Mungon Regjistër për fëmijët me autizëm

    Dita Ndërkombëtare e Autizmit është shënuar edhe në Universitetin e Tetovës. Me këtë rast është organizuar një tryezë e rrumbullakët nga ana e Fakultetit Pedagogjik. Profesoresha Jasmina Troshanska, tha se në këtë shtet është shumë vështirë të jesh prind i një fëmije me autizëm. Sipas saj, në vend mungon një regjistër për këta persona që më pas të duhet se si të punohet që të kenë kushte më të mira për trajtimin e tyre.

    “Krahas asaj që është shumë rëndë të jesh prind i një fëmije me autizëm, poashtu është rëndë të jesh edhe edukatore speciale, sepse roli gradualisht ndryshon.Është bërë një proces inkluziv, ku të gjithë fëmijët ndjekin procesin mësimor dhe ne shumë vështirë përballemi me këtë situatë. Duhet që të bëhet një regjistër, sepse nuk e dimë sa është numri i fëmijëve me pengesa, pra për shembull, në shtator të gjithë fëmijët do të nisin procesin mësimor, kurse ne nuk e dimë se sa është numri i tyre, sa asistentë do të jenë të nevojshëm. Nuk e dimë sa fëmijë kanë nevojë për intervenim të hershëm dhe fëmijë do të kenë nevojë për trajtim”, tha profesoresha Jasmina Troshanska.

    Në ndërkohë, Agnesa Besimi është shprehur se për dallim nga e kaluara, kohëve të fundit vetëdija ka filluar të rritet për përkujdesje ndaj fëmijëve më autizëm.

    “Kemi mbetur vetëm tek rritja e vetëdijes, pra mirë e kemi rritur vetëdijen por çka do të bëjmë tutje, Jo vetëm të risim vetëdijen, por çka do të bëjmë më tutje. Duhet të marrim më shumë masa që edhe ata ta kenë jetën sa më të lehtë dhe më të mirë në shoqërinë tonë. Është me rëndësi që të diagnostifikohen dhe më pas të kemi një regjistër të fëmijëve me autizëm sepse kjo do të jenë kyçe që të dihet çfarë masa të merren, çfarë trajtimi dhe çfarë mënyre ato do të trajtohen në vendin tonë”, tha profesoresha Agnesa Besimi.

    Por, a ekziston diskrinimin ndaj personave me autizëm? Profesoresha Agnesa Besimi nënvizon se duhet më shumë të punohet në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për këta persona.

    “Deri diku mund të themi se kemi diskriminim. Në këtë kohë, këta fëmijë janë më shumë të pranuar në shoqëri se në të kaluarën.Por, nuk janë dhënë të gjitha kushtet që u nevojiten për një person me autizëm që të përparojë dhe të shfaq të gjitha aftësitë që ka”, nënvizoi profesoresha Agnesa Besimi.

    Në ndërkohë, Dita Ndërkombëtare e Autizmit është shënuar edhe në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël, e organizuar nga shoqata për ngritjen e vetëdijes psiko-sociale “Imago-Plus”, me mbështetje të komunës së Tetovës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Shqipja” shqetëson partitë maqedonase!

    Lajmi i rradhës

    Disa kokrra luleshtrydhe ndihmojnë në mbrojtjen e zemrës tuaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë