Shtëpi të ngrohta vetëm për ata me xhep të thellë

    Të dhënat e pakos së katërt nga regjistrimi i fundit i popullsisë, i cili u realizua gjatë vitit të kaluar për sa i përket kushteve, në të cilat jetojnë qytetarët, kanë nxjerrë në pah se vetëm 34 për qind e objekteve banesore dhe afariste në Maqedoninë e Veriut, kanë fasada me efikasitet energjetik, që nënkupton kursimin e konsumimit të energjisë.

    Nga gjithsej 533.659 objekte, mbi 351 mijë nuk kanë fasadë me efikasitet energjetik që përbën 65.8 për qind të objekteve në vend.

    Ndërkohë, mbi 70 për qind të numrit të përgjithshëm të banesave nuk janë të lidhura në rrjetin publik të ngrohjes.

    Konstadin Dimitrov, ekspert i energjetikës, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto të dhëna paraqesin kambanë alarmi për sa i përket kursimit të energjisë, në kushte të krizës energjetike.

    Dimitrov thotë se Ligji për efikasitet energjetik në Maqedoninë e Veriut, i cili është në fuqi nga shkurti i vitit 2020 nuk arrin të zbatohet në praktikë.

    Ligji për efikasitet energjetik ka për qëllim “zvogëlimin e nevojave energjetike përmes shfrytëzimit efikas të energjisë me zbatimin e masave për efikasitet energjetik”, si dhe “rritjen e efikasitetit energjetik në sferën e banimit dhe ndërtimtarisë përmes përmirësimit të karakteristikave energjetike të ndërtesave”.

    Dimitrov, i cili ka ligjëruar në Fakultetin e Elektro-makinerisë në Shkup thotë se efikasiteti energjetik paraqet privilegj vetëm për më të pasurit, qoftë për vendosjen e fasadave të reja apo vendosjen e paneleve diellore.

    “Ligji për efikasitet energjetik unë do të thosha është në kundërshtim me interesat amvisërive, madje edhe kundër interesave të shtetit do të thosha. Ka shumë kufizime, burokraci në mbledhjen e dokumentacionit për vendosjen e paneleve diellore dhe derisa ju të merrni leje dhe të vendosni panelet diellore, iku dimri”, thotë Dimitrov.

    Ai zgjidhjen e sheh në hartimin e një strategjie gjithë përfshirëse për objektet e banimit, veçanërisht për ato me fasada të vjetra.

    “Në mungesë të një strategjie gjithëpërfshirëse për të gjitha objektet e banimit, veçanërisht ndërtesat kolektive, qytetarët në kohë të krizës e kanë pothuajse të pamundur të ndajnë mjete për rindërtimin e fasadave të amortizuara të ndërtesave më të vjetra për të përmirësuar efikasitetin tyre energjetik.

    Kështu që, del se ata që kanë para edhe më tej pa problem do të kenë shtëpi të ngrohta, përderisa familjet me të ardhura të ulëta të gjenden si të munden gjatë të ftohtit”, thotë Dimitrov.

    Ekspertët gjithashtu theksojnë se shteti duhet të sigurojë kredi pa kamatë (pa normë të interesit) veçanërisht për institucionet shtetërore, në mënyrë që ato të mund t’i kthejnë kreditë përmes kursimeve të realizuara vjetore të energjisë, përkatësisht kursimet që do të sjellë zëvendësimi i dritareve dhe dyerve dhe vendosja e kulmeve të reja dhe fasadave energjetike efikase.

    Çka ofron shteti?

    Qeveria e Maqedonisë, Ministria e Ekonomisë gjatë këtij viti nuk ka hapur tender për aplikimin e qytetarëve për subvencionimin e një pjese të harxhimeve që kanë të bëjnë me efikasitetin energjetik siç është, ndërrimi i dritareve për ruajtjen e energjisë termale, apo vendosjen e fasadave të reja.

    Këto mjete janë ri-destinuar për subvencionimin e pagesës së faturave të energjisë elektrike për 7 mijë e 500 familje me status të rrezikuar social.

    Megjithëkëtë, Ministria e Ekonomisë ishte zotuar se do të subvencionojë familjet që vendosin sistemin për shfrytëzimin e energjisë diellore.

    Në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë për Radion Evropa e Lirë thonë se tenderi për subvencionimin e vendosjes së paneleve diellore për amvisëritë do të shpallet deri në fund të këtij muaji.

    “Mjetet për këtë program janë në vlerë prej 60 milionë denarësh (967 mijë euro) dhe ato do të shfrytëzohen për subvencionimin e një pjese për blerjen e pajisjeve për fotovoltaikë (panelet diellore) për prodhimin e rrymës për nevojat e amvisërive, që përbën 30 për qind të investimit, por jo më shumë se 1 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë për Radion Evropa e Lirë.

    Vitin e kaluar, Ministria e Ekonomisë kishte siguruar mjete për sa i përket efikasitetit energjetik në vlerë 47 milionë denarë (758 mijë euro) duke përfshirë subvencionet për: instalimin dhe blerjen e sistemeve diellore të kolektorëve termikë, për vendosje të dritare PVC ose alumin, për blerjen e stufave me peleta, si dhe për kompensimin e një pjese të shpenzimeve për instalimin e sistemeve fotovoltaike.

    Pse e kanë vështirë qytetarët të arrijnë deri te subvencionet?
    Qytetarët thonë se është shumë e vështirë arritja deri te subvencionet, për shkak të procedurës së komplikuar rreth mbledhjes së dokumentacionit, dhe veçanërisht mjeteve të kufizuara.

    “Mbledhja e dokumentacionit është e kushtueshme dhe më e keqja kur shkon të aplikosh në institucionet përkatëse del se mjetet kanë qenë të kufizuara dhe vlejnë vetëm për ata që kanë aplikuar të parët dhe jo të gjithë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Drita Iljazi nga Komuna e Çairit të Shkupit.

    Nga ana vjetër, Rubin Iliev, para një muaji nga buxheti familjarë pa ndihmën e shtetit ka vendosur fasadë të re energjetike për të kursyer rrymën pasi, siç thotë, s’mund ta ngrohë tërë shtëpinë me shtrenjtimet e fundit të energjisë elektrike.

    Ai thotë se në mungesë të ndihmës nga shteti fati i mirë për të është se materialin për izolimin e shtëpisë e ka blerë vitin e kaluar, kur çmimet e materialit ndërtimor ishin shumë të lira.

    “Në krahasim me vitin e kaluar çmimet janë rritur shumë, madje do të thosha për 50 për qind, kështu që për mua fati i mirë është se materialin për izolim e kisha blerë që vitin e kaluar. Prita të hapet tender për të aplikuar për këtë vit, por ja nuk ka asgjë ende, kështu që gjithçka e kam përfunduar me forcat e mia. Që tani i vërej përfitimet, pasi vitin e kaluar kondicioneri duhej të ishte i ndezur tërë kohën për të freskuar shtëpinë tani mjafton nga një orë dy herë në ditë dhe temperatura mbetet konstante”, thotë Iliev.

    Kompanitë që merren me vendosjen e paneleve diellore për amvisëritë thonë se qytetarët nuk arrijnë të përballojnë koston e lartë të investimit që është diku nga 4 deri 6 mijë euro megjithëse ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij investimi.

    “Paraqiten nga 100 persona në ditë, por kur dëgjojnë se sa është çmimi, ndërsa këtë vit akoma nuk ka ndonjë mbështetje nga shteti, mbetet që vetëm më të pasurit të investojnë në vendosjen e fotovoltaikëve, paneleve diellore”.

    “Tani është gushti muaji kur bëhet instalimi ndërkohë që akoma s’kemi tender për subvencione. Vonesat janë të mëdha sepse, edhe pse jemi në kulmin e të nxehtit për dy muaj fillon sezoni i ngrohjes (15 tetor). Pastaj shteti më së shumti jep një mijë euro. Ku ta gjejnë qytetarët pjesën tjetër të investimit në këtë kohë krize”, thotë Ilija Çulev, i cili menaxhon një kompani për vendosjen e paneleve diellore.

    Ndryshe, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave nga regjistrimi i fundit i popullsisë në tetor të vitit të kaluar ka nxjerrë në pah se vetëm 11 për qind e objekteve në vend kanë të instaluar ndonjë pajisje për shfrytëzimin e energjisë solare (diellore).

    Pjesa më e madhe e objekteve nga kjo përqindje (11 përqindëshi i objekteve me pajisje për shfrytëzimin e energjisë diellore) nuk e shfrytëzonë në kapacitet të plotë gjatë tërë kohës potencialin e këtyre pajisjeve.

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut me bukën më të shtrenjtë në rajon

    Lajmi i rradhës

    “Më mirë për Tetovën”: Përgjegjësit e zjarrit në spitalin modular lëvizin lirshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë