Neritan Ceka: Projekti për Butrintin nuk u konsultua me arkeologët, ligji mund të atakohet në Gjykatën Kushtetuese

    Arkeologu i njohur Neritan Ceka kundërshton projektin e qeverisë për të dhënë me koncesion Parkun Arkeologjik të Butrintit.

    Zoti Ceka përmes gazetës “Panorama” u bën thirrje deputetëve që ta refuzojnë sipas tij këtë “dokument të megalomanisë anglosaksone”. Neritan Ceka shprehet kritik ndaj projektit për të cilin thotë se u përgatit nga një studio angleze, pa pjesëmarrjen e asnjë specialisti shqiptar. Sipas tij, u injorua qëllimisht kontributi i arkeologëve e muzeologëve shqiptarë në krijimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit. Z. Ceka paralajmëron se ligji mund të atakohet në Gjykatën Kushtetuese.

    Çfarë po ndodh me qytetin antik të Butrintit? Pse gjithë ky debat për Parkun Arkeologjik të Butrintit, të cilin Ministria e Kulturës e jep me koncesion për 10 vitet e ardhshme?

    Butrinti është perla e pasurisë arkeologjike kombëtare, si edhe një vlerë e shtuar në pasurinë botërore të listës UNESCO. Debati shpjegohet me heshtjen e gjatë që ka karakterizuar përgatitjen e ligjit për dhënien në administrim të këtij siti një fondacioni privat, gjatë një periudhe katërvjeçare që ka kaluar që nga shtimi i neneve që fusnin këtë koncept të ri në ligjin për trashëgiminë kulturore në Shqipëri. Në këto katër vjet ka munguar një diskutim profesional mbi mënyrat e reja të administrimit, mbi statusin e pasurive që do të administroheshin, si dhe mbi raporti që do të kishte administrimi si promovim i vlerave kulturore e universale të siteve me administrimin si biznes fitimprurës. Natyrisht që kalimi i ligjit në Parlament nuk mund të shmangë edhe debatin politik.

    Si e konsideroni projektligjin e prezantuar nga Ministria e Kulturës për dhënien me koncesion të Butrintit një fonacioni të posaçëm për 10 vitet e ardhshme?

    Në të vërtetë nisma për këtë ligj u sponsorizua nga Fondi Amerikano-Shqiptar për Zhvillim (AADF) në vitin 2018, që mori nga Ministria e Kulturës edhe detyrën për të përgatitur Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Arkeologjik të Butrintit. Ky plan u përgatit nga një studio angleze, pa pjesëmarrjen e asnjë specialisti shqiptar dhe u prezantua nga ministrja Margariti dy vjet më parë në një rreth të kufizuar në Tiranë. Unë e pata quajtur atë plan një “dokument të megalomanisë anglosaksone” pikërisht për injorimin e qëllimshëm të kontributit të arkeologëve e muzeologëve shqiptarë në krijimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit, si edhe një “aeroplan pa motor” për faktin se nuk kishte asnjë propozim për një model të ri administrimi. Vetë Ministria e Kulturës në relacionin për projektligjin ka ngritur flamurin e falimentimit mbi akropolin e Butrintit, duke pranuar që administrimi i deritanishëm ka qenë i dështuar. Megjithëse nuk e thonë shkakun e këtij dështimi, dihet botërisht se Butrinti, si Parku Arkeologjik më fitimprurës i vendit tonë ka qenë një koncesion i partisë politike në pushtet. Për të vendosur militantët e vet si bejlerët në çifligje. Për këtë arsye në të njëjtin prezantim kam thënë se isha dakord me atë plan vetëm për faktin se e hiqte parkun nga duart e çifligarëve dhe më mirë ta administronte vetë djalli, se sa Ministria e Kulturës. Projektligji është në përgjithësi korrekt, por duhet të kalojë në diskutim edhe të atyre që nuk janë pyetur, por janë zotë të vërtetë të Butrintit. Këta janë arkeologët e Institutit të Arkeologjisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe të Akademisë së Shkencave, si dhe kolegët e tyre italianë, që punojnë aktualisht në Butrint. Ligji duhet të normojë edhe rolin që do të luajë ky faktor në administrimin autonom të Butrintit, si dhe mënyrën se si do të përdoren fitimet e nxjerra pikërisht në sajë të punës së arkeologëve që krijuan parkun.

    A ka pasur konsultime me arkeologët për koncesionin prej 5 milionë dollarësh për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit?

    Përdorimi i termit koncesion nuk i përgjigjet përmbajtjes së ligjit, sepse kemi të bëjmë me një formë të PPP, pra të një administrimi në partneritet, ku shteti ruan jo vetëm pronësinë e aseteve, por edhe ekskluzivitetin e kërkimeve dhe studimeve arkeologjike. Në konfuzionin që karakterizon të gjitha aktet që dalin nga Ministria e Kulturës nuk sqarohet se ajo ministri ka vetëm ekskluzivitetin e administrimi, të cilin po e ndan me AADF, ndërsa nuk përmendet fare Instituti i Arkeologjisë që sipas ligjit zotëron të drejtat studimore, por edhe disa asete materiale, ku realizohen këto studime. Është e domosdoshme që ky dualitet të pasqyrohet në ligj, përndryshe ligji mund të atakohet në Gjykatën Kushtetuese.

    Përse u larguan nga projekti specialistët vendas dhe morën të huaj?

    Ka një dekadë që Ministria e Kulturës vuan nga alergjia ndaj studiuesve shqiptarë në fushën e arkeologjisë, pavarësisht se aty ndodhët një nga grupet më të kualifikuara të albanologjisë, duke filluar me prof. Aleksandër Meksi, prof. Apollon Bace, prof. Gjerak Karaiskaj. Në të vërtetë nisma për këtë ligj u sponsorizua nga Fondi Amerikano-Shqiptar për Zhvillim (AADF) në vitin 2018, që mori nga Ministria e Kulturës edhe detyrën për të përgatitur Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Arkeologjik të Butrintit. Ky plan u përgatit nga një studio angleze, pa pjesëmarrjen e asnjë specialisti shqiptar dhe u prezantua nga ministrja Margariti dy vjet më parë në një rreth të kufizuar në hotel “Plaza” në Tiranë. Unë e pata quajtur atë plan një dokument të megalomanisë anglosaksone pikërisht për injorimin e qëllimshëm të kontributit të arkeologëve e muzeologëve shqiptarë në krijimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit, si edhe aeroplan pa motor për faktin se nuk kishte përfaqësonte një model të ri administrimi. Me qëllim, apo pa qëllim, Ministria e Kulturës bën sikur nuk e di që Shqipëria ka sot një plejadë të shkëlqyer arkeologësh të nivelit kombëtar të lidhur me Butrintin përmes studimeve të tyre, si prof. Apollon Bace, prof. Aleksandër Meksi, prof. Gjerak Karaiskaj, prof. Skënder Mucaj, prof. Luan Përzhita, prof. Gëzim Hoxha dhe një brez i ri arkeologësh që janë përgatitur në kërkimet arkeologjike në Butrint dhe vazhdojnë ekspeditat e tyre në atë park. Ju kujtoj deklaratat e ministres së mëparshme që në thirrjen e dëshpëruar për të rinovuar Muzeun Kombëtar, kërkonte të angazhonte studio dhe specialistë të huaj, sepse “Shqipërisë i mungonin ekspertët në fushën e muzeologjisë. Shkoni shikoni Muzeun Kombëtar pasi Ministria investoi 280 000 euro, në se do të shikoni qoftë edhe një gozhdë të re të ngulur. Edhe ministrja që e pasoi e bëri prezantimin e dokumentit të megalomanisë anglosaksone mbi Parkun Arkeologjik të Butrintit me të njëjtën alergji për arkeologët shqiptarë. Mjafton të shikoni bordin e administrimit që i ka propozuar parlamentit për të kuptuar se vuan rëndshëm nga ajo alergji. Në krye të bordit ka vënë veten, pastaj një zonjë që nuk i gjendet emri në asnjë letër për Butrintin. Më pas vijnë dy nëpunës të AADF-së dhe i fundit vjen një arkeolog, natyrisht jo shqiptar, por anglosakson. Relacioni thotë që ata nuk do të paguhen, por nga ana tjetër do të kenë çdo vit një fond prej 150 000 dollarësh, për stafet e tyre, si dhe për shpenzimet korrente. Pra, zonja ministre do të ketë 30 000 dollarë, që është më shumë se e gjithë rroga dhe dietat që merr nga shteti. Dhe i gjithë fondi i bordit është sa dyfishi i gjithë investimeve që bën shteti shqiptar për të gjitha kërkimet arkeologjike në Shqipëri. Duhet më të vërtetë një guxim i madh që të dërgosh në parlament një autoshpërblim të tillë!

    Ministrja Margariti theksoi se për këtë marrëveshje është dhënë dakordësia e UNESCO-s dhe Instituti i Arkeologjisë, por a besoni se këto dy institucione janë në dijeni të këtij plani?

    ër këtë është mirë të pyesni z. Auron Taren, që nuk është konsideruar as si një nga krijuesit e parkut modern të Butrintit dhe as si anëtar i Këshillit të UNESCO-s. Kujtoj vetëm se në prezantimin e fillimit të angazhimit të AADF-së për hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit nga ministrja paraardhëse, Auron Tares nuk iu dha fjala për t’u shprehur në lidhje me atë projekt. Më kujtohet se një nga “fejsbuksat” e Ministrisë shkruante me këtë rast se “Auron Tare dështoi me sukses në kërkesën e tij për të diskutuar”.

    Përse po e lëshon shteti Butrintin? Pse duhet të ketë aktivitet ekonomik në atë zonë? Pse duhet shfrytëzuar në këtë mënyrë kjo pasuri natyrore?

    Po të pyesni specialistët, do t’u thonë se shteti, pra Ministria e Kulturës, duhet ta kishte zbatuar këtë model administrimi që disa vjet më parë, kur u përgatitën aktet nënligjorë për reformimin e sistemit të trashëgimisë kulturore. Baza e tij do të ishte trajtimi si institucion teknik shkencor i atij sistemi, të bazuar te kualifikimi shkencor dhe karriera profesionale, sipas një modeli që zbatohet me sukses në Institutin e Arkeologjisë. Në sistemin e ri parashikohej autonomia administrative dhe financiare e parqeve dhe muzeve arkeologjike sipas modelit që funksionon në vendet fqinje me të njëjtin karakter të asaj pasurie, pra në Greqi, Itali, apo Francë. Si ministrat e Partisë Demokratike, ashtu edhe ata të Partisë Socialiste, me të njëjtët këshilltarë të interesuar për shfrytëzimin e atyre pasurive nga bizneset private e sabotuan reformën dhe e shkatërruan sistemin e menaxhimit të trashëgimisë kulturore të ndërtuar sipas modeleve europiane nga prof. Gani Strazimiri, prof. Selim Islami, prof. Aleksandër Meksi, prof. Emin Riza, prof. Hasan Nallbani, etj. Sot, Instituti i Monumenteve, që ishte truri i atij menaxhimi nuk ka asnjë profesor dhe drejtohet që prej një dekade nga nëpunës të zakonshëm të nivelit master. Prandaj e shikoj ligjin aq të diskutueshëm si një shpëtim, qoftë të përkohshëm, nga ajo katastrofë.

    A ka të drejtë Kryeministri kur thotë se marrëveshja për Butrintin synon që ta bëjë këtë park arkeologjik sipas modeleve më të mira ndërkombëtare?

    Nëse do të thoshte vetëm kaq, besoj se ka të drejtë po ti referohej modelit të “British Heritage” në Angli. Por, kur thotë se do ta bëjmë se kështu duam ne, kalon jo vetëm kompetencat, por edhe kohën e tij. Në raste të tilla, prioritar është mendimi i specialistëve shqiptarë që e kanë krijuar Butrintin që nga koha kur ai ende nuk kishte lindur, por do vazhdojnë ta pasurojnë promovojnë me punën e tyre në terren e kabinet edhe kur ai të mos jetë më.

    A kemi të bëjmë me rijetësimin e Butrintit, ndërsa mbushet në të ardhmen e afërt me lokale, restorante e hotele me qëllim rritjen e të ardhurave për banorët vendas?

    Kjo duhet konsideruar jo vetëm si “American dream”, por si një mani e rrezikshme e njerëzve që nuk kanë asnjë ide mbi vlerat historike dhe kulturore të Butrintit për shkak të dritëshkurtësisë së Ministrisë së Kulturës dhe të specialistëve të huaj që e këshillojnë atë, Butrinti është konsideruar vetëm si një burim të ardhurash, si një objekt biznesi, ndërkohë që është një thesar i vlerave historike dhe kulturore të kombit tonë, po aq sa është edhe bartës i vlerave kulturore e artistike universale. Është naive të mendosh se Parku Arkeologjik i Butrintit mund të ofrojë vend pune për banorët vendës përmes hapjes së restoranteve dhe hoteleve në territorin e tij. Impakti i tij do të jetë indirekt. Përmes krijimit të shërbimeve që do të inkurajojnë turizmin në territoret rreth tij.

    Sipas jush, cili është plani i biznesit të fondacionit për të rritur fitimet në Parkun Arkeologjik të Butrintit?

    Nga mënyra e formulimit të planit të biznesit duket qartë se ai është një përkthim i një materiali të shkruar nga një naiv amerikan, që mendon se Butrinti gjendet në ishujt Havai. Ky plan absurd duhet të refuzohet kategorikisht nga parlamenti. Deputetët duhet të mendojnë për një Park Arkeologji, ku disa qindra mijë shqiptarë që kalojnë pushimet në bregdetin e Jugut të kenë mundësi që një pasdite ta kalojnë familjarisht në një vizitë të këndshme në Butrint. Le të më lejojnë ti pyes: Cila familje shqiptare prej tre, apo katër vetash mund të paguajë 60 apo 80 dollarë për një vizitë disaorëshe në Butrint. Besoj që as vetë ata, pasi të kenë mbaruar mandatin, do ta llogarisnin mirë një vizitë të tillë. Na duhet së pari një Butrin për shqiptarët, që me taksat e tyre e kanë financuar prej gati një shekulli krijimin e Parkut të Butrintit. Na duhet një Butrint i historisë sonë, Butrint, kaon, epirot, por jo grek ashtu siç thonë burimet historike dhe kërkimet arkeologjike dhe jo Butrint greko-romak, siç e paraqet Ministria e Kulturës me këshilltarët e saj. Po të kishte mend, pasion dhe dashuri Ministria e Kulturës, një administrim autonom i Butrintit prej saj do të prodhonte aq të ardhura sa mund të mbante një pjesë të mirë të veprimtarisë konservuese-restauruese dhe kërkimore ne trashëgiminë kulturore. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria e RMV-së: Bajrami është festë që forcon besimin e njerëzve në të mirën, të vërtetën dhe drejtësinë

    Lajmi i rradhës

    Mendja e mbrapshtë, mallkim i vetvetes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë