Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në Maqedoninë e Veriut njoftoi që 141 mësimdhënës në shkollat fillore kanë marrë titullin “mentor”, për çka rroga e tyre do të rritet për 50 euro.
“Në titullin “mentor” janë graduar 141 mësimdhënës nga shkollat fillore, për çka tashmë janë njoftuar kandidatët dhe shkollën. Për herë të parë, pas një decade, MASH-i sistematikisht po zgjidh kërkesën shumëvjeçare të mësimdhënës për mundësinë e zhvillimit dhe përparimit në karrierë”, deklarojnë nga MASH-i, duke njoftuar që rroga e tyre do të rritet me fillimin e vitit shkollor.
Mentori ka për detyrë të orientojë mësimdhënësit-fillestarë, studentët që do të mbajnë praktikën, si dhe do të kontribuojë në zhvillimin e procesit në shkollë.
Ndryshe, mësimdhënësit për të marrë titullin “mentor”, duhet të plotësojnë disa kushte, si përvoja shtatëvjeçare në arsim. Konkursi i radhës për disa shkolla është i hapur deri më 15 korrik.
Aplikimi mund të bëhet KËTU, ndërsa shkollat ku është i hapur konkursi janë të paraqitura në këtë LISTË.
“Me fillimin e vitit kalendarik 2021, për herë të parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, fillon zbatimi i dispozitës ligjore të destinuar për mësimdhënësit për avancimin e karrierës në tituj – “mentor” dhe “këshilltar”, që nënkupton marrjen e kompensimit shtesë financiar si pjesë e të ardhurave personale nga angazhimi në punë”, njoftojnë nga MASH-i.