“Një dyqan rrobaqepësie nuk mund të jetë industri” / Zejtarët kundër rrymës industriale

    Zejtarët kërkojnë që për ta të aplikohet një model i ri tarifor, me të cilin do të paguajnë çmim më të ulët se ai industrial, dhe më i lartë se ai që paguajnë amvisëritë. Ata besojnë se zejet e vogla janë larg çdo lloj dege industriale, që mund të krahasohet me konsumin e energjisë elektrike që kanë veprimtaritë e tjera. Një kërkesë të tillë Oda e Zejtarëve tashmë e ka dërguar në Qeveri dhe nga aty kërkesa i është dërguar Komisionit Rregullator të Energjisë.

    “Një makinë nuk mund të quhet industri, një tharëse flokësh nuk mund të quhet industri, një dyqan rrobaqepësie nuk mund të jetë industri, një këpuctar që na riparon këpucët nuk është industrialist. Prandaj kërkojmë kategorikisht nga shteti, dhe nuk do të ndalemi së kërkuari që këto biznese, që janë rreth 30 mijë biznese, të mos kategorizohen në energjinë elektrike industriale”, tha Agron Fazliji -Kryetar i Odës së Zejtarisë.

    Këtyre kërkesave Komisioni Rregullator iu përgjigj me pretendimin se nga ky muaj zejtarët do të marrin fatura të energjisë elektrike për 20 për qind më të ulëta, dhe se nuk mundet të përcaktohet çmim mesatar i ri për zejtarët.

    “Komisioni Rregullator Energjetik nuk mund të bëjë një përjashtim të tillë… Nëse bëhet një përjashtim, çmimi i amvisërive do të duhet të rritet”, thonë nga Komisioni Rregullator Energjetik.

    Ndryshe, sistemi tarifor përcakton kategoritë e konsumatorëve: amvisëri dhe konsumatorë të vegjël. Konsumatorë të vegjël janë kompanitë që numri mesatar i të punësuarve në dy vitet e fundit është më pak se 50 persona, dhe të ardhurat totale vjetore të të cilave janë më pak se dy milionë euro. Çmimi që vlen për to nga 1 janari është 10,7 denarë për kilovat orë për rrymën e lirë dhe 13,7 denarë për rrymën e shtrenjtë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    PESTICIDET / A po helmohemi apo ushqehemi më mirë?

    Lajmi i rradhës

    Adem Demaçi për Ismail Kadarenë: Shqipëria do të mundet pa ty, por vallë do të mundesh ti pa nënën Shqipëri?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë