Obeziteti po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në Evropë, ndërsa Maqedonia e Veriut përballet me një nivel të konsiderueshëm të personave me peshë të tepërt, si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët. Sipas të dhënave të Eurostat, 15.4% e popullsisë së Maqedonisë së Veriut mbi 18 vjeç klasifikohet si obeze, për vitin 2022, kur janë të disponueshme të dhënat e fundit për vendin. Ky nivel është pak më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 16.3%, por më i lartë krahasuar me disa vende të rajonit. Në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut renditet me një normë më të lartë të obezitetit se Shqipëria, ku 12.6% e të rriturve klasifikohen si obezë, si dhe Serbia me 13.6%. Bosnja dhe Hercegovina ka një nivel të ngjashëm me 15.7%, ndërsa Mali i Zi regjistron një nga normat më të ulëta në Evropë me 7.8%.
Në nivel evropian, normat më të larta të obezitetit regjistrohen në Maltë, ku 26.6% e të rriturve klasifikohen si obezë. Pas saj renditen Letonia me 24.6%, Islanda me 24.2%, Finlanda me 23.2% dhe Irlanda me 22.1%. Në anën tjetër të renditjes gjenden Italia me 7% dhe Mali i Zi me 7.8%, me nivelet më të ulëta të obezitetit tek të rriturit.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se obeziteti është rritur gradualisht gjatë dekadës së fundit në Evropë. Në vitin 2025, rreth 16.3% e të rriturve në BE ishin obezë, krahasuar me 15.2% në vitin 2014. Nëse përfshihen edhe personat mbipeshë, pra ata që kanë peshë mbi normalen por nuk klasifikohen ende si obezë, më shumë se gjysma e popullsisë së rritur në BE rezulton të ketë probleme me peshën trupore. Një shqetësim i veçantë për Maqedoninë e Veriut lidhet edhe me obezitetin tek fëmijët. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vendi ka nivele të larta të mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët e moshës shkollore. Rreth një e treta e fëmijëve në grupmoshat e monitoruara rezultojnë me peshë mbi normalen, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se zakonet e krijuara në fëmijëri shpesh ndikojnë në shëndetin në moshën e rritur.
Ekspertët e lidhin rritjen e obezitetit me stilin gjithnjë e më sedentar të jetesës, mungesën e aktivitetit fizik, konsumin më të madh të ushqimeve me përmbajtje të lartë sheqeri dhe yndyrash, si dhe ndryshimet në mënyrën e ushqyerjes. Treguesi i obezitetit bazohet te Indeksi i Masës Trupore (BMI), i cili llogaritet duke pjesëtuar peshën në kilogramë me katrorin e gjatësisë në metra. Sipas metodologjisë së Eurostat, një person konsiderohet obez kur BMI-ja është 30 ose më e lartë. Personat me BMI nga 25 deri në 29.9 klasifikohen si mbipeshë. Të dhënat e Eurostat bazohen në Anketën Europiane të Shëndetit (EHIS) dhe statistikat e të ardhurave dhe kushteve të jetesës (EU-SILC), ndërsa të dhënat e OBSH-së përdorin vlerësime të standardizuara sipas moshës, ndaj shifrat nga dy burimet mund të ndryshojnë për shkak të metodologjive të ndryshme.
Obeziteti konsiderohet një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundje kronike, përfshirë diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe disa forma të kancerit. Për këtë arsye, institucionet shëndetësore rekomandojnë forcimin e masave parandaluese, veçanërisht përmes promovimit të aktivitetit fizik dhe ushqyerjes së shëndetshme që në moshë të hershme. Koha






