Maturantët dibranë përcaktojnë drejtimin e studimeve – Bujqësia jashtë preferencave

    Paralelisht me përfundimin e arsimit të mesëm dhe përgatitjet për regjistrim në fakultete, maturantët dibranë po orientohen kryesisht drejt degëve të ekonomisë, juridikut, mjekësisë dhe teknologjisë informative. Sipas informacioneve nga shkolla e mesme dhe vetë maturantët, interesimi për studimet në fushën e bujqësisë vazhdon të jetë pothuajse i papërfillshëm.

    Të rinjtë shprehen se zgjedhin profesione që, sipas tyre, ofrojnë më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi profesional, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Ekonomia dhe juridiku mbeten ndër degët më të kërkuara, ndërsa vitet e fundit është rritur dukshëm interesimi për teknologjinë informative, për shkak të kërkesës së lartë në tregun e punës. Edhe fakultetet e mjekësisë vazhdojnë të tërheqin një numër të konsiderueshëm maturantësh.

    Në anën tjetër, bujqësia, pavarësisht potencialit që ka rajoni i Dibrës në këtë sektor, nuk po zgjon interes te brezat e rinj. Maturantët e shohin këtë fushë si më pak atraktive dhe me mundësi më të kufizuara për zhvillim profesional. Kjo prirje vazhdon prej vitesh dhe po ndikon në mungesën e kuadrove të reja në sektorin bujqësor.

    Drejtori i shkollës së vetme të mesme në Komunën e Dibrës, Argëtim Trepça, për gazetën KOHA thotë se të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga studimet në fushën e bujqësisë. “Në vitin akademik 2025–2026 numri i studentëve që zgjedhin agronominë ka shënuar rënie, ndërsa është rritur interesimi për mjekësinë veterinare dhe inxhinierinë e ujërave dhe mjedisit. Mund të them se rreth 99 për qind e maturantëve tanë nuk e kanë përmendur bujqësinë si zgjedhje për studime”, thotë Trepça.

    Sipas tij, një nga arsyet kryesore është perceptimi i gabuar që të rinjtë kanë për këtë profesion. “Është e vërtetë se degët më pak të preferuara janë inxhinieria e bujqësisë, zooteknia dhe peshkimi. Të rinjtë ende mendojnë se, nëse zgjedhin këto studime, do të kalojnë gjithë ditën në fermë apo në serë. Në fakt, bujqësia moderne po ecën drejt teknologjisë, automatizimit dhe zgjidhjeve inteligjente. E ardhmja i përket bujqësisë smart dhe digjitale”, thekson ai.

    Në prag të regjistrimeve në universitetet e vendit dhe jashtë tij, shumica e maturantëve tashmë kanë përcaktuar drejtimin e studimeve. Përveç ekonomisë, juridikut, mjekësisë dhe teknologjisë informative, vihet re edhe një rënie e interesimit për fakultetet e arsimit. “Kam vendosur të studioj ekonomi. Mendoj se tregu i punës ka nevojë për ekonomistë dhe besoj se kjo degë do të më krijojë më shumë mundësi punësimi”, thotë maturanti E.R., i cili e ka përfunduar arsimin e mesëm me sukses të shkëlqyer.

    Ndërsa maturantja T.R. është përcaktuar për një drejtim tjetër. “Do t’i vazhdoj studimet për gjuhë dhe letërsi në Tiranë. Është zgjedhja ime dhe shpresoj se kam marrë vendimin e duhur”, shprehet ajo.

    Njohësit e arsimit vlerësojnë se nevojitet një promovim më i madh i studimeve bujqësore dhe i mundësive që ofron ky sektor, veçanërisht në rajonet ku bujqësia dhe blegtoria përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë lokale. Sipas tyre, zhvillimi i bujqësisë moderne kërkon kuadro të reja dhe profesionistë të specializuar. Duhet theksuar se mbi 95 për qind e maturantëve që përfunduan arsimin e mesëm në Dibër pritet të vazhdojnë studimet universitare. Shumica do të regjistrohen në universitetet e vendit, kryesisht në Universitetin “Nënë Tereza”, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore, si dhe në fakultetet e Shkupit. Një numër i konsiderueshëm i tyre kanë zgjedhur t’i vazhdojnë studimet në universitetet e Tiranës dhe Prishtinës. -Koha-

    Lajmi Paraprak

    Metodologjie re e shpenzimeve / Shporta e re në funksion

    Lajmi i rradhës

    E djathta serbe në fushatë për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë