Miliona euro për lindjet, shtimi i popullatës në RMV prapëseprapë nën zero   

    Edhe pse mbi 30 milionë euro janë shpenzuar nga arka e shtetit, si një prej masave  për të stimuluar lindjen e fëmijës së tretë, prapëseprapë numri i fëmijëve vazhdon të ulet, ndërsa  rritja natyrore e popullsisë ka zbritur shumë poshtë vijës së kuqe. Duke iu referuar  edhe një hulumtimi të institutit IDEA, konstatohet se si pasojë e natalitetit të ulët dhe migrimit të lartë, popullsia në Maqedoninë e Veriut po plaket dhe po tkurret, ndërsa proporcioni i etnive gradualisht po ndryshon si pasojë e shkallëve të ndryshme të natalitetit tek etnitë përkatëse.

    Duke marrë në analizë subvencionimet e qeverisë për lindjen e fëmijës së tretë dhe të katërt, vërehet se numri i fëmijës së tretë të lindur ka shënuar rritje që nga viti 2011 deri në vitin 2014, mesatarisht me nga 166 fëmijë. Megjithatë, që nga viti 2014, numri i fëmijës së tretë ka rënë mesatarisht me nga 98 fëmijë për çdo vit. Rënia më drastike ka ndodhur në vitin 2020 (minus 591 fëmijë apo 22.83% krahasuar me vitin 2019), që është rënia më e madhe në dhjetëvjeçarin e fundit, e që korrespondon me ndryshimin e Ligjit ku anulohen shtesat financiare për fëmijën e tretë. Në kulmin e numrit të shfrytëzuesve të shtesave për fëmijën e tretë dhe të katërt, buxhetit të shtetit këto shtesa i kushtonin 4,053,463 euro në vit. Në vitin 2023 shpenzimet janë 29.50% më të ulta krahasuar me vitin 2019. Megjithatë, duhet të kihet parasysh që këto nuk janë shpenzimet e vetme për shtesa për fëmijë dhe prindër, meqë ndryshimet te fundit të modelit të shtesave parashohin një gamë të gjerë të shtesave për fëmijë dhe shpenzimet mund të jenë të larta.

    “Rënia drastike më e madhe në 9 vitet e fundit e lindjeve të fëmijës së tretë ka ndodhur pikërisht në vitin 2020 (rënie prej 22.83% krahasuar me vitin 2019), pra një vit pas ndërprerjes së shtesave prindërore për fëmijën e tretë në modelin gjithpërfshirës, duke sinjalizuar kështu efektin e mundshëm të shtesave në zbutjen e shkallës së rënies së lindjeve të fëmijës së tretë. Prandaj duhet pasur kujdes në konkluzat mbi efektin shtesave për fëmijën e tretë në modelin fillestar dhe natalitetit ndër vite, sepse parashtrohet pyetja logjike se sa vallë do të kishte rënë numri i fëmijëve të tretë të lindur nëse këto shtesa nuk kishin ekzistuar. Fatkeqësisht, kjo pyetje nuk është parashtruar gjatë kohës kur u bënë ndryshimet e formës së shtesave”, thuhet në hulumtimin e institutit.

    Sa i takon komunave, numri më i madh është regjistruar në komunën e Çairit, Tetovës, Kumanovës, Sarajit, Studeniçanit, Strugë, Gazi Babë, Gostivar.

    Komunat me më së shumti shfrytëzues të shtesës për fëmijën e tretë në vitin 2023 janë komuna e Çairit dhe Tetovës me gjithsej 1546 dhe 1219 shfrytëzues respektiv. Analiza më e detajuar e të dhënave tregon që 45% e shfrytëzuesve të shtesës për fëmijën e tretë janë nga komunat me shumicë shqiptare, ndërsa 55% nga komunat me shumicë jo-shqiptare. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Largimi i kioskave në Tetovë, përplasje komunë-polici

    Lajmi i rradhës

    Kurti: Vendimi për targa, pasi të vërtetohet zbatimi nga Serbia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë