Në vend të prishjes, komunat do t’i konfiskojnë ndërtimet pa leje

    Ligji për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar i cili u miratua më 19 mars në Parlament i lejon Agjencisë për Pronat e Konfiskuara që në bazë të vendimit të Qeverisë, ndërtimet pa leje t’ia dorëzojë komunës dhe të njëjtat të konvertohen për nevojat e tyre. Kjo një vit pasi kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, nisi iniciativën për rregullimin, konfiskimin dhe ndryshimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

    Është një iniciativë e cila i jep mundësi të gjitha pushteteve lokale në vend që të konfiskojnë objektet e ndërtuara pa leje në territorin e tyre dhe ti kthejnë ato në funksione lokale, gjegjësisht për nevojat e tyre.

    “Pranimi i iniciativës për konfiskimin dhe shndërrimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe përkthimi i saj në zgjidhje ligjore është fitore e Komunës Qendër, por edhe e të gjitha komunave të tjera në vend”, tha kryetari i Komunës Qendër. Sipas tij, kjo do të thotë që komunat kanë dy mundësi, ose ta legalizojnë objektin, ose nëse ka kushte ta prishin atë brenda 6 muajve nga pranimi.

    “Nëse vendosim ta legalizojmë, do të mund t’ua japim kategorive të rrezikuara sociale, ose ta shfrytëzojmë për shtëpi të ndryshme kulturore, të pensionistëve, të rinisë”, theksoi Gerasimovski.

    Zgjidhja e re ligjore parasheh që pushteti lokal nuk mund ta tjetërsoj objektin tek kompanitë ndërtimore apo subjektet tjera që punojnë me patundshmëri, që sipas Gerasimovskit nënkupton përjashtimin e çdo mundësie për përfitim në kurriz të objekteve të ndërtuara pa leje.

    Ligji i ri për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara nuk vlen për ndërtimet pa leje që janë në tokë private, për të cilat tashmë është duke u zhvilluar një periudhë inspektuese për shembje apo edhe është duke u zhvilluar procedurë për legalizim. Vlerësohet që në vend janë diku 100 mijë ndërtime pa leje, kurse siç njofton Gerasimovski, në Komunën Qendër ka objekte të ndërtuara pa leje edhe në tokën shtetërore edhe në zonën e gjelbër. Ai vlerëson se për të çaktivizuar dy objekte të mëdha, shumat janë jashtëzakonisht të larta, rreth 5.5 milionë denarë, për të pamundësuar funksionimin e dy objekteve.

    Mjetet e planifikuara për prishjen e objekteve pa leje do të mund të ripërdoren nga komunat për nevoja të tjera të qytetarëve. Komunat shpresojnë se miratimi i kësaj zgjidhjeje ligjore do të parandalojë kaosin urban dhe ndërtuesit do të duhet të pyesin veten nëse do të ndërtojnë ndërtime pa leje.

    Propozimet për konfiskimin e ndërtimeve pa leje në vend të prishjes së tyre shkaktuan reagime të ndryshme në opinion vitin e kaluar. Aso kohe nisma qytetare “Mundësi për Qendrën” vlerësoi se bëhej fjalë për propozime populiste, duke qenë se konfiskimi i objekteve pa leje si instrument tashmë është parashikuar në Kodin Penal. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Asnjë grua në krye të listave zgjedhore shqiptare

    Lajmi i rradhës

    Opozita në Turqi me fitore të mëdha në zgjedhjet lokale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë