruas (shih Elite, “Orange is the new black)
Por si për inat, hoxha nuk e bën dhe aq të madhe, mallëngjehet dhe e përqafon si shenjë respektimi të vendimit të saj edhe pse personalisht nuk e miraton. Babaxhani shkretë nuk njihet as edhe si një tip i vrazhdë, i egër dhe imponues. Përkundrazi, është një personazh me tipare aq të buta saqë edhe u dorëzohet shpërimeve emocionale me lot si për humbjen e bashkëshortes, si për shqetësimin karshi të bijës. Atëherë lindja pyetja: përse detyrohet një vajzë ta flakë shaminë e kokës e cila as nuk i është imponuar por me shumë gjasa e ka zgjedhur vetë? Përgjigja është: sepse kemi të bëjmë me Netflix dhe sterotipizimi i muslimanëve bëhet në të njëjtën mënyrë bajate.
E gjitha kjo, e mbështjellë mirë nën petkun e “tema kryesore e filmit është psikanlaiza e Jungut, realiteti social në Turqi, thyrja e tabuve etj etj.” Nga njëra anë mund të duket si një përpjekje e sukseshme për të bashkuar frymën sekulariste dhe fetare në një film të vetëm, por në fakt është një reflektim i dukshëm për nostalgjinë e periudhës komuniste të kinematografisë yeşilçam.
Do duhej një analizë e thellë e personazheve, nje lexim mes rrjeshtash, dhe të reflektosh mbi natyrën e platformës në vetvete.