Mbi gjysmë milion euro për libra provizorë

    Ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e konkurseve për hartimin e teksteve shkollore, opozita ka hedhur akuza për shpërdorime të fondeve të Bankës Botërore nga MASH lidhur me tekstet e këtij viti. Ku sipas VMRO-DPMNE-së, Ministria e Arsimit ka shpenzuar mbi gjysmë milioni euro për shtypjen e materialeve mësimore provizore, në vend që të botonte librat.

    “Nga dokumenti i Bankës Botërore shihet se janë përdorur mbi gjysmë milioni euro. Për të fshehur paaftësinë e qeverisë, e cila me mjetet e parashikuara në buxhet nuk arriti t’i shtypte në kohë tekstet shkollore, ata i shfrytëzuan fondet e projektit të BB për promovimin e arsimit fillor dhe shpenzuan mbi gjysmë milioni euro për skriptet me rreth 100 faqe një përdorimëshe dhe vetëm për disa muaj. Ndonëse MASH ka para në buxhetin e planifikuar për botimin e teksteve për një periudhë të gjatë kohore dhe që duhet t’i shërbejë disa brezave, qeveria e LSDM-së vonoi shtypjen e teksteve dhe vuri në pikëpyetje fillimin e vitit shkollor”, deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.

    Sipas tyre fondi për librat provizorë mund të ishte përdorur për qëllime të tjera edukative dhe kërkojnë nga Qeveria që të mbajë përgjegjësi për këtë shpërdorim fondesh dhe të parave të buxhetit të cilat mund të ishin përdorur për zhvillimin afatgjatë të arsimit.

    Akuzat e VMNRO-DPMNE i janë drejtuar MASH pas publikimit të informacionit se Shërbimi Pedagogjik ka miratuar deri më tani 73 tekste për arsimin e mesëm profesional katërvjeçar, për lëndët e përgjithshme-arsimore dhe për të të mesmen matematiko-informatike. “Sigurimi i teksteve cilësore është pjesë e reformës themelore të sistemit arsimor kombëtar, përmirësimit të përmbajtjeve mësimore dhe modernizimit të mësimdhënies. Materialet nga të cilat nxënësit mësojnë lidhen drejtpërdrejt me kurrikulën, arritjen e rezultateve të planifikuara të të nxënit dhe përvetësimin e kompetencave të nevojshme”, thuhet në njoftimin e MASH.

    Për të tretin vit, pas konkursit të botuar për tekste shkollore për 366 lëndë, janë dorëzuar dorëshkrime për 134 lëndë dhe pas thirrjes janë formuar ekipet e autorëve për 51 lëndë. Për 181 lëndë, autorët nuk kanë shfaqur interes për përgatitjen e një teksti shkollor. Shërbimi Pedagogjik ka miratuar deri më tani 7 tekste shkollore. Sa i takon teksteve shkollore për vitin e katërt, i shpallur për 319 lëndë, janë dorëzuar 100 dorëshkrime, për 219 lëndë nuk janë dorëzuar asnjë dorëshkrim, pas së cilës është shpallur thirrja për ekipet e autorëve. Janë formuar 50 ekipe autorësh.

    “Ministria e Arsimit dhe Shkencës inkurajon autorët që të marrin pjesë në konkurset për hartimin e teksteve shkollore. Investimi në njohuritë e të rinjve sot krijon të ardhmen e vendit”, thuhet në njoftimin e MASH. 

    Lajmi Paraprak

    Ballkani, gjithnjë e më shumë cak i sulmeve kibernetike

    Lajmi i rradhës

    Fabrikat në Maqedoni fillojnë të mbyllen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë