MPB gënjen qytetarët, Regjistri Qendror thotë se emrat e ri janë në bazën e të dhënave

    Rrugët me emrat e rinj me kohë janë dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Entin Shtetëror të Statistikës dhe në Kadastër. Kështu për gazetën KOHA thonë nga Regjistri Qendror, ndërsa e demantojnë ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski se, arsyeja pse administrata e policisë nuk jep dokumente personale me emrat e ri të rrugëve, është se Vendimi i Qytetit të Shkupit i miratuar që vitin e kaluar, nuk është futur në bazën e Regjistrit Qendror.

    “Sipas Vendimit të dorëzuar për ndryshimin e emrave të rrugëve në Qytetin e Shkupit, Regjistri Qendror ka ndryshuar në bazën e të dhënave emrat e të gjitha rrugëve që ishin të përcaktuara në Vendim për ndryshim, përveç rreth 30 rrugëve, të cilat edhe pse ishin në Vendimin e Këshillit të Qytetit të Shkupit, megjithatë, nuk ishin në listën e emrave për të cilat Qeveria e Maqedonisë së Veriut kishte dhënë pëlqimin e saj”, thuhet në përgjigjen e Regjistrit dërguar gazetës KOHA . Nga ky institucion informojnë se Baza e re me ndryshimet e pësuara, me kohë i është dërguar edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Ato rrugë që tashmë Regjistri Qendror i ka ndryshuar emrat, në përputhje me obligimet tona, i kemi dërguar menjëherë në MPB, në Entin e Statistikave dhe Kadastër”, thuhet në përgjigjen e Regjistrit Qendror.

    Nga përgjigja e Regjistrit Qendror, Qytetit të Shkupit, por edhe nga Kadastra, del se MPB gënjen kur thotë se nuk i kanë pranuar emrat e ri të rrugëve, konkretisht Vendimin e Qytetit të Shkupit. Ditë më parë, për gazetën KOHA, nga KSHZ informuan se tashmë janë azhurnuar të dhënat e reja – konkretisht adresat me emrat e ri të rrugëve. Nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, deklaroi për KOHA se si KSHZ, nuk kanë nevojë që Vendimin ta kërkojnë nga Qyteti i Shkupit, kur ai publikohet në Gazetën Zyrtare. Shehu u shpreh se KSHZ i rifreskon listat zgjedhore çdo tre muaj dhe ndryshimet bëhen në bazë të letërnjoftimeve të qytetarëve. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me MPB-në, Qytetin e Shkupit dhe të gjithë institucionet tjera të përfshira. Rasti konkret me ndryshimin e emrave nga ana e Qytetit të Shkupit, nuk mendoj se do të shkaktojë probleme ditën e zgjedhjeve, pasi deri në fund të vitit të gjithë qytetarët duhet t’i ndryshojnë letërnjoftimet e vjetra me emrin e ri të shtetit dhe kështu në zgjedhjet e ardhshme të gjithë qytetarët do t’i kenë adresat e reja në letërnjoftimet e tyre”, deklaroi Shehu.

    Zyra për komunikim me opinionin në kabinetin e kryetares Danella Arsovska kanë theksuar se sipas Vendimit të Këshillit të Qytetit, janë ndryshuar emrat e 486 objekteve infrastrukturore, rrugëve, urave dhe shesheve dhe të njëjtat tanimë janë pjesë e Regjistrit Qendror. “Në Regjistrin Qendror janë zbatuar 441 ndryshime, ndërkohë që për shkak të kontestimit të 45 emrave të rrugëve, për 33 prej të cilëve Qeveria e Republikës së Maqedonisë nuk ka dhënë pëlqimin dhe 12 nuk janë zbatuar nga Regjistri Qendror me arsyetimin se nuk janë të padefinuar në vendimi”, u përgjigjën nga Qyteti i Shkupit, ndërsa konfirmuan se Vendimi tashmë është pjesë e azhurnuar në Regjistrin Qendror.

    Ndryshe, administrata e MPB-së nuk po jep dokumente personale për ata qytetarë, rrugët e të cilëve kanë pësuar ndryshim të emrit. Kjo, me arsyetim se duhet të sjellin Vërtetim nga Qyteti i Shkupit si dëshmi se me të vërtetë të njëjtit jetojnë në ato rrugë. Megjithatë, edhe pse Vendimin me emrat e ri e kanë në tavolinë, punonjësit e administratës së policisë po zgjedhin që të keqtrajtojnë qytetarët dhe t’i detyrojnë të sorollaten nëpër sportele sa në MPB e sa në Qytet të Shkupit.

    Probleme më të mëdha paraqiten për qytetarët e vendbanimeve shqiptare, siç janë ata të Sarajit, Çairit dhe Butelit. Pothuajse të gjithë qytetarët që aplikojnë për dokumente personale e që janë nga Saraji kthehen mbrapsht nga administrata e policisë, pasi të njëjtit duhet të nxjerrim Vërtetim në Qytetin e Shkupit – Vërtetim ky që, përveç kohës, kushton edhe para. Më parë, rrugët në Saraj kishin numra, ndërsa me vendimin e Qytetit të Shkupit, numrat janë zëvendësuar me emra. 

    Lajmi Paraprak

    “Ndryshimet kushtetuese politikisht janë të vështira”

    Lajmi i rradhës

    BDI: RMV njihet si faktor i stabilitetit rajonal dhe marrëdhëniet me ShBA janë në një nivel historikisht të lartë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë