Maqedonia e Veriut, shteti më paqësor i rajonit

    Edhe pse ka shënuar rënie nga një vit më parë, Maqedonia e Veriut konsiderohet si vendi më paqësor i rajonit. Sipas të dhënave të Indeksit Global të Paqes për vitin 2023 ndër vendet më paqësore në rajon llogariten Maqedonia e Veriut, e cila ka zbritur nga vendi i 37 në 38 në botë, por megjithatë vazhdon të qëndrojë në krye të shteteve të rajonit si shteti më paqësor.

    Gjatë 15 viteve të fundit bota është bërë më pak paqësore, theksohet në publikimin që bazohet tek disa faktorë që ndikojnë në rangimin e vendeve – niveli i sigurisë dhe sigurisë shoqërore, shtrirja e konflikteve të vazhdueshme të brendshme dhe ndërkombëtare dhe shkalla e militarizimit.

    Sa i takon rajonit menjëherë pas Maqedonisë qëndron Shqipëria e cila ruajtur pozitën e vitit të kaluar duke qenë vendi i 40 në botë për nga niveli i paqes, dhe i dyti në rajon. Si Kosova ashtu edhe Mali i Zi sipas Indeksit Global të Paqes për vitin 2023 kanë shënuar rritje prej 5 vendeve. Megjithatë, Kosova vazhdon të mbetet shteti i fundit paqësor në rajon, duke u radhitur si shteti i 70-të në botë, ndërsa Mali i Zi si shteti i 44-të në botë, ndërsa i 3-ti në rajon. Ndër vendet që kanë shënuar rënie më të madhe në rajon janë Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Serbia për dallim nga viti i kaluar ka rënë për 7 vende dhe tani radhitet e 65-ta në botë dhe e fundit në rajon për paqe, ndërsa Bosnjë e Hercegovina shënoi rënie prej 4 vende, duke u radhitur e 61-ta në botë dhe e parafundit në rajon.  

    “Evropa mbetet rajoni më paqësor në botë dhe është shtëpia e paqes me shtatë nga dhjetë vendet më paqësore. Megjithatë, paqja u përkeqësua në të tre domenet gjatë vitit të kaluar, pasi tensionet midis vendeve evropiane dhe Rusisë vazhduan të rriteshin. Evropa është më pak paqësore tani se sa ishte 15 vjet më parë”, thuhet në raport.

    Edicioni i vitit 2023 i Indeksit Global të Paqes i publikuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen informon se paqja globale ka rënë për herë të 13-të në 15 vitet e fundit. Ai rendit nivelet e paqes duke përdorur 23 tregues cilësorë dhe sasiorë në 163 shtete dhe territore të pavarura, duke mbuluar 99.7 për qind të popullsisë së botës.

    “Si dhuna ashtu edhe paqja mund të jenë ngjitëse. Veprimet në një rajon ose vend mund të përhapen në rajone dhe vende kufitare, duke çuar në cikle virtuoze ose vicioze ku lëvizin paqja dhe konflikti në të njëjtën kohë. Evropa Lindore është një shembull ku ndryshimet në një vend kanë çuar në ulje të mëdha të paqes në vendet fqinje. Aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014 çoi në një rritje militarizimi në Ukrainë, Bjellorusi, Lituani, Letoni dhe Estoni, me shpenzimet ushtarake dhe marrëdhëniet e vendeve fqinje duke u përkeqësuar në të gjitha këto vende”, vërehet në raport.

    Këtë herë, paqja është përkeqësuar në 79 shtete, ndërsa në 84 tjera situata është përmirësuar. Islanda edhe një herë u pozicionua si vendi më paqësor në vitin 2023, një pozicion që e ka mbajtur që nga viti 2008. Në krye të indeksit i bashkohen Zelanda e Re, Irlanda, Danimarka, Austria dhe Singapori.

    Në të kundërt, Afganistani ishte në fund të indeksit, i paraprirë nga Jemeni dhe Siria si shtete më pak paqeruajtëse në botë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjykata Kushtetuese pezullon certifikatat e lindjes me përkatësi etnike

    Lajmi i rradhës

    Vitaminat e nevojshme për verën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë