“Shqipja” shqetëson partitë maqedonase!

    Ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, duhet ta zgjidhin edhe statusin e gjuhës shqipe, e cila aktualisht është e përkufizuar si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës që jeton në këtë shtet. Një kërkesë e këtillë është përsëritur nga vazhdimësi nga partitë politike shqiptare, por është refuzuar nga partitë maqedonase.

    Sipas tyre, kjo do ta bënte shtetin binacional, por kundërshtimin e tyre e kanë arsyetuar edhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit që, sipas tyre, përmban një përkufizim të tillë. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha më 28 mars se pos për përfshirjen e bullgarëve dhe të etniteteve të tjera në Kushtetutë, grupi i ekspertëve mund të diskutojë edhe për formulimin “prej 20 për qind” për gjuhën shqipe, si dhe çështje të tjera, për të cilat ka lëshime në Kushtetutë. “Mund të punojnë për ndryshimin e Kushtetutës, jo vetëm në pjesën e preambulës, por edhe të çështjeve tjera të hapura si pjesa që ka të bëjë vakumin institucional siç patëm rastin kur nuk kishte kush të firmoste vendimin për eurobondin. Kemi edhe situatën e pandemisë kur kishim Kuvendin e shpërndarë dhe nuk mund të mblidhej për të sjellë vendime të rëndësishme”, tha Lloga.

    Në këtë drejtim, Lëvizja Besa, parti kjo në opozitë, kërkon që gjuha shqipe të gjejë zgjidhje të përhershme në Kushtetutë pasi formulimi aktual në Kushtetutë sipas kësaj partie, është nënçmues dhe nuk përkon me vlerat evropiane. “Integrimi në Bashkimin Evropian nënkupton që qytetarët e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe shqiptarët, duhet të integrohen në union si qytetarë të barabartë. Prandaj, ne vlerësojmë që kërkesa jonë është plotësisht kompaktibile që bashkë me futjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës – me çka Maqedonia e Veriut e zgjidh problemin e gjuhës maqedonase përballë Bullgarisë – të ndryshojë edhe përcaktimi për gjuhën shqipe. Pra, gjuha jonë të definohet si gjuhë shqipe dhe jo si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë. Ne besojmë se kjo kërkesë do të gjejë përkrahje te partitë maqedonase”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

    Ndryshimet kushtetuese edhe për çështje tjera nuk i përjashton kryeministri Dimitar Kovaçevski. Por, ai thotë se prioritet në këtë fazë janë ato për përfshirjen e bullgarëve në preambulë. “Me siguri se do të paraqiten edhe ide të tjera sa i përket ndryshimeve kushtetuese, pasi edhe ministri i Drejtësisë e theksoi se ka disa aspekte procedurale që duhet të shqyrtuar e që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve. Mirëpo, me rëndësi për momentin i kemi ndryshimet kushtetuese në pjesën e preambulës për përfshirjen e pakicës bullgare në të”, tha Kovaçevski.

    Kërkesa për definimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, sipas Bashkimi Demokratik për Integrim, mund të polarizojë shoqërinë. BDI-ja, që është pjesë e Qeverisë, thotë se prioritet duhet të ketë vetëm pjesën që ka të bëjë me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, për të mos e bllokuar procesin e integrimit në BE. “Ne duhet të përqendrohemi vetëm në ndryshimet kushtetuese që janë të lidhura me vazhdimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe ky proces nuk duhet të ngarkohet me çështje tjera politike që do të polarizonin edhe më shumë shoqërinë”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme dhe zëdhënës i BDI-së.

    Ndryshimet kushtetuese të vijojnë sipas modelit të kushtetutës së Kroacisë. VMRO-DPMNE fuqishëm qëndron prapa këtij qëndrimi. Opozita maqedonase pajtohet që preambula të shënojë qartë se shteti i takon nacionalitetit maqedonas dhe pakicave të tjera, rrjedhimisht partia e Mickovski nuk dëshiron t’i ndryshohet shtetit karakteri unitar. “I bëjmë ofertë publike pushtetit që gjatë ndryshimit të kushtetutës ta pranojmë në tërësi modelin kroat për ndryshimin e preambulës. Ja si do të dukej preambula nëse do të merrej parasysh preambula kroate Maqedonia e Veriut është shtet nacional i popullit maqedonas  dhe shtet i pjesëtarëve të pakicave nacionale, shqiptarë, turq, romë, vllehë, boshnjakë, të cilët janë shtetas të vendit dhe  ju garantohen të drejta të barabarta më popullin maqedonas dhe realizim të të drejtave nacionale në pajtueshmëri me normat demokratike të OKB-së”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

    Për ASH-në oferta e VMRO-së është mosnjohje absolute e realitetit apo e qëllimshme për pikë elektorale. Ftojnë Mickoskin të gjejë gatishmëri  në heqjen  e terminologjisë së 20% e cila për Aleancën është fyese ndaj gjuhës së bashkëqytetarëve. “Koha e dominancës së një etniteti  në RMV  ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Cilësimi i shqiptarëve në propozimin e tyre si pakicë kombëtare edhe njëherë tregon  se mentaliteti i tyre është kthyer dekada pas dhe kjo është për keqardhje”, thonë nga ASH-ja.

    Ndërkaq, kërkesën e ASH-së për heqjen e 20% analistët e shohin si legjitime pasi vetë Aleanca tërë kauzën e saj politike e ka ndërtuar mbi këtë çështje, e tani nëse s’do të mund realizojë, si subjekt politik mund të ketë pasoja politike. “Kërkesa e ASH-së është e drejtë dhe legjitime pasi mbi këtë ide është ngritur kjo parti në tre vitet e fundit. Nëse do të dështojë dhe BDI dhe LSDM do të bëhen në një anë, atëherë ASH-së i digjet kauza dhe do ta ketë rëndë të dalë para elektoratit të saj. Pra nuk e presin ditë të mira nëse nuk arrin të imponohet aty në qeveri, ndryshe BDI dhe LSDM më këtë taktikë dëshirojnë t’i bëjnë trysni ASH-së dhe  paralelisht ta reduktojnë fuqinë e ASH-së në qeveri dhe ta bëjnë një parti të parëndësishme. Andaj është mirë që ASH, Taravari dhe Sela në prapaskenë të mendojnë rreth taktizimeve të mundshme me partnerët e koalicionit rreth heqjes së 20 përqindëshit. Ndryshe ASH do të mbetet në histori nëse nuk do të arrijë të kapitalizojë këtë ide origjinale qe e mban në këmbë”, ka deklaruar për KOHA, Selim Ibraimi, analist.

    Ndryshimet kushtetuese janë në fazën përgatitore dhe duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike. Për këto ndryshime duhet të votojnë dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen. /koha/

    Lajmi Paraprak

    USHQEHEMI NGA JASHTË! | RMV nuk ka industri të mjaftueshme ushqimore

    Lajmi i rradhës

    Mungon Regjistër për fëmijët me autizëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë