Pa ndryshimet kushtetuese nuk mund të vazhdojë procesi aderues, theksoi shefja e diplomacisë gjermane, Anallena Berbok, pas takimit me ministrin Timço Mucunski në Berlin. Edhe përkundër porosive nga Bullgaria se dialogu për procesin eurointegrues duhet të udhëhiqet me Bruksel, e jo me Sofjen, Mucunski theksoi se po pritet Qeveri e re te fqinjët. Ai shtoi se pushteti është i vetëdijshëm për nevojën nga kompromisi që shteti të hapërojë përpara, por edhe përkundër kompromiseve të deritanishme, Maqedonia vazhdimisht ka pasur pasiguri në rrugën drejt BE-së.
“Të jemi proaktivë, të ofrojmë zgjidhje, të ofrojmë propozime…shpresojmë se pas zgjedhjeve në Bullgari do të formohet qeveri politike dhe me atë qeveri bashkërisht të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje racionale për të ardhmen e rajonit”, tha Timço Mucunski – ministër i Jashtëm.
“Proceset më të rëndësishme integruese ndodhin kur ata që kanë përgjegjësi politike kanë guxim që të dalin kundër mendimit publik. Ne bashkërisht mundemi t’i nxisim çështjet e hapura mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por rregullat janë të tilla dhe tani për tani vendimet sillen me njëzëshmëri”, u shpreh Analena Berbok – ministre e Jashtme e Gjermanisë.
Kryeministri Mickoski pas takimeve të shumta dypalëshe që i zhvilloi gjatë procesit të Berlinit, mes të cilave edhe takimin me kancelarin Olaf Sholc, tha se është optimist i madh krahasuar me periudhën e mëparshme.
“Jam i bindur se pas kësaj vizite në Berlin dhe pas këtij samiti, përfundimisht edhe ne së shpejti do të jemi pjesë e familjes europiane”, theksoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Mickoski paraprakisht paralajmëroi se pas vizitës në Berlin do të përpilojë letër me propozim zgjidhje për zhbllokim të procesit eurointegrues, që do t’ia dërgojë Brukselit. /TV21/