Matura shtetërore në Maqedoni “ra nga provimi”!

    Mbajtja e provimit shtetëror të maturës edhe njëherë “ra nga provimi”. Kështu e vlerëson situatën me shpërndarjen e teksteve nëpërmjet grupeve të Viber-it rektorja e sapo-zgjedhur e UKM-së Biljana Angelova. Sipas saj numri i nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme me notë mesatare të lartë është vazhdimisht në rritje përderisa cilësia e njohurive që marrin nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm fatkeqësisht është në rënie të vazhdueshme, ndërsa e njëjta po shihet në arsimin e lartë.

    “Fenomene si kopjimi, ndarja e teksteve përmes grupeve Viber, e fenomene tjera të ngjashme nuk mund të justifikohen, por për të sanksionuar të gjitha këto, ka mekanizma që duhet vetëm të zbatohen”, thotë Angelova. Ajo tha se kthimi i provimeve pranuese në fakultetet në këtë moment nuk do ishte një zgjidhje e problemit, dhe se arsyeja për këtë qëndrim të saj është se kuotat e regjistrimit në fakultetet janë shumë më të larta se numri i maturantëve, ndaj çdo maturant i cili vendos të vazhdojë shkollimin do të mund të regjistrohet në një nga institucionet e arsimit të lartë.

    “Rrënja e problemeve është në nënsistemet arsimore të arsimit fillor dhe atij të mesëm, të cilët duhet të reformohen në drejtimin e forcimit të cilësisë së arsimit, ndryshimit të ndërgjegjësimit të nxënësve që në moshë të hershme se vetëm dija është çelësi i përparimit të tyre në karrierë. Edhe tani në disa nga fakultetet e UKM-së ka provime pranuese për vlerësimin e kapaciteteve dhe talenteve të studentëve për studim”, u shpreh Angelova.

    Ajo vlerësoi gjithashtu se ekziston mundësia që futja e intervistave me kandidatët e mundshëm të  cilët regjistrohen në fakultetet pedagogjike të jetë një filtër i rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor dhe të mesëm, pasi sipas saj aty shkollohen mësuesit e ardhshëm, profesionalizmi i të cilëve është hallkë e rëndësishme në profilin e nxënësve.

    “Futja e provimit pranues si të obligueshëm për regjistrim në fakultet në afat të mesëm mund të jep rezultate, por kërkon para dhe vullnet politik”, u shpreh më tej ajo.

    Angelova shpjegoi gjithashtu se ilustrimi i gjithë problemit më së miri mund të vërehet në faktin se numri më i madh i të rinjve të diplomuar për një anketë të kryer kishin deklaruar se duan të largohen nga vendi në një vend tjetër ku është e sigurt se me njohuritë dhe aftësitë e tyre do të avanconin në karrierë.

    “Përfundimisht, punësimi i maturantëve dhe të diplomuarve vlerësohet nga punëdhënësi, pra nga tregu i punës. Sektori privat ka zhvilluar kritere të qëndrueshme për njohjen dhe vlerësimin e njohurive dhe aftësive, por e njëjta duhet të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme edhe në sektorin publik i cili është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Përmirësimi i cilësisë së arsimit do të vijë vetëm kur profesionalizmi dhe njohuritë do të jenë kriter i vetëm për punësim dhe avancim në punë, si në sektorin privat dhe atë publik”, u shpreh Angelova.

    Në të njëjtën kohë edhe sociologu Ilija Aceski, problemin më të madh e lokalizon në arsimin fillor dhe të mesëm ku ende nuk ekziston një sistem i cili do të zhvillojë vetëdijen elementare të fëmijëve se për çfarë të vendosin. “Ndoshta vetëm 30% e maturantëve e dinë saktësisht se çfarë duan, pjesa tjetër pyesin vetëm “ku duhet të shkojë”. Ata thjeshtë nuk e dinë. Nuk ka asnjë sistem as në arsimin fillor as në arsimin e mesëm që do t’i vlerësojë, që do t’u tregojë se për çfarë janë të talentuar. Ky është problemi i parë në lidhje me atë se çfarë po ndodh me ne tani. Problem tjetër është se viteve të fundit rreth 90% e maturantëve në mos edhe më shumë të cilët regjistrohen në fakultete janë të shkëlqyer dhe absolutisht të shkëlqyer. Kjo sigurisht që nuk është e vërteta. Pra sigurisht që na duhet një filtër për të ndarë cilësinë. Provimet pranuese që ishin kusht për tu regjistruar në fakultete dekada më parë ishin një sistem i shkëlqyer vlerësimi për regjistrim në arsimin e lartë, ndërsa tani regjistrohet kushdo që dëshiron”, theksoi Aceski. Sipas tij, ata kanë edhe mundësinë që nëse dështojnë në një fakultet të regjistrohen në tjetrin në afatin e dytë dhe të tretë të regjistrimit, pasi ka vend për të gjithë.

    Përndryshe, nga MASH dje iu drejtuan Qendrës për Provime Shtetërore si institucion kompetent për organizimin e provimeve të maturës shtetërore, me qëllim që të vendos përgjegjësinë tek pjesëmarrësit në zbatimin e procesit në lidhje me lëshimin e bërë gjatë provimit të dytë ekstern në gjuhën angleze.

    “Ju informojmë se MASH ka kërkuar që nga ky vit provimet të zhvillohen në salla më të mëdha të shkollave si sallat sportive ku do të jenë të akomoduar të gjithë maturantët që janë të regjistruar për të dhënë provimin e maturës shtetërore, si dhe me prezencë të shtuar të testuesve dhe vëzhguesve. Por për shkak të ngjarjeve të ndodhura në QSHP, greva e punonjësve menjëherë para datave të mbajtjes së provimeve të maturës shtetërore, të njëjtat nuk u zhvilluan. Pra presim që ndryshimet të zbatohen në vitin e ardhshëm shkollor, me çka do të zvogëloheshin rreziqet e parregullsive të mundshme që do të vinin në pikëpyetje besueshmërinë e rezultateve”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga MASH. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, një vit shkollor pa tekste

    Lajmi i rradhës

    Denoncuesit në RMV janë të pambrojtur!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë