Me një palë gërshërë – për një ardhmëri më të sigurt në migrim

    Ndër zanatet më të preferuara të të rinjve në Dibër janë zanatet e parukierëve ose stilistëve për flok. Në sallonet e këtyre parukerive mund të shikohet një numër i theksuar i të rinjve që marrin zanate. Tek zanatet e tjerë është shumë rëndë në Dibër të takojnë të rinj çirak. Interesimi i madh për këta zanate lidhet drejtpërdrejt me përgatitjen e të rinjve për të migruar. Kështu ka qenë para dy dekadave, ashtu është edhe sot. Pjesa dërmuese e të rinjve të cilët marrin zanatin e parukeritë apo frizerit kanë për qëllim që të migrojnë kryesisht në SHBA, ku gjendet numri më i madh i diasporës dibrane.

    Duke marrë parasysh faktin se zanati i frizerëve është shumë i paguar në Amerikë por edhe në Evropë, si dhe fakti se për një kohë të shkurtër të rinjtë marrin dituri të theksuar në sallonet e stilistëve të Dibrës, ata shprehin interesim të madh për tu bërë çirak dhe më pas të largohen si “mjeshtër” të zanatit në vendet evropiane. Frizeri dhe stilisti i njohur dibran Shkëlqim Agolli i cili në Dibër dhe më gjerë është i njohur edhe si interpretues i mirë i këngës qytetare për gazetën Koha thotë se në sallonin e tij edhe në të kaluarën por edhe sot ka patur çirak. Është një sallon i familjes Agolli i cili ka një traditë shumë dekadëshe në këtë profesion. Edhe babai i tij, Rexhepi, thotë se gjithmonë në sallonin e tyre ka patur një numër i theksuar i çirakëve. Një pjesë e madhe e çirakëve të dikurshëm sot punojnë me sukses në SHBA. Ata thonë se edhe në Nju Jork berberët dhe frizerët dibran kanë një pozicionim të lartë dhe janë mjeshtër të mirë. Shkëlqimi thotë se një pjesë e madhe e çirakëve ka migruar jashtë vendit .

    “Këtu bëhen mjeshtër të mirë dhe vazhdojnë rrugëtimin e tyre profesional sidomos në SHBA. Për fat të keq dukuria përsëritet nga viti në vit. Dibra po boshatiset dhe pikërisht për këtë shkak në sallonet e firzerëve ka shumë të rinj të cilët duan të marrin zanatin”, thotë Shkëlqim Agolli dhe potencon se interesimi për këtë zanat është për shkak të faktit se paguhet mirë si në Shtet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe në shtete të Unionit Evropian.

    Të njëjtën e potencon edhe frizeri i njohur i meshkujve Nderim Ollomani. Ai thotë se një numër i madh i të rinjve të cilët kanë marr zanatin në sallonin e tij sot janë në SHBA.

    “Shpend Dumani ishte një i ri i cili u bë mjeshtër pikërisht në sallonin tim. Ai punoi disa vitet në Dibër e më pas migroi në SHBA. Sot është një frizer i njohur i meshkujve në Staten Island ku gjendet pjesa dërmuese e mërgimtarëve dibran”, thotë Ollomani duke shtuar se gjithmonë interesimi për këtë zanat ka qenë i madh. Sipas tij të rinjtë me një palë gërshërë sigurojnë një ardhmëri të sigurt në migrim.

    Interesimi për të marr zanatin të frizerit edhe tek femrat është i theksuar. Në sallonet për ondulim të femrave na informuan se shumë të reja kanë dëshirë dhe mësojnë këtë zanat. Ky zanat siguron një jetë të sigurt këtu tek ne por edhe në mërgim, thonë pronaret e salloneve për ondulim. Prandaj në krahasim me numrin e popullatës Dibra ka një numër të madh të stilistëve dhe salloneve të frizerëve.

    Lajmi Paraprak

    Për përfshirje në rrjetin kryesor të gazifikimit, tetovarët do të paguajnë 100 euro

    Lajmi i rradhës

    Ç’DOBI KA MIRËSIA

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë