Mësim me improvizime dhe pa libra

    Viti i ri shkollor për nxënësit e klasave të para, të dyta, të katërta dhe ata të klasave të pesta, në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbahet pa libra. Kjo për shkak se me procesin e reformave në arsim librat për këto klasë pësojnë ndryshime dhe botimi i tyre është në faza të ndryshme të miratimit. Programi i ri arsimor, i cili parasheh kombinimin e librave digjitalë dhe atyre të shtypur filloi të zbatohej gjatë vitit të kaluar, me përfshirjen e teksteve shkollore për nxënësit e klasës së parë dhe atyre të katërt.

    Ministria e Arsimit me Byronë për zhvillimin e arsimit, thonë se nuk ka vend për shqetësim për vonesën e botimit të teksteve të reja, pasi siç kanë thënë, nuk rrezikohet në asnjë mënyrë procesi arsimor. Madje, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se tashmë ka përgatitur materiale të shtypura që do të vlejnë për tremujorin e parë të vitit shkollor, për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve. Këto tekste derisa të botohen librat, sigurohen nga dikasteri i arsimit për të gjitha shkollat në Maqedoninë e Veriut. Por pedagogu Xheladin Murati, ligjërues në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se tekstet e reja shkollore duhet të dalin në fund të vitit të ri shkollor dhe jo në fillim, madje me vonesa, duke shkaktuar vakum në nxënien e dijes për gjeneratat e reja.

    “Filloi viti i ri shkollor dhe nxënësit duhet të mësojnë me tekste të digjitalizuara, tekste të cilat nuk ekzistojnë askund. Po përgatiten tekste plotësuese nga Ministria e Arsimit derisa të dalin librat. Kjo ka kosto shtesë. Tekstet mësimore në çdo vend të zhvilluar të Evropës dalin në fund të vitit shkollor dhe jo në fillim të vitit shkollor apo pasi të fillojë viti shkollor. Ekziston një mori faktesh dhe faktorësh, që tregon se shoqëria dhe institucionet përkatëse arsimore nuk tregojnë interesin e duhur për të filluar vitin shkollor me këmbë të mbarë”, konsideron Murati.

    Edhe prindërit e nxënësve ankohen se mungesa e librave dhe ndryshimi i vazhdueshëm i teksteve shkollore, paraqet vështirësi të shumta për ta, por më së shumti për vetë nxënësit. Tatjana Jakimovska nënë e dy fëmijëve nxënës, njëri në klasën e dytë, kurse tjetri në klasën e pestë, thotë se fillimi i vitit shkollor me shumë paqartësi tashmë është bërë praktikë. Jakimovska thotë se kjo bën që fëmijët të mos e marrin seriozisht shkollën, pasi gjithçka ndryshon ose zgjidhet në moment të fundit. “Ashtu si çdo vit informacionet për ndryshimet i marrim me shumë vonesë. Fillon viti i ri shkollor dhe asnjë nga mësuesit e klasës së pestë me saktësi nuk di të më thotë nëse do të mësohet me libra digjitalë apo libra të shtypur”, tregon ajo. Nga ana tjetër, drejtorët e shkollave thonë se janë pajisur me librat e konceptit të vjetër, por jo edhe me tekstet që duhet të mësojnë nxënësit këtë vit shkollorë në bazë të konceptit të ri programor. “Të gjitha librat që na kanë arritur janë me konceptin e vjetër, akoma s’na kanë arritur librat me konceptin e ri, po presim”.

    Por, Xheladin Murati thotë se kjo duhej të bëhej më herët, përkatësisht gjatë pushimeve verore dhe jo në momentet e fundit kur mësuesit duhet të përgatiten për njësitë mësimore që duhet t’ua shpjegojnë nxënësve dhe në formë plotësuese ngarkohen me trajnime. “Mungesa e librave, përkatësisht vonesa e tyre është në dëm të nxënësve dhe në dëm të dijes. Librat duhej me kohë të recensoheshin nga recensentë meritorë, sepse tekstet te ne dalin me gabime të mëdha, jo vetëm gjuhësore, por dhe me gabime faktografike.

    Tekstet janë të ngarkuara me elemente të panevojshme dhe nxënësit pasi të kenë lexuar një faqe të plotë të librit, nuk janë në gjendje të tregojnë se çka kanë kuptuar. Kjo pasi tekstet nuk i nënshtrohen një analize të mirëfilltë si nga autori, si nga recensentët, si nga botuesit për të krijuar një tekst cilësor që i hap rrugën e dijes nxënësve. Ministra vrapon për të bërë reforma, por pa përfillur mundësitë e realizmit të tyre”, vlerëson Murati. (REL)

    Lajmi Paraprak

    KESh: Nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike në Shqipëri

    Lajmi i rradhës

    SPITALI MODULAR | Besimi: I besoj sistemit gjyqësor, e vërteta do të dëshmohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë