Ndryshimi më i madh, pas konfliktit të 2001

    Maqedonia e Veriut që nga pavarësia e saj në vitin 1991 deri më sot, e ka ndërruar 8 herë Kushtetutën. Në janar të vitit 1992, Kuvendi miratoi ndryshimin, me të cilin vendi detyrohet që të qartësoje pozicionin e tij kundër pretendimeve territoriale ndaj shteteve fqinje, që në atë kohë ishte kërkesë e Greqisë, si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi emrin. Në amendamentin e parë dhe të dytë që u bënë pjesë e Kushtetutës theksohej se Maqedonia nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje dhe se nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme.

    Ndryshimi i dytë i Kushtetutës ndodhi në korrik të vitit 1998. Me ketë ndryshim u vendos ulja e afatit të paraburgimit, i cili deri atëherë ishte i pakufizuar: Në nëntor të vitit 2001 ndodhi ndryshimi i tretë, që ishte ndryshim i madh pasi rimodelonte rrënjësisht sistemin politik dhe juridik kushtetues të vendit, që ishte pasojë e luftës së ish-UÇK-së dhe ballafaqimit të saj e aparatin shtetëror. Ndryshimet përfshinë 15 amendamente. Me miratimin e tyre ndër të tjera Maqedonia konstituohej si shtet i pavarur dhe sovran, rregullohej përdorimi zyrtar i gjuhëve, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në organet e administratës së shtetit dhe atë publike. Mundësohej barazi kushtetuese dhe ligjore midis të gjitha bashkësive fetare, rregullohej votimi i dyfishtë, përkatësisht u përfshi parimi i Badenterit në sistemin kushtetues. Në dhjetor të vitit 2003 u bë ndryshimi i Kushtetutës për të katërtën herë. U miratua amendamenti i 19, i cili trajton sigurinë e komunikimeve të qytetarëve. I pesti ndodhi në dhjetor të vitit 2005 kur u miratuan 10 amendamente nga XX deri në XXX, me të cilat sigurohet pavarësia juridike e prokurorisë dhe e sistemit gjyqësor në tërësi, ndërsa për këtë qëllim themelohet Këshilli Gjyqësor Republikan.

    Ndryshimi i gjashtë u bë në janar të vitit 2009, me të cilin ulej pragu i pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet presidenciale, edhe atë nga 50 në 40 për qind. Ndryshimi i shtatë ndodhi në 12 prill të vitit 2011 për të drejtën e shtetësisë.

    Ndryshimi i tetë dhe i fundit u bë pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës. Në 11 nëntor të vitit 2019, Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese, me të cilat i jepej fund problemit tre dekadash të emrit me Greqinë. Dhe pas tejkalimit të kontestit, radha i erdhi problemit me Bullgarinë. Në vitin 2017 Shkupi dhe Sofja firmosën Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes dy vendeve, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që Bullgaria të lejojë procesin e integrimit evropian. Në samitin e BE-së në vitin 2020 për shkak të vetos bullgare, Maqedonia e Veriut nuk mori datën për nisjen e negociatave. Sofja kërkoi nga Shkupi që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    BDI tërësisht mbështet ndryshimet kushtetuese për Maqedoninë europiane

    Lajmi i rradhës

    “Në Kuvend nuk ka shumicë për ndryshimet kushtetuese! Zgjidhja janë zgjedhjet”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë