Marrëveshja e Ohrit, mollë sherri!

    Fotografia: Nistori

    Dy blloqet kryesore politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, njëra në qeveri dhe tjetra në opozitë, e akuzuan njëra-tjetrën për të njëjtën gjë: rrënimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Në dy deklarata të ndara, të lëshuara brenda ditës, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VLEN shkëmbyen akuza që shkojnë nga ndikimi i “botës serbe” në institucionet e vendit e deri te bllokimi i legjislacionit për përfaqësimin e drejtë. BDI-ja e ndërtoi qëndrimin e saj mbi raportet e Parlamentit Evropian, duke pretenduar se prania e ndikimit serb në vend është shtuar që nga formimi i qeverisë aktuale.

    “Për dy vite me radhë, Raporti i Parlamentit Evropian evidenton shqetësimin për rritjen e ndikimit të ‘botës serbe’ në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe apostrofon qartë promovimin e këtyre politikave nga përfaqësues të pushtetit”, thuhet në deklaratën e partisë opozitare. Sipas BDI-së, këto nuk janë vlerësime partiake, por konstatime të institucioneve evropiane. “Këto nuk janë më vlerësime të opozitës, por konstatime të institucioneve më të rëndësishme evropiane. Prandaj, askush nuk mund t’i relativizojë apo t’i shpërfillë këto sinjale alarmi”, theksohet në reagim.

    “BOTA SERBE” GJITHNJË MË TEPËR NË INSTITUCIONE!

    Partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti renditi një varg elementesh që, sipas saj, e dëshmojnë këtë ndikim: rolin politik të Ivan Stoilkoviqit brenda qeverisë, afrimin me strukturat politike të Milorad Dodikut, kontratat në sektorin energjetik me kompani të lidhura me interesat e tij, si dhe zgjerimin e pranisë së kapitalit bankar serb në vend. “Të gjitha këto përbëjnë një mozaik që nuk mund të mohohet”, vlerësohet në deklaratën e BDI-së.

    Opozita shqiptare e lidhi këtë zhvillim edhe me atë që e quan gërryerje sistematike të Marrëveshjes së Ohrit, përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politikave të qeverisë aktuale. Në këtë proces, sipas BDI-së, partneri shqiptar i qeverisë nuk qëndron anash.

    “Në këtë proces, VLEN-i nuk është spektator. Ai është kamuflues, relativizues dhe bashkërealizues i politikave që cenojnë të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe frymën mbi të cilën është ndërtuar shteti pas vitit 2001”, thuhet më tej. BDI-ja iu referua edhe premtimit parazgjedhor të VLEN-it se nuk do të hynte në qeveri pa fitore zgjedhore, duke pretenduar se ndodhi e kundërta. “Nga premtimet për dinjitet e përfaqësim, përfundoi duke u shndërruar në një instrument të plotë të VMRO-DPMNE-së”, theksohet në deklaratë, ku shtohet se verdiktin për këtë, siç thonë, mashtrim politik dhe moral do ta japin qytetarët.

    VLEN: BDI NUK E MBRON KAUZËN SHQIPTARE

    Koalicioni qeverisës VLEN e hodhi poshtë akuzën dhe e ktheu fokusin te bllokada e njoftuar e Ligjit për përfaqësim të drejtë në Parlament, duke thënë se BDI po tenton zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit.

    “Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim (BDI) nuk e mbron kauzën shqiptare, por e mban peng”, thuhet në reagimin e VLEN-it. VLEN-i pretendon se BDI-ja nuk ka të drejtë të kushtëzojë procese ligjvënëse për shkak të humbjes së pushtetit. “Shqiptarët nuk ua kanë borxh pushtetin e përjetshëm karrigexhinjve të Reçicës së Vogël. Nuk u kanë borxh a ministra, as drejtorë dhe as tenderë”, thuhet në deklaratë. Koalicioni qeverisës e akuzoi BDI-në se gjatë çerekshekullit në pushtet nuk e mbrojti me ligj përfaqësimin e drejtë.  “Plot 25 vjet e kishin edhe gurin, edhe arrën në dorë, por nuk u shkoi mendja që këtë të drejtë ta mbronin me ligj. Më të rëndësishme i kishin tenderët, pasurimin personal dhe pazaret e pista”, theksohet në reagim.

    Sipas VLEN-it, kërcënimi për bllokimin e punimeve të Kuvendit është pasojë e dëshpërimit politik. “Tani, kur dikush tjetër po e kryen punën, nga dëshpërimi kapen pas një fijeje kashte dhe kërcënojnë se do ta bllokojnë gjithë Kuvendin”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se BDI-ja “po u hakmerret” qytetarëve që e dërguan në opozitë.

    Reagimi i koalicionit qeverisës mbyllet me një referencë të drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit. “Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi as e Ali Ahmetit dhe as e karrigexhinjve të tij të përjetshëm. Ajo u përket qytetarëve dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng për shkak të etjes së shfrenuar për pushtet”, thuhet në deklaratë.

    LIGJI PENG I PËRPLASJES!

    Përplasja vjen në një periudhë kur Ligji për përfaqësim të drejtë pritet të kalojë procedurën parlamentare, ndërsa opozita shqiptare ka paralajmëruar bllokadë institucionale. VLEN-i është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE që nga qershori i vitit 2024, ndërsa BDI-ja, pas mbi dy dekadash në pushtet, ndodhet në opozitë. Të dyja palët tashmë e kanë kthyer Marrëveshjen e Ohrit në boshtin qendror të komunikimit politik, duke e paraqitur secila veten si mbrojtëse të saj dhe kundërshtarin si shkatërrues. Koha

    Lajmi Paraprak

    Bisedime “nën radar” për rrugën drejt BE-së!

    Lajmi i rradhës

    Obeziteti në Maqedoni, një krizë që rritet në heshtje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë