NJË BYREK ME JOGURT, 100 DENARË! Ushqimi shtrenjtohet jashtë mase

    Shtrenjtimin e madh të ushqimit në dy tre vitet e fundit, jo vetëm që po e ndjejnë qytetarët në xhepin e tyre, por atë e konfirmojnë edhe raportet e ndryshme statistikore. Shtrenjtim e madh të ushqimit e ka regjistruar edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Sipas shportës konsumatore që ajo e përllogarit në muajin nëntor të vitit të kaluar, kostoja e ushqimit ka qenë afër 19.500 denarë nga vlera totale e shportës prej 51.714 denarë. 

    Nga ana tjetër në muajin nëntor 2020, kostoja e ushqimit ka qenë afër 14.100 denarë nga 33.742 denarë e totalit të shportës konsumatore. Me fjalë të tjera, vetëm sipas shportës sindikale konsumatore ushqimi për dy vite është shtrenjtuar për 5400 denarë. Ndërkohë, të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë gjithashtu tregojnë shtrenjtim të madh të ushqimit. Në muajin janar 2020, çmimi mesatar i një kilogrami të patateve në tregjet e në vend ka qenë 24 denarë, për tu shtrenjtuar në 39 denarë në janar 2023.

    Në këtë periudhë janë shtrenjtuar grosha nga 140 në 180 denarë, lakra nga 20 denarë në afër 27 denarë, orizi nga 71 në 80 denarë, etj  Shtrenjtime të mëdha ka shënuar edhe buka deri 50 denarë, vezët mbi 100 denarë për 10 copë, qumështi në 70 -80 denarë, mishi, djathi, kosi dhe jogurti e kështu me radhë. Bile edhe çmimi i një byreku me jogurt ka arritur në 100 denarë, që është një shtrenjtim i madh për një të punësuar karshi pagave që rriten pak.

    Njëherësh të dhënat statistikore tregojnë se harxhimet për ushqime dhe pije joalkoolike në muajin janar të këtij viti janë rritur për 25 për qind karshi atyre në muajin janar të vitit 2022. Për më tepër çmimet janë rritur me 9.2 për qind në janar të 2022 karshi muajit janar 2021,që i bie se për dy vite kostoja e ushqimit është rritur për 34 për qind. Gjithashtu statistika ka regjistruar se kostoja e jetesës u rrit me 17.1 për qind apo nga janari i vitit 2022 në muajin janar 2023.

    Çmimet janë më të larta për pothuajse të gjitha produktet. Buka është më e shtrenjtë me 39.1 për qind, mishi me 28.3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 36.2 për qind , vaji i gatimit me 18.4 për qind , frutat me 11.4 për qind, pijet alkoolike me 9.2 për qind, etj. Me çmim më të lartë blihet edhe energjia elektrike, si dhe rritje të çmimeve ka edhe për shërbimin e grumbullimit të plehrave, aparatet shtëpiake dhe riparimi i tyre, pastaj pajisjet sportive, mjetet e higjienës personale e të tjera. Ndryshe, përderisa po shtrenjtohet jetesa , qytetarët presin rritjen e pagës minimale në mbi 20 mijë denarë,që do të rrisë edhe pagat e tjera në shtet. /koha/

    Lajmi Paraprak

    VUAJNË EDHE FERMERËT! Rritet çmimi i plehrave

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët në RMV blejnë më pak, por paguajnë më shumë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë