Për përfshirje në rrjetin kryesor të gazifikimit, tetovarët do të paguajnë 100 euro

    Rreth 7 kilometra kanë mbetur pa u përfunduar në rrjetin kryesor të gazifikimit nga Shkupi për në Tetovë deri në Gostivar. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore Resurseve Energjetike të Maqedonisë së veriut, Bajram Rexhepi.

    “Punët në rrjetin e distribucionit janë drejt përfundimit, në aksin Shkup-Tetovë-Gostivar, me një gjatësi prej 88 kilometra dhe tani janë përfunduar. Kanë mbetur diku 6 deri 7 kilometër që të përfundohet i tëri. Është një procedurë e cila zgjatë sepse problemi nuk është vetëm tek ne si kompani por tek shpronësimi. Kjo procedurë bëhet në drejtorinë pronësoro-juridike, për fat të keq ishte periudha e pandemisë, ku të gjitha seancat ishin prolonguar dhe ka patur prolongim të afateve dhe unë jam optimist se deri në verë do të përfundojmë me ndërtimin e këtij aksi”, thotë drejtori Rexhepi.

    Pritet që deri verës të përfundojnë negociatat me dy kompanitë e interesuara që do të menaxhojnë në të ardhmen me rrjetin e shpërndarjes së gazit.

    “ Deri në muajin gusht duhet të përfundojnë negociatat me dy kompanitë që janë kualifikuar për fazën e dytë, tani jemi në fazën e dialogut konkurrues dhe nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve ne deri në vjeshtë do të kemi të kontraktuar njërën nga këta dy kompani. Shpresoj se shumë shpejt pas kësaj do të fillojnë punët e ndërtimit të rrjetit të distribuimit. Besoj se nëse komuna e Tetovës do të mund të përmbyll atë projekt që ka filluar më herët dhe të jep lejen e nevojshme, do të fillojë ndërtimi pasi që realisht kjo nuk është obligim i komunave, por ka filluar ka një projekt. Kam tentuar që të kem komunikim me komunën e Tetovës, që të bashkërendojmë veprimet sepse më e rëndësishme është faza e projektimit e deri tek dhënia e lejes. Unë apeloj që kryetari i komunës sa më shpejtë të jep lejen dhe më pas të fillohet edhe faza e ndërtimit të rrjetit të distribuimit të gazifikimit”, tha ai.

    Të gjithë barrën për rrjetin e distribuimit do të ketë kompania që do të zgjidhet dhe e njëjta do të duhet të bëjë investimet sa i përket projektit, punëve ndërtimore, kyçjen e deri tek distribuimi, thotë drejtori Rexhepi. Komunat nuk do të kenë asnjë ingerencë në këtë dhe e vetmja gjë që do të duhet ta bëjnë, është që të pajisin me lejen kompaninë që do të menaxhojë me gazifikimin. Pritet që qytetarët e Tetovës për kyçje në këtë rrjet të paguajnë 100 euro.

    “Ka qenë një periudhë shumë e gjatë e negociatave, derisa kemi arritur që të përpilojmë kushtet që do të përmbush operatori i ardhshëm i distribuimit, ku kushti kryesor ka qenë që kyçja në rrjetin e gazifikimit të mos jetë më shumë se 100 euro. Kusht ka qenë që operatorët të jenë me përvojë në këtë sferë, të kenë tre miliardë metër kub në tre vitet e fundit të harxhuara. Të gjithë tarifat do të jenë të unifikuara për Maqedoninë e Veriut, dhe mendoj se çmimi do të jetë konkurrues si për qytetarët, si për ndërmarrjet e kështu me radhë”, deklaroi Bajram Rexhepidrejtori i Ndërmarrjes Shtetërore Resurseve Energjetike të Maqedonisë së Veriut

    Shpërndarja e gazit do të fillojë nga fshati Falisht e më pas duke e përfshirë qytetin e Tetovës dhe më gjerë. Komunat tjera do të duhet që të japin leje dhe më pas të fillojë kyçja edhe e tyre. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mariçiq: ShBA është partneri dhe miku jonë në rrugën drejt anëtarësimit në BE

    Lajmi i rradhës

    Me një palë gërshërë – për një ardhmëri më të sigurt në migrim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë