Punimet e realizuara nga duart e arta të fëmijëve me paralizë cerebrale, sot u shiten me çmime të ndryshme.
“Më jep dorën të ecim së bashku” është motoja e qendrës “Savant” të cilët sot organizuan shitjen e punimeve të fëmijëve me paralizë cerebrale. Dhe i gjithë qëllimi i shitjes së vizatimeve dhe punimeve të ndryshme që këta fëmijë realizuan, është që të ngritët vetëdija e filantropisë në vendin tonë dhe të ndihmohen edhe më shumë këta fëmijë. Paratë e grumbulluara nga kjo shitje do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve tjerë me paralizë cerebrale por edhe fëmijëve të tjerë me nevoja ndryshe.
“Numri në përgjithësi i të gjithë fëmijëve me pengesa në zhvillim është aq alarmant sa që në shoqërinë tonë duhet të ngritët zëri vazhdimisht dhe të bëhen aktivitete dhe projekte të ndryshme të cilët do të ndihmojnë që fëmijët të pranojnë fëmijët e tjerë, prandaj pikërisht edhe ky emër i projektit tonë është
“Më jep dorën të ecim së bashku” që do të thotë që të gjithë fëmijët të pranojnë tjerët sepse më të vërtetë numri i tyre nuk është i vogël”, tha Hatixhe Sefa – Kryetare e qendrës “Savant”.
Ky projekt ka për qëllim mbledhjen e donacioneve të cilat shkojnë për sigurimin e kushteve dhe po ashtu për aktivitete të tjera të cilat do të realizohen me fëmijët me pengesa në zhvillim.
“Populli ynë është mjaft solidar dhe humanitar dhe çdoherë kyçet në aktivitete kur vërtetë ka nevojë, por janë aktivitete adhok, kur ka zjarre, apo dikujt i nevojitet përkrahje humanitare, populli jonë këtë e njeh dhe ndihmojnë financiarisht por atë që ne e bëjmë në Konekt është që të nxisim filantropinë strategjike, pra njerëzit të dhurojnë donacione në organizata të cilat punojnë me një grup më të madh të komunitetit”, u shpreh Irina Haxhimitova – Udhëheqëse e projektit në Konekt.
Qendrën “Savant” në Shkup e vizitojnë rreth 130 fëmijë me nevoja ndryshe ndërsa qëllimi kryesor i aktiviteteve nga kjo qendër është ngritja e vetëdijes tek qytetarët që këta fëmije të kenë vendin e merituar në shoqëri. Sipas të dhënave të Lidhjes Nacionale dhe organizatave që merren me këtë problematikë, 3 në 1000 banorë vuajnë nga paraliza cerebrale. /Alsat/