Në gjimnazin e Dibrës, prindërit nuk kanë interes për suksesin e fëmijëve të tyre

    Fillimi i vitit shkollor dhe problemet në shkollën e mesme komunale të vetme në Dibër “28 nëntori”, ishin temë debate në Këshillin të komunës Dibër, meqë u shqyrtuan raporti i punës dhe plani i punës në këtë institucion arsimor. Në debat mes tjerave këshilltarët kërkuan të kthehen uniformat të nxënësve në këtë shkollë, por njëkohësisht si shqetësim nga ana e përfaqësuesve të gjimnazit u prezantua edhe vlerësimi se kohëve të fundit dukshëm ka ra interesimi i prindërve për fëmijët e tyre.

    Duke marrë parasysh faktin se mes nxënësve në shkollën e mesme komunale “28 Nëntori”, ka nxënës të kategorive të ndryshme sociale, këshilltarët të komunës Dibër ishin të një zëri që të kthehen uniformat të nxënësve në shkollën e mesme në Dibër.

    Këshilltari Emin Vërzivolli tha se është mirë që ashtu siç ka qenë më parë, tani në këtë vit shkollor drejtoria e shkollës në bashkëpunim me prindërit dhe nxënësit të vendos që nxënësit përsëri t’ju kthehen uniformave të tyre.

    Sipas tij kthimi i uniformave është një vendim, shumë pozitiv me qëllim që nxënësit të mos dallohen kur është në pyetje veshja e tyre meqë një pjesë e nxënësve kanë fuqi ekonomike familjare por ka të tjerë të cilët nuk e kanë mundësinë që të ndërrojnë për çdo ditë veshjet e tyre siç bëjnë moshatarët tjerë, që janë nga familjet me standard të lartë. Kërkesa e Vërzivollit u përkrah nga të gjithë këshilltarët të cilët poashtu potencuan se në kohën kur në Dibër në këtë shkollë mbaheshin uniformat nxënësit ishin më të barabartë se sa tani.

    Por, nga ana e drejtorit të shkollës së mesme komunale “28 nëntori”, Ramadan Imeri u dhanë disa sqarime rreth kësaj kërkese.

    “Unë jam tërësisht dakord me kërkesën që të kthehen uniformat e nxënësve në institucionin arsimor ku unë jam udhëheqës. Ka patur iniciativa të tjera të ngjashme por në takimet që kemi patur me prindërit kur kërkohen mjetet për uniformat gjithmonë ka pas reagime negative edhe pse ka nxënës në gjimnaz të cilët hapërojnë me atlete që kushtojnë mbi 10 mijë denarë. Por para këshillit them se këtë kërkesë do ta prezantoj në këshillin e shkollës me qëllim që ajo të zbatohet”, tha drejtori i shkollës, Ramadan Imeri .

    Por, sipas drejtorit të shkollës, në procesin edukativo arsimor në gjimnazin e Dibrës paraqitet mosinteresimi i prindërve për të parë suksesin e fëmijëve të tyre. Ne kemi një problem me pjesëmarrjen të prindërve në mbledhjet prindërore por edhe në këshillin e shkollës. Vetëm një numër i vogël i prindërve shpreh interesim të jenë prezent në mbledhjet prindërore.

    “Ka një ulje drastike të prindërve të cilët vijnë dhe marrin pjesë në mbledhje prindërore. Problemi është akut dhe kërkon zgjidhje. Trekëndëshi profesor-nxënës-prindër duhet të funksionojë, dhe pa funksionimin e tij nuk mund të kemi suksese të mëdha”, tha drejtori Imeri para anëtarëve të këshillit të komunës Dibër.

    Duke dhënë sqarime rreth punës së gjimnazit ai potencoi se viteve të fundit ka një ulje të lehtë të numri të nxënësve por shtoi se ka një rritje të suksesit të tyre. Në krahasim me vitet e kaluara suksesi i nxënësve ka qenë 3.65, që do të thotë shumë më i lartë se para një dekade. Kjo shkollë është shkolla e vetme e mesme që funksionon në komunën e Dibrës dhe mësimi mbahet në dy gjuhë, shqip dhe gjuhën maqedonase. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski: opozita shqiptare kundërshton BE-në

    Lajmi i rradhës

    (Pa)siguria në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë