Në Pollog nuk ka njësit të specializuar për largimin e gjarpërinjve nga objektet e banimit, këtë funksion e kryen njësia e zjarrfikësve

    Krahas shumë punëve që kryejnë pjesëtarët e njësisë së zjarrfikësve të Tetovës, ata poashtu gjatë kësaj periudhe merren edhe me largimin e gjarpërinjve nga objektet e banimit, automjete dhe lokale të ndryshme afariste. Janë me dhjetëra raste kur këta pjesëtarë të zjarrfikësve duhet që të largojnë këta zvarranikë të cilët kohëve të fundit gjithnjë e më shumë hasen në rajonin e Pollogut.

    “Kemi intervenuar në dhjetëra raste, në banesa, në shtëpi por më shumë raste kemi në automjete, pra ne si njësi e zjarrfikësve e kryejmë edhe këtë punë duke iu dalur në ndihmë qytetarëve. Kemi mjete të specializuara për kapjen e tyre. Institucion tjetër që merret me këtë dukuri në Tetovë nuk ka”, thotë Avni Ameti, zëvendëskomandant i njësisë së zjarrfikësve.

    Në ndërkohë, mjekët nënvizojnë rastet e kafshimit të qytetarëve nga zvarranikët shënojnë rënie. Nga reparti i kirurgjisë potencojnë faktin se qytetarët janë më të kujdesshëm.

    “Ka raste të kafshimit nga zvarranikët por krahasuar me vitet e kaluara, gjithnjë kemi ulje të këtyre rasteve. Kjo, falë kujdesit të popullatës gjatë lëvizjes nëpër sipërfaqet malore, pra kemi një emancipim të popullatës në këtë drejtim dhe kemi arritur që të kemi më pak raste gjatë këtij viti”, thotë Ylber Besimi, kirurg.

    Nga njësia e zjarrfikësve të Tetovës thonë se kanë pajisje adekuate që të largojnë gjarpinjtë qoftë nga objektet e banimit ose nga automjetet. Apelojnë që në raste të këtilla të lajmërojnë menjëherë zjarrfikësit dhe të mos rrezikojnë vet që të largojnë zvarranikët.

    “Ne nuk kemi trajnime të specializuara për largimin e zvarranikëve, mirëpo puna jonë është që të ndihmojmë qytetarët kur kanë nevojë dhe janë në rrezik”, pohon Avni Ameti, nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë.

    Nga Spitali i Tetovës thonë se zvarranikët që gjenden në rajonin tonë, janë më pak të rrezikshëm dhe nuk përmbajnë helme vdekjeprurëse dhe nuk duhet që të bëjnë panik.

    “Zakonisht trajtimi është multidisiplinar, por zakonisht është kirurgjikal i plagëve dhe në këto raste pacientët trajtohen gjithnjë bashkëpunim me infektologët me marrjen e serumeve adekuate. Në raste të ndryshme mund të kyçet edhe shërbimi i tranzfuziologjisë. Fatmirësisht, zvarranikët që janë në rajonin tonë nuk janë të rrezikshëm për jetën e qytetarëve, kjo nuk do të thotë se qytetarët nuk duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore, por prioriteti është që të mos bëjnë panik”, thotë mjeku Ylber Besimi.

    Në rajonin e Pollogut akoma nuk ka një njësit të specializuar për largimin e zvarranikëve nga objektet e banimit, hapësirat publike, automjete ose lokaleve tjera dhe këtë funksion e kryen njësia e zjarrfikësve. Nga kjo njësi apelojnë deri tek qytetarët që në rast se hasin gjarpërinj të thirrin menjëherë për ndihmë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Gostivarit nga sot fillon me zbatimin e disa masave lehtësuese në lidhje me parkimin e veturave gjatë sezonit të verës

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët e Maqedonisë nuk braktisin detin, pavarësisht rritjes së çmimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë