Besimi: Me rishikimin e Buxhetit sigurohet përballje me krizën

    Fatmir Besimi/Fotografia: Nistori

    Rishikimi i Buxhetit për vitin 2022, i cili u miratua nga Kuvendi, merr parasysh gjendjen reale ekonomike, përfshin mjete për amortizimin e efekteve të krizës, ruajtjen e dinamikës së rritjes dhe mundësimin e qëndrueshmërisë fiskale në periudhë afatmesme, ndërkohë është e rëndësishme se është suguruar edhe financimi sipas planifikimit në rishikimin dhe po kërkohen mënyra për ta bërë këtë në mënyrën më optimale, deklaroi ministri i Financave Fatmir Besimi.

    Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në “TV 24”, ku theksoi se me me anë të rishikimit bëhet ristrukturimi i anës së shpenzimeve, por edhe adaptimi i anës së të hyrave me qëllim që të përmbushen nevojat për përkrahje të qytetarëve dhe ekonomisë.

    “Me rishikimimin janë bërë ndryshime atje ku janë rialokuar mjete për krizën në gjysmën e parë të vitit. Kështu që, pa rishikimin e Buxhetit u realizuan të gjitha mjetet që ishin paraparë për masat antikrizë, pastaj përkrahjen për nevojat e EMV-së, ku qytetarët paguajnë vetëm 20% të çmimit të energjisë elektrike. Mjete për rritjen e pensioneve sipas metodologjisë së re, për rritjen e pagës minimale në sektorin publik, por edhe për subvencionet për kontributet në pagesën e pagës minimale të rritur në sektorin privat, si dhe masat e tjera që janë ndërmarrë për ta ndihmuar ekonominë dhe qytetarët, por edhe për periudhën 6 mujore në vijim”, theksoi Besimi.

    Sipas tij, janë siguruar 3.2 miliardë denarë shtesë për subvencione në bujqësi për produkte strategjike dhe rritje të rendimenteve, 2.4 miliardë denarë mjete shtesë për përfituesit e të ardhurave minimale të garantuara, mjete shtesë për rritje të pagave për 15% në arsim, mjete shtesë në sferën e zhvillimit ekonomik dhe 1.1 miliardë denarë shtesë për projektin TVSH-ja Ime, para që u kthehen qytetarëve.

    Për masat antikrizë, ministri thekson se në program të veçantë janë paraparë 76 milionë euro ose 4.7 miliardë denarë, por se mjetet e parapara për masa antikrizë janë më të larta.

    “Nuk janë vetëm këto 76 milionë euro. Këto janë mjete shtesë ndaj atyre të rezervuara paraprakisht në këtë program prej 50 milionë eurosh. Më pas janë 100 milionë euro për EMV-në, të cilat janë siguruar nga BERZH-i dhe për të cilat pritet këtë javë të miratohet ligji në Kuvend. Këto janë mjete të favorshme për likuiditet të EMV-së, të cilat në të kundërtën duhet të siguroheshin nga Buxheti, që do të nënkuptonte deficit shtesë prej 1% të PBB-së. Me BEI-n diskutohet për 100 milionë euro shtesë në formë të kredive të favorshme për ekonominë për likuiditet dhe për investime në efikasitetin energjetik dhe tranzicionin e gjelbër”, shtoi ministri Besimi.

    Ministri Besimi potencoi se mjetet financiare për financimin e rishikimit tashmë janë siguruar, me ç’rast do të realizohen sipas planifikimit, duke theksuar se përveç mjeteve financiare për të cilat diskutohet me FMN-në, diskutohet edhe për instrumente të tjera të financimit si në tregun vendas, ashtu edhe në tregjet financiare ndërkombëtare.

    “Po negociojmë me FMN-në. Këto janë negociata që zakonish zhvillohen me muaj. Por, punojmë edhe në disa instrumente të tjera, ndër të cilat është edhe euroobligacioni. Qëllimi është ta përmbyllim financimin në tërësi me normë mesatare të interesit nën nivelin që është në tregjet financiare ndërkombëtare dhe e cila lëviz mbi 7 për qind. Gjithashtu, marrim parasysh edhe afatizimin. Pra, punojmë në disa opsione, nuk jemi të fokusuar vetëm në një drejtim dhe në një instrument të vetëm, por fokusohemi në disa instrumente dhe portofole për uljen e barrës mbi buxhetin”, tha ministri i Financave.

    Sipas tij, vëmendja është e përqendruar mbi investitorët e huaj dhe institucionet financiare ndërkombëtare, sepse strategjia jonë është që të sigurojmë fluks më të madh të mjeteve devizore në ekonomi dhe në këtë mënyrë do të ndihmohet që të injektohen mjete financiare shtesë në ekonominë tonë, që të lehtësohet politika monetare dhe që të stabilizohen pritshmëritë dhe të zbuten efektet, përkatësisht trendi i rritjes së normave të interesit, që mund të kenë efekt mbi stagnimin e rritjes.

    Besimi potencoi se vendi ka pozicion të favorshëm sa i përket sigurimit të mjeteve në tregjet dhe se sipas sinjaleve tona, ka interes për fletobligacionet tona, por duke pasur parasysh çmimet e larta, ne ende po kërkojmë mënyrën më optimale të financimit.

    Lajmi Paraprak

    Banorët e Pallçishtit në protesta, kërkojnë ujë të pijshëm (Video)

    Lajmi i rradhës

    Geer: Nisja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është zhvillim historik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë