Me një ndeshje futbollistike nga veteranët e KF Shkëndijës dhe koncert nga Elita 5, ka nisur shembja e stadiumit të tanishëm të qytetit të Tetovës, me këtë edhe procedura për ndërtimin e stadiumit të ri.
Projekti pritet të jetë gati për dy vite ndërsa do të kushtojë rreth 10 milionë euro, kurse realizohet nga Komuna e Tetovës. Në evenimentin e sotëm, kryetari i komunës Bilall Kasami, tha se lojtarët dhe tifozët e Shkëndijës pavarësisht kushteve që kanë pasur, nuk janë dorëzuar kurrë.
“Deri më sot shumë politikanë dhe parti kanë premtuar për ndërtimin e këtij stadiumi në të cilin do të zhvillohej sporti dhe sukseset e sportit tetovar por asnjëherë ky premtim nuk u realizua. Dëshmi për këtë është gjendja momentale e këtij stadiumi megjithatë, me terren të shkatërruar, me hapësira të vjetruara, pa zhveshtore, pa kushte për ushtrime, pa tribunë të përshtatshme për tifozët e tyre, tetovarët dhe Shkëndija nuk u dorëzuan kurrë”.
“E sot i erdhi dita, erdhi dita që në Tetovë të fillojë të ndërtohet një arenë e sportit me të gjitha kushtet dhe standardet evropiane”, deklaroi Kasami.
Ndryshe, Shoqëria për tregti dhe shërbime “E-Property DOOEL Tetovë” është përzgjedhur si kompania me ofertën më të volitshme në tenderin për ndërtimin dhe rikonstruimin e stadiumit.
Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” vlera e parashikuar është 600.000.000 denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro. Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.
Në lidhje me atë se me çfarë mjetesh do të bëhet ky projekt, Kasami ka deklaruar se do bëhet me para të komunës, të cilat do sigurohen nga të hyrat e komunës prej pagesave të qytetarëve, ai theksoi se nuk është paraparë ndonjë hua.
Tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit u hap me 22 nëntor 2023, ndërsa për të njëjtin janë bërë shumë premtime nga politikanë të ndryshëm./Nistori/