Ndryshimet Kushtetuese | Ministrat e BE-së nuk e ndryshuan mendjen e Mickoskit

    Tre ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së që qëndruan në Shkup një ditë më parë në emër të përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme Xhozef Borell, nuk arritën t’ia ndryshojnë mendjen kreut të opozitës Hristijan Mickoski për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Mickoski thotë se përgjegjësia për vonesat eventuale në integrimin e vendit në BE do të jetë e pushtetit.

    “Ndryshimi i Kushtetutës nuk është kriter për izolim të Maqedonisë. Nga ana tjetër, nga të tre ministrat mora siguri se në asnjë moment nuk e kanë përdorur fjalën izolim por kanë thënë se do të ketë vonesa, prolongim të procesit. Prolongim të procesit do të ketë sepse qeveria e Kovaçevskit ka firmosur marrëveshje nën diktat bullgar të cilin nuk e pranon populli dhe është jashtë konsensusit politik. Fajtori kryesor, nëse Maqedonia vonon në këtë proces, është kjo qeveri kriminele sepse përveç që firmos marrëveshje me sy mbyllur, vjedh shumë dhe është e paaftë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Tre ministrat e Jashtëm, Shalenberg i Austrisë, Lipavski i Çekisë dhe Vllahovski i Sllovakisë kërkuan konsensus nacional mes liderëve për vendimet që kanë të bëjnë me BE-në. Ata thanë se zgjedhjet e parakohshme eventuale do të ishin regres.

    “Ne theksuam se përpjekja për të fituar pikë politike që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe zgjedhjet e mundshme parlamentare do të jenë skajshmërish kundërproduktive. Të gjithë liderët duhet të dëshmojnë lidership varësisht ndarjeve në popullsi dhe të dalin me një konsensus për këtë çështje”, u shpreh Mirosllav Vllahovski, ministër i Jashtëm i Sllovakisë.

    “Ne jemi të bindur se asnjëherë më nuk do të ketë kushte më të favorshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE se sa që ka tani. Jam i bindur se zbatimi i ndryshimeve kushtetuese do t’i hapë rrugën anëtarësimit në BE. Sa më shpejt të miratohen amendamentet, aq më shpejt Maqedonia e Veriut mund të hyjë në BE. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur të parandalojmë kërkesa të tjera për çështje të hapura bilaterale”, theksoi Jan Lipavski, ministër i Jashtëm i Çekisë.

    Në kuadër të vizitave të intensifikuara diplomatike për të inkurajuar mbështetjen për ndryshimet kushtetuese, javën e ardhshme në Shkup do të qëndrojnë edhe tre ministra për Evropë, i Gjermanisë, i Francës dhe i Polonisë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    OKB: Afër 300 fëmijë vdiqën gjatë kalimit të Mesdheut

    Lajmi i rradhës

    Sindikatat ndryshuan mendje, zhbëhet ujdia për rritje të pagave!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë