Në vend që ta zhvendos, siç edhe premtoi në fillim të mandatit të tij të tretë, Ramiz Merko tani thotë që në deponinë ilegale në hyrje të Strugës, mund të bëhet piknik. Aq mirë është e rregulluar dhe mirëmbahet, saqë e njëjta sipas Merkos nuk paraqet rrezik për mjedisin.
E patë që në deponinë lirisht mund të bëhet piknik sepse nuk kishte asnjë shishe plastike, asnjë qese dhe mirëmbahet siç duhet, nuk është sikur katër vitet e kaluar të administratës paraprake, kur vazhdimisht ndizej – deklaroi Ramiz Merko- kryetar i Strugës.
Por, aktivistët civil nuk vlerësojnë kështu.
Incizoni dhe vet do të vlerësoni nëse këtu mund të bëhet piknik. Këtu janë grumbulluar mijëra tonelata mbeturina të ndryshme, nga ato mjekësore e deri te kafshët- tha Gligorie Qatoski- aktivist.
Por, Merko pohon që deponia ka filluar edhe të gjelbërojë, sikur agjenda e gjelbër e partisë së tij.
Po, tani madje fillon të gjelbërojë përreth. Patjetër duhet platforma e BDI-së të ecë përpara – u shpreh Ramiz Merko.
Ndërsa nga ana tjetër të liqenit, në Ohër qytetarët thithnin tym toksik që vinte nga deponia e Bukovës, që gjendet mes Resnjës dhe Ohrit.
Komuna e Ohrit nuk ka kapacitet dhe resurse vetë të menaxhojë problemin me deponinë e Bukovës. Ndërtimi i deponisë rajonale është projekt që është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit Jetësorë – theksoi Konstantin Gjeorgjieski, kryetar i Ohrit.
Gjeorgjieski shprehet se edhe pse kanë arritur ta fikin deponia e cila digjej më shumë se 10 ditë, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të paraqitet problemi i njëjtë. Në dy qytetet tona turistike, me vite autoritetet qendrore dhe lokale nuk arrijnë të zgjidhin problemin e mbeturinave. Ndërtimi i deponisë rajonale që planifikohej në Debërc, nuk u realizua pas ankesës së qytetarëve./Alsat/