NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Maqedonasit “kundër”, shqiptarët “pro”

    Dy të tretat e numrit të përgjithshëm të të anketuarve (65%) nuk pajtohen me ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të përfunduar fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim. Nëse analizohet përkatësia etnike, shumica prej 80% e maqedonasve etnikë janë kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 53% e të anketuarve të identifikuar si shqiptarë etnikë mbështesin ndryshimet kushtetuese. Këtë e tregon Analiza e Opinionit Publik të përgatitur nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” dhe Fondacioni Konrad Adenauer, i cili titullohet “Evropa në krizë.Pasojat ndaj opinionit publik në Maqedoninë e Veriut”. Pavarësisht se ndryshimet kushtetuese për futjen e pakicave të reja, veçanërisht të pakicës bullgare, janë të nevojshme për hapjen e kapitujve, pothuajse dy të tretat e qytetarëve (65%) nuk janë dakord me to.

    Në të kundërt, një e katërta e të anketuarve (26%) besojnë se pakicat duhet të përfshihen në Preambulën e Kushtetutës së Shtetit. Një pyetje e ngjashme u është bërë edhe të anketuarve të vitit të kaluar, kur ata janë pyetur nëse janë dakord me ‘lëshimet në lidhje me pakicën bullgare për të vazhduar në procesin e integrimit evropian’. Përqindja e përgjigjeve “jo” mbetet afërsisht e njëjtë (64% në 2021, kundrejt 65% në 2022), gjë që tregon se qytetarët nuk kanë ndryshuar shumë opinionin e tyre gjatë vitit të kaluar.

    Anketa tregon se më shumë se dy të tretat (69%) e të anketuarve besojnë se përshkrimi për gjuhën zyrtare duhet të mbahet në formën e tanishme, përkatësisht gjuha zyrtare është maqedonishtja dhe ajo e folur nga 20% e popullsisë. Shqiptarët etnikë kanë mendime të ndara në lidhje me përshkrimin e një gjuhe zyrtare në Kushtetutë. Pothuajse gjysma e tyre (47%) mendojnë se duhet ndryshuar në “gjuhët zyrtare janë maqedonishtja dhe shqipja”. Anketa e vitit 2022 u krye nëpërmjet anketës telefonike nga data 17-30 nëntor, duke anketuar 1.005 qytetarë. Bëhet fjalë për dy pyetësorë – në të parin, i cili ndjek trendet e vitit 2014, vërehet një nivel rekord i ulët i besimit të qytetarëve të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Pra, këtë vit 64 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit në BE, nëse do të mbahej referendum javën e ardhshme, që është katër për qind më pak se në vitin 2021, kur 68 për qind e qytetarëve u pajtuan për anëtarësim në BE. Por në të njëjtën kohë, këtë vit ka një përmirësim të perceptimit të Unionit si një identitet me ndikim dhe si aleati më i mirë i vendit.

    PARTNERËT EKONOMIK

    Lufta në Ukrainë, kriza ekonomike dhe problemet bilaterale me Bullgarinë tregojnë se është e nevojshme që vendi të ketë bashkëpunim dhe iniciativa me vende të tjera. Maqedonia e Veriut nuk është imune ndaj ndikimeve të jashtme, veçanërisht në vitet e zhvillimeve të mëdha politike. Shpresa kërkohet shpesh në iniciativat rajonale, por nuk po shuhen as idetë për një lloj tjetër aleancash globale, thekson analiza. Gjysma e të anketuarve (49%) besojnë se Bashkimi Evropian duhet të jetë partneri kryesor ekonomik i vendit. Partneri i dytë tregtar më i preferuar janë Shtetet e Bashkuara (21%). Pas një rënie të konsiderueshme në vitin 2021 (22%), këtë vit pothuajse shumica e të anketuarve (46%) e konsiderojnë BE-në si donatorin më të madh të vendit.

    Shumica e qytetarëve (53%) mbeten të vendosur në mendimin e tyre se një alternativë si Bashkimi Euroaziatik nuk është e dëshirueshme. Këto të dhëna janë konfirmuar në tre vitet e fundit. SHBA-ja është treguar si faktori me ndikimin më të madh nga shumica e të anketuarve (52%) dhe tregon një rritje nga viti i kaluar (45%). Një rritje nga viti i kaluar vërehet edhe në Bashkimin Evropian (9% në 2021, kundrejt 21% në 2022). Një e treta e të anketuarve (32%) e konsiderojnë BE-në si aleatin më të madh të vendit, e ndjekur nga SHBA-të me 17%. Aleati i tretë i treguar është Serbia fqinje me 10%, përpara Rusisë dhe Gjermanisë me 9% dhe Turqisë me 7%. Të anketuarit vlerësojnë shumë mundësitë e ofruara nga nismat rajonale të mbështetura nga BE-ja dhe Gjermania, si mundësia e punës për një periudhë më të gjatë në çdo vend nga Ballkani Perëndimor (59%), mundësia e lëvizjes së lirë (72%) dhe pranimi të diplomave në të gjithë Ballkanin Perëndimor (72%).

    NDASI RRETH LUFTËS NË UKRAINË

    Të anketuarit janë të ndarë rreth qëndrimit se “sulmi ndaj Ukrainës është një reagim ndaj provokimeve të NATO-s që Rusia nuk mund t’i injoronte”. Gjysma (51%) e të anketuarve deri diku pajtohen me këtë tezë, ndërsa 38% nuk ​​pajtohen. Shumica e të anketuarve (55%) pajtohen plotësisht se vetëm negociatat, dhe jo një fitore e Rusisë apo Ukrainës, janë zgjidhja e luftës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pse qëndrojnë në shtëpi gjysma e grave urbane të Indisë?

    Lajmi i rradhës

    Alarmet e rreme për bomba nëpër shkolla, shkakton nervozë te prindërit, nxënësit dhe mësuesit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë