NDËRTIMI I KORRIDORIT 8 | 650 milionë euro për ndërtimtarët vendorë

    Kompanitë ndërtimore në Maqedoni me vite ankohen se nuk mund të marrin pjesë në realizimin direkt të kontratave të mëdha ndërtimore në vend, që janë të destinuara për kompanitë e huaja. Edhe tenderët e vlefshëm me qindra miliona euro dhe kushtet e tyre që kërkojnë kapital të madh, garanci bankiere dhe të ngjashme nuk janë në favor të ndërtimtarëve vendor. Andaj kompanitë vendore ndërtimore marrin pjesë si nënkontraktues në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore. Edhe projektin e vlefshëm më shumë se 270 milionë euro Demir Kapi-Smokvicë në konkurrencën e 15 kompanive e fitoi kompania greke Aktor në vitin 2011, që përfundoi në vitin 2018. Njëherësh edhe para 12 viteve ndërtimtarët vendor ankoheshin se kushtet e tenderit ishin të paarritshme për kompanitë vendore.

    Projektin më të madh deri tani në Maqedoni për ndërtimin e korridorit e tetë apo nga Gostivari deri në Kërçovë, Strugë-Qafëthanë, zgjerimin e rrugës Tetovë-Gostivar dhe ndërtimin si autostradë të aksit Manastir-Prilep, e fitoi kompania Behtel-Enka për së paku 1.3 miliard euro. Pritet që nga ky kulaç në bazë të kushteve të tenderit, që gjysma apo mbi 650 milionë euro të përfitojnë kompanitë vendore.

    Nga Ministria e Financave thonë se efekti i drejtpërdrejtë i ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10-d mbi Produktin e Brendshëm Bruto të vendit vlerësohen në 2 për qind më shumë në nivel vjetor, gjatë realizimit të projektit. Bile investimet e bazuara në këto projekte në bazë vjetore, lëvizin nga 240 deri në 320 milion euro në harkun kohor të katër viteve apo nga viti 2023 deri më vitin 2027.

    Ministri i Financave, Fatmir Besimi thotë se përfitime financiare nga realizimi i këtyre korridoreve do të kenë si kompanitë vendore ashtu edhe qytetarët. “Rreth 50 për qind e punimeve të ndërtimit në këto rrugë do të realizohen nga ndërmarrjet vendore, të cilat mbi këtë bazë do të përfitonin rreth 700 milionë euro. Efekt shtesë në ekonomi do të ketë edhe rritja e kërkesës në industri të caktuara që do të jenë përkrahje për ndërtimin, si prodhimi i materialeve të ndërtimit, bujqësia, ushqimi dhe produktet ushqimore, transporti, deponimi dhe veprimtari të tjera të shërbimit”, thekson Besimi. Sipas tij, në nga përfitimet më të rëndësishme janë edhe vendet e reja të punës.

    Angazhimi i nënkontraktuesve dhe fuqisë punëtore vendore do të ketë ndikim pozitiv në tregun e punës në vend, me ç’rast do të ulet shkalla e papunësisë. Vlerësimet tregojnë se rreth 3.000 punëtorë nga industria e ndërtimit do të angazhohen drejtpërdrejt për ndërtimin e autostradave, si dhe mbi 5.000 punëtorë do të angazhohen në mënyrë indirekte nga industri të tjera. Gjithashtu, popullsia do të ketë përfitime financiare nga eksproprijimi i tokës, ku parashihen rreth 210 milionë euro. Këto mjete do tu paguhen qytetarëve, toka e të cilëve do të jetë lëndë e tjetërsimit, si dhe do të kontribuojnë në rritjen e fuqisë konsumatore të këtyre qytetarëve.

    Nga ana tjetër përfaqësues të biznesit të ndërtimtarisë thonë se nuk kanë qasje ndaj kontratës së organeve kompetente me partnerin strategjik, që përcakton sipas zgjidhjes ligjore obligimin që partneri strategjik të shfrytëzojë së paku 51 për qind të resurseve lokale.

    “Vlerësojmë se kjo dispozitë ligjore është shumë e përgjithshme, ndërsa ofensivën e paralajmëruar ndërtimore për hapjen e hapësirës për zhvillimin e operativës ndërtimore vendore , duhet interpretuar si një detyrim që kompanitë vendore të ndërtimit të angazhohen në projektimin dhe ndërtimin e seksioneve rrugore të korridoreve 8 dhe 10, thotë Andrea Serafimovski, kryetar i Shoqatës së Ndërtimtarisë, pranë Odës Ekonomike.

    Nga Shoqata e ndërtimtarisë thonë se kompanitë e Maqedonisë duhet të jenë shtylla apo bartëse në realizimin e punimeve ndërtimore, dhe jo të kenë rol dytësor në punët ndërtimore.

    Ndërmarrjet vendore të ndërtimit thonë se angazhimi i konsorciumit italian “IRD Engineering” për të mbikëqyrur punën e konsorciumit amerikano-turk “Bechtel dhe Enka” që do të ndërtojë korridoret 8 dhe 10 vetëm sa vazhdon praktikën aktuale të largimit të subjekteve vendore.

    Ata theksojnë faktin se pavarësisht se kemi personel të dëshmuar nga të gjitha fazat e ndërtimit, përfshirë edhe mbikëqyrjen, me referenca të shumta që janë konkurrues dhe punojnë në tregun e huaj, ata nuk mund të zbatojnë njohuritë dhe përvojën e tyre në tregun vendor. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Demenca digjitale te të rinjtë

    Lajmi i rradhës

    Pak për partinë, pak për qytetin!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë