Mullisët e Kosovës: Do të ngritet çmimi i bukës nëse u ngritet çmimi i rrymës fabrikave që përpunojnë grurin

    Institucione të ndryshme shtetërore, subjekte politike e palë të ndryshme të interesit kanë dërguar komente në ZRrE në lidhje me propozimet për tarifa të reja të energjisë elektrike.

    Edhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka dërguar komente në ZRrE si palë që do të goditeshin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ndonjë rritje e mundshme e çmimit të energjisë elektrike.

    Kjo shoqatë thotë se bukëpjekësit në Kosovë janë duke u ballafaquar me vështirësi të shumta viteve të fundit pas ngritjes enorme të çmimit të grurit në berzat botërore.

    Shoqata e Mullisëve thotë se për shkak të numrit të madh të furrave në Kosovë që rrjedhimisht ka sjellë konkurrencë të madhe, çmimi i bukës në Kosovë nuk është ngritur për dallim nga vendet e rajonit.

    Duke folur për zhvillimet e fundit në lidhje me paralajmërimet për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, mullisët thonë se një rritje e çmimit të rrymës për ta do të kishte ndikim të madh në koston e prodhimit të miellit.

    Rrjedhimisht ata paralajmërojnë rritje të çmimit të bukës nëse edhe fabrikat që merren me përpunimin e grurit preken nga rritja e energjisë elektrike.

    “Në koston e prodhimit të miellit ndikim të madh ka energjia elektrike. Shoqata e Mullisëve të Kosovës kërkon që të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për fabrikat që merren me bluarjen e grurit dhe misrit nga se prodhojmë lëndën e parë themelore që ndikon në standardin e popullatës dhe nëse shtrenjtohen energjia elektrike për këtë degë industriale duhet të jeni të vetëdijshëm se do të pasojë shtrenjtimi i lartë i miellit dhe i bukës si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike”, thuhet në komentin e Shoqatës së Mullisëve.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar rikthimin e bllok tarifave të energjisë.

    Konsumatorët që konsumojnë mbi 600 kilovatë do të paguajnë dyfish të çmimit aktual.

    Por sipas raportit nëse Qeveria përmbush zotimin për subvencionim prej 75 milionë eurosh (që tashme ka ndodhur), konsumatorët që shpenzojnë më pak se 600 kilovatë nuk do të kenë ndryshim të tarifave.

    Për konsumatorët që shpenzojnë 800 kilovatë me rritjen e aplikuar do të kenë një faturë prej 59.50 eurosh apo 12.31 euro më shumë se fatura që kanë paguar deri më tani.

    Kurse konsumatorët që do të konsumojnë 1000 kilovatë dhe që deri tash kanë paguar 58.52 euro do të paguajnë 83.14 euro apo një rritje prej 23.6 eurosh.

    Ndër komentet e dërguara në ZRrE është edhe ai nga Lëvizja Vetëvendosje.

    LVV me këtë rast ka bërë propozimin e një strukture të re tarifore.

    “Blloku i parë  tarifor deri në 800 kilovat i cili mbulohet nga prodhime i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës”.

    “Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet nga subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së që përfshinë mbi 23% të amvisërive”.

    “Ne propozojmë edhe bllokun e tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, thuhet në propozimin e LVV-së.

    Lajmi Paraprak

    Juve shënjestron dy emra në rast të largimit të Dybalas

    Lajmi i rradhës

    Ministri Shaqiri: Gjithmonë kam qenë për mësim me prezencë fizike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë