Mocion mosbesimi kundër Boris Johnsonit sot

    Menjëherë pas përvjetorit të fronit të Mbretëreshës, kryeministri britanik përballet me aferën Partygate: Dhoma e Komunave në Londër ka marrë mjaft kërkesa për një mocion mosbesimi.

    Në Britani, është i pashmangshëm një mocion mosbesimi kundër kryeministrit Boris Johnson. Kryetari i Komitetit me ndikim 1922 të deputetëve konservatorë në Dhomën e Komunave të Londrës, Sir Graham Brady, njoftoi se pragu i 54 kërkesave për një votim të tillë ishte kaluar. Votimi pritet të bëhet të hënën në mbrëmje ndërmjet orës 18 dhe 20, sipas orës lokale (midis 19:00 dhe 21:00 OEQ). “Votat do të numërohen menjëherë më pas,” shpjegoi Brady.

    Ditët e fundit presioni ndaj Johnsonit për shkak të aferës Partygate u rrit më shumë – megjithatë pritej që një mocion mosbesimi të paraqitej vetëm pas përfundimit të festimeve të 70-vjetorit në fron të Mbretëreshës Elizabeth. Raporti hetimor i nëpunëses së lartë civile Sue Grey e ka akuzuar Johnsonin për keqmenaxhim serioz: gjatë pandemisë së koronas, ai kishte festuar vazhdimisht festa, në kundërshtim me rregullat e distancimit social, dhe i kishte shpallur ato si mbledhje qeveritare.

    Në këtë kontekst, Johnsonit tashmë iu desh të paguante një gjobë duke u bërë kështu kryeministri i parë, për të cilin u bë e njohur një shkelje ligjore duke qenë në detyrë. Pasi dolën në dritë festat e fshehta, Johnsoni kërkoi vazhdimisht falje, por refuzoi me forcë të jepte dorëheqjen.

    Votimi të hënën në mbrëmje

    Mbajtja e një mocioni të brendshëm mosbesimi brenda grupit parlamentar nuk do të thotë automatikisht se Johnsoni do të humbasë postin e tij. Konservatorët kanë aktualisht 359 deputetë, që do të thotë se të paktën 180 prej tyre duhet të deklarojnë mosbesimin e tyre. Rreth 150 nga deputetët konservatorë punojnë për qeverinë, për shembull si sekretarë shteti ose si njerëz përgjegjës për sigurimin e shumicës përpara votave të rëndësishme. Komiteti i vitit 1922, nga ana tjetër, përfaqëson interesat e të gjithë deputetëve konservatorë që nuk mbajnë një post qeveritar.

    Po të rezultojë në favor të Johnsonit vota e mosbesimit, një votim i ri nuk do të ishte i mundur pa kaluar dymbëdhjetë muaj të tjerë. Votimi i fundit i tillë  në dhjetor 2018 rezultoi në qëndrimin në detyrë të kryeministres Theresa May.

    Vetë Johnsoni, sipas një deklarate nga rezidenca e tij zyrtare, e përshëndeti votimin si “një mundësi për të paraqitur pikëpamjet e tij para parlamentarëve” dhe si “një shans për t’u dhënë fund spekulimeve disa mujore”. Qeveria më pas mund të “vërë një pikë dhe të ecë përpara”. Disa anëtarë të kabinetit, duke përfshirë Ministren e Jashtme Liz Truss, Ministrin e Financave Rishi Sunak dhe Ministrin e Ndërtimit Michael Gove, tashmë kanë njoftuar se do të votojnë për Johnsonin. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Rriten çmimet nëpër kafenetë dhe restorantet e Maqedonisë

    Lajmi i rradhës

    Zgjimi europian

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë