Masat e reja kundër Covid-19, pas zgjedhjeve në RMV

    Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se zgjedhjet lokale, që mbahen më 17 tetor, nuk do ta rrezikojnë jetën e qytetarëve nëse respektohen masat kundër koronavirusit.

    Sipas protokolleve për parandalimin e COVID-19, që janë bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje infektive, duhet që vazhdimisht të dezinfektohen dhe ajrosen hapësirat ku qytetarët do të votojnë.

    Sipas këtyre rekomandimeve, qytetarët gjatë procesit të votimit duhet të mbajnë masë dhe distancë fizike.

    “Votuesit gjatë hyrjes brenda në hapësirë, së pari i dezinfektojnë duart dhe para se të paraqesin dokumentet personale, largojnë maskën për t’u identifikuar, duke respektuar distancën e nevojshme”, thuhet në udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Sëmundje Infektive.

    Ndërkaq, autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë bërë të ditur se pas gjysmës së parë të muajit tetor do të vendosen masa plotësuese shtrënguese, që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejmë të koronavirusit.

    Aleksandar Cvetkovski nga organizata joqeveritare AGTIS thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet po kalkulojnë me datën e vendosjen e masave të reja në raport me datën e zgjedhjeve dhe jo me gjendjen epidemiologjike.

    Sipas Cvetkovskit, askush nuk po bart përgjegjësi, për siç thotë ai, mosrespektimit të masave gjatë tubimeve zgjedhore.

    “Ndërkohë që rritet numri i të infektuarve dhe nga ana tjetër kemi rënie të numrit të të vaksinuarve të rinj, autoritetet po heshtin. Tani nuk besoj që as policia dhe as inspektorët realizojnë kontrolle sa i përket respektimit të masave kundër koronavirusit derisa të mbahen zgjedhjet. Ky është realiteti ynë, del se zgjedhjet janë çështja më kryesore për ne në këtë moment. Por, sapo të përfundojnë zgjedhjet, besoj që menjëherë do të shtrëngohen masat. Kufizimet do të detyrojnë kategori të ndryshme të qytetarëve të vaksinohen”, thotë Cvetkovski.

    Mjekët thonë se zvarritja e shtrëngimit të masave dhe ulja e interesimit të qytetarëve për vaksinim kundër koronavirusit, mund të ketë kosto të lartë për shëndetin e qytetarëve.

    Mjeku familjar, Ilir Luma thotë për Radion Evropa e Lirë se periudha e fushatës zgjedhore, por edhe periudha e balotazhit, janë të rrezikshme, pasi sipas tij, në tubimet zgjedhore kryesisht nuk po respektohen masat kundër COVID-19.

    “Ajo që po ndodh tani derisa po vazhdon fushata zgjedhore është më e rrezikshme sesa dita e zgjedhjeve, pasi atë ditë ka mundësi që të vendoset një rend dhe të respektohet distanca, mbajtja e maskave e kështu me radhë. Për dallim nga kjo, është shumë e vështirë të kontrollohen tubimet ku po shkelen protokollet kundër koronavirusit”, thotë Luma.

    Ndryshe, partitë politike në vazhdimësi thonë se primare për ta mbetet respektimi i protokolleve kundër koronavirusit.

    Megjithatë, në fotografitë që partitë shpërndajnë në rrjetet sociale, në tubimet partiake shihen shkelje të masave, pasi aktivistët dhe drejtuesit e partive shpesh nuk mbajnë as maska e as distancë.

    Sipas të dhënave, në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë rreth 7,000 raste aktive me COVID-19. Ndërkaq, 35 për qind e popullatës deri më tani është vaksinuar me të dy dozat e popullsisë dhe 38 për qind e qytetarëve kanë marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit të ri./REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjashtë gjërat që duhet të keni parasysh në lidhje me ndryshimet klimatike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë