NEGLIZHENCA PO GËRRYEN JABLLANICËN! Ambientalistët apel për park kombëtar

    Ndërsa procedurat për shpalljen e malit Jabllanicë – Park kombëtar prej shumë vitesh po zvarriten, ambiebtalistët kanë riaktivizuar edhe njëherë iniciativën për mbrojtjen e kësaj pasurie. Ata besojnë se nëse procedura e mbrojtjes nuk do ta përshpejtohet zona është e kërcënuar nga abuzimet. Shpyllëzimi dhe ndërtimet paligjshme janë sfidat kryesore të brezit malor të njohur për florën dhe faunën. Shoqata e ekologëve thotë se në këtë mënyrë do të ndalojnë shkatërrimin e pyjeve, uzurpimin e tokave dhe ndërtimet pa leje.

    “Shkatërrimi sistematik i burimeve natyrore nuk ndalet, për fat të keq. Dhe, le të theksojmë se, nëse vazhdojmë me një sjellje të tillë ndaj natyrës, ndoshta mund të humbasim momentumin e mali të shpallet park kombëtar, pra mund të jetë edhe në një kategori më të ulët”, thotë Frosina Pandurska Dramiqanin nga Shoqëria Mjedisore e Maqedonisë (SHME).

    Në nëntor të vitit të kaluar Qeveria miratoi iniciativën e SHME për shpalljen e zonës park kombëtar, por që atëherë procesi nuk ka avancuar.

    “Ajo që mungon tani është një studim i ri për valorizimin e vlerave natyrore me kërkime socio-ekonomike dhe ky është dokumentacioni minimal që duhet që procesi të ecë sadopak në nivel institucional”, shton Dramiqanin.

    Iniciativa për shpalljen e Jabllanicës park kombëtar është përmendur për herë të parë në Strategjinë për biodiversitet me Planin e veprimit të miratuar nga Qeveria në vitin 2004. Mali i Jabllanicës përveç rëndësisë kombëtare, ka edhe rëndësi ndërkombëtare. Është pjesë e Brezit të Gjelbër Ballkanik, pra i Brezit të Gjelbër Evropian dhe është gjithashtu një zonë e rëndësishme për ariun, ujkun dhe rrëqebullin si specie të rëndësishme evropiane.

    Me Strategjinë Nacionale të Biodiversitetit me plan veprimi për periudhën 2018-2023, Republika e Maqedonisë angazhohet që sipërfaqen e zonave të mbrojtura ta rrisë së paku 15 për qind. Jabllanica, si pjesë e rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, propozohet të jetë zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë – Parku Kombëtar, që do të kontribuonte dukshëm në rritjen e përqindjes së zonave të mbrojtura në Maqedoni, të cilat aktualisht zënë rreth 9 për qind.

    Jabllanica njihet për një biodiversitet shumë të larmishëm dhe si e tillë meriton të jetë pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura në Maqedoni. Ajo është specifike për karakteristikat e saj fiziko-gjeografike dhe liqenet akullnajore të Jabllanicës, mosha e të cilëve llogaritet të jetë dhjetë deri në 15 mijë vjet, tërheqin vëmendje të veçantë, jo vetëm te shkencëtarët, por edhe te adhuruesit e maleve. Ana shqiptare e malit Jabllanicë është park kombëtar që nga viti 2008 dhe prej shumë vitesh është një nga atraksionet turistike për vendin fqinjë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Vetorganizim i peshkatarëve në Dibër për t’u mbrojtur nga hajnat

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët e Austrisë nuk e duan Maqedoninë e Veriut në BE, janë kundër zgjerimit të Unionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë