Negociatat për një kod të ri zgjedhor, nuk kanë filluar akoma

    Negociatat për një kod të ri zgjedhor të paralajmëruara të fillonin së shpejti që në fillim të muajit maj, nuk kanë filluar akoma.

    Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski që në atë kohë njoftoi se do të dorëzojë shkresë deri te partitë politike, OJQ-të, institucionet dhe aktorë të tjerë të bëhen pjesë e këtij procesi. Tani Tupançevski thotë se paralajmërimi nuk është harruar.

    “Vetëm një parti nuk ka dorëzuar nominim për përfaqësuesin e saj. Punojmë për formimin e grupit të punës dhe mendoj se për një periudhë shumë të shkurtër do të dalim me konferencë për mediat ku do t’i merrni të gjitha informacionet se si do të fillojmë me punë dhe si do të ecin negociatat. Nuk kemi harruar. Vetëm duam që procesi të jetë konsensual, transparent dhe me pjesëmarrjen e të gjithve”, tha Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë.

    Partia që nuk ka dorëzuar akoma emrat e përfaqësuesve të saj që do të marrin pjesë në këtë proces është VMRO-DPMNE-ja. Alsat drejtoi pyetje në partinë opozitare por nuk morëm përgjigje. Megjithatë nga kjo parti më herët janë deklaruar se do të bëhen pjesë e këtyre negociatave dhe do t’i shprehin kërkesat e tyre.

    Kodi aktual zgjedhor që është në fuqi ka pësuar mbi 30 ndryshime që nga përpilimi fillestar i tij. Institucionet që merren me zbatimin e zgjedhjeve thonë se ai është bërë jokoherent dhe i vështirë për t’u zbatuar. OSBE-ODIHR-ja prej kohësh këmbëngul për një ligj të ri për zgjedhjet i cili do të përmbante në vete edhe rekomandimet e kësaj organizate ndërkombëtare që monitoron zgjedhjet.

    Listat e hapura, votimi i diasporës, financimi i fushatës zgjedhore dhe monitorimi i mediave janë disa nga çështjet më të përfolura të procesit zgjedhor në vend, për të cilat kërkohet zgjidhje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kush do të mbaj përgjegjësi për bastisjen në burgun e Idrizovës?!

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi: Borxhin e BEG-ut ndaj shtetit do ta paguajë vetë kompania

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë