“NJË NJERI SHUMË, SHUMË I RREZIKSHËM” | Mlladiçi, më i kërkuari i Europës në pritje të vendimit përfundimtar të Hagës

    “Bombardoni Velusicin dhe Pofalicin sepse nuk ka shumë serbë në ato lagje”, urdhëroi ai më 28 maj 1992, duke shqiptuar keq lagjen Velesici të Sarajevës. “Bombardoni edhe pjesën afër rrugës Dobrovoljacka, dhe atje lart, rreth rrugës Humska dhe pjesën e sipërme të rrugës Djure Djakovica”, shtoi ai. “A mund ta bombardoni Bascarsijan? Qëlloni një breshëri të madhe në Bascarsija. Mbani ndërtesën e presidencës dhe atë të parlamentit nën zjarr të drejtpërdrejtë. Qëlloni ngadalë, me intervale, derisa t’ju urdhëroj unë të ndaloni”

    “Një njeri shumë, shumë i rrezikshëm”. Këto janë fjalët e ish-kryeprokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte që përshkruante asokohe Ratko Mlladiç. Ajo e ndoqi të arratisurin për më shumë se një dekadë. Qëllimi i saj ishte nxjerrja e tij në gjyq për gjenocidin e parë në Europë, që nga disfata e Gjermanisë naziste. Pas një javë, 26 vite pasi ai është akuzuar, gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë pritet të japë vendimin e saj përfundimtar.

    Ratko Mlladiç apeloi pasi një vendim i gjykatës i dhënë në vitin 2017 e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Akuzat janë; gjenocidi i boshnjakëve nga Srebrenica në 1995; përndjekja e boshnjakëve dhe kroatëve Bosnje dhe Hercegovinën gjatë luftës së viteve 1992-1995; terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe për pengmarrjen e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara. Mlladiç, tanimë 78 vjeç, lindi në vitin 1943 në fshatin boshnjak të Bozinovcit, rreth 70 kilometra në jug të Sarajevës. Familja e tij ishte një familje partizane komuniste jugosllave. Babai i tij mbeti i vrarë në një nga betejat e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ai vijoi në gjurmët e të atit dhe ndoqi shkollën ushtarake në Beograd. Prova e tij e parë ishte kur u dërgua në Kroaci gjatë pranverës së vitit 1991. Ai ishte aty për të ndihmuar rebelët serbë lokalë në Knin, asokohe një bastion serb.

    Kur Mlladiç u emërua komandant i Korpusit të 9-të të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Knin në qershor 1991, territori ishte shkëputur nga pjesa tjetër e Kroacisë. Rebelët serbë kishin deklaruar krijimin e Territorit të tyre Autonom të Krajinës në 1990. Kjo manovër bllokoi të gjitha rrugët përreth qytetit. “Unë i shërbej Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë me vëllezërit e mi oficerë, në mënyrë që të mbroj të gjitha kombësitë dhe kombet”, tha Mlladiç për televizionin publik serb RTS. Në gusht të 1991, ai urdhëroi një sulm në fshatin Kijevo për të hequr një bllokadë nga forcat kroate. “Në Kijevo, ne qëlluam shënjestra të ligjshme ushtarake. Nuk shkatërruam asnjë shtëpi gjatë këtij operacioni”, u tha ai gazetarëve më pas.

    Ndërkaq, prokuroria kroate besonte të kundërtën e kësaj. Në korrik të vitit 1992, gjykata e qarkut në Sibenik dënoi Mlladiçin me 20 vite burg për sulmin ndaj Kijevos. Sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, sulmi shënoi momentin kur Ushtria Popullore Jugosllave, nën komandën e Mlladiçit, kaloi haptazi në anën serbe në konflikt. Pasi trupat jugosllave morën fshatin, serbët vendas hynë dhe e morën atë. Ky model u përdor më pas në të gjithë ish-Jugosllavinë gjatë luftërave që pasuan, në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

    Një vit më pas filluan luftimet në Bosnjë dhe Hercegovinë, me shumë oficerë serbë të Bosnjës që lanë Ushtrinë Popullore Jugosllave për t’iu bashkuar Ushtrisë të sapo themeluar, të udhëhequr nga serbët e Republikës Srpska. Asokohe presidenti serb Sllobodan Millosheviç nuk donte të perceptohej si agresor dhe në vend që të dërgonte trupa e tij, ai vendosi të furnizonte Ushtrinë Serbe të Bosnjës me armë dhe njerëz. Mlladiç do të bëhej strategu kryesor ushtarak. “Kur u emërova në pozicionin tim, i vura detyrë vetes që të mblidhja njerëz dhe të themeloja komandën dhe shtabin. E dija menjëherë që atje do të ndodhte një ngjarje e madhe historike”, tha Mlladiç për gazetën NIN në Beograd.

    Një nga prokurorët e çështjes Mlladiç nga viti 2012 deri në 2017, Adam Weber, deklaronte se Mlladiç u zgjodh sepse lidershipi serb i Bosnjës e shikonte atë si “njeriun që sapo kishte kryer disa operacione spastrimi etnik në Kroaci”. Krahu i djathtë i shefit ushtarak serb të Bosnjës, gjenerali Manojlo Milovanoviç, tha në Gjykatën e Hagës në vitin 2013 se një ditë para se të shpërthente lufta, Mlladiç e kishte paralajmëruar lidershipin e tij politik në lidhje me mundësinë që mund të kryhej gjenocid ndërsa ata kërkonin të merrnin territorin ata donin. Milovanoviç dëshmoi që Mlladiç u tha liderëve serbë të Bosnjës në maj 1992: “Ne nuk mund të kryejmë spastrim etnik. Nuk kemi një sitë që të shoshitim dhe vetëm serbët të qëndrojnë, ndërsa të tjerët të largohen… Unë nuk e di se si liderët politikë serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Momcilo Krajisnik do t’ia shpjegojnë këtë botës. Ky është gjenocid, njerëz”. Ushtria Serbe e Bosnjës, nën komandën e Mlladiç-it, përhapi frikë dhe vdekje. Sarajeva u granatua për më shumë se tre vjet. Qytete të tjera si Foca, Prijedori dhe Visegradi u spastruan nga myslimanët e Bosnjës.

    Ai kurrë nuk i zhvilloi fushatat e tij në fshehtësi dhe shpeshherë lejonte kamerat e lajmeve ta filmonin. Kjo, teksa ai ecte nëpër kodrat mbi Sarajevë gjatë rrethimit të qytetit. Popullsia civile u granatua sistematikisht dhe u vu në shënjestër nga snajperët. Ata vuajtën mungesën e ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike. Në një regjistrim audio që u luajt në gjyqin e tij, Mlladiç urdhëroi bombardimin e disa pjesëve të qytetit: “Bombardoni Velusicin dhe Pofalicin sepse nuk ka shumë serbë në ato lagje”, urdhëroi ai më 28 maj 1992, duke shqiptuar keq lagjen Velesici të Sarajevës. “Bombardoni edhe pjesën afër rrugës Dobrovoljacka, dhe atje lart, rreth rrugës Humska dhe pjesën e sipërme të rrugës Djure Djakovica”, shtoi ai. “A mund ta bombardoni Bascarsijan? Qëlloni një breshëri të madhe në Bascarsija. Mbani ndërtesën e presidencës dhe atë të parlamentit nën zjarr të drejtpërdrejtë. Qëlloni ngadalë, me intervale, derisa t’ju urdhëroj unë të ndaloni”.

    Atë mbrëmje u dogjën shumë ndërtesa në Sarajevën qendrore. Brenda pak orësh, më shumë se 100 të plagosur u sollën në spitalet e qytetit. Ata që qëndruan në qytetin e rrethuar kujtojnë se jetuan për muaj të tërë në frikë, pasi njerëzit u vranë teksa mbanin radhën për ujë, bukë ose ndërsa vraponin nëpër ura nën zjarrin e snajperëve. Spitalet u granatuan, së bashku me muzetë dhe bibliotekat. Mlladiç nuk shfaqte pendesë. “Unë thjesht po mbroj popullin tim”, tha ai në shumë raste gjatë luftës. Ai përdori të njëjtën fjali në gjyqin e tij.

    HAPET GJYQI PËR 45 PERSONAT E VRARË NË ’92-in

    “Dymbëdhjetë baballarë dhe 13 djem u vranë në sulmin ndaj fshatit Novoseoci në shtator të 1992”. Ishin këto fjalët e prokurorit ndërsa gjyqi i nëntë serbëve të Bosnjës filloi në Gjykatën Shtetërore boshnjake në Sarajevë. Të pandehurit akuzohen për krime kundër njerëzimit, përmes përfshirjes së tyre në sulmin që la të vdekur 45 civilë boshnjakë. Sipas akuzave, natën e 21-22 shtatorit 1992, anëtarët e Policisë rrethuan Novoseocin e më pas hynë në fshat. Njëri nga ata urdhëroi banorët vendas të dorëzonin armët e tyre, megjithëse këto të fundit e kishin bërë tashmë atë, dhe një anëtar i Skuadrës së Zbulimit vrau një person. Gratë dhe fëmijët u ndanë nga burrat dhe u dërguan në një autobus afër xhamisë lokale, për t’u transportuar drejt Sarajevës, ndërsa 44 burra u morën me dy automjete ushtarake. Ata u sollën me forcë drejt një humnere dhe u vranë me pushkë. Viktima më e re ishte vetëm 14 vjeç.

    Lajmi Paraprak

    Politikanit shqiptar Dritan Abazoviq i rrezikohet jeta, rritet siguria për të

    Lajmi i rradhës

    Apasiev: Në zgjedhjet e ardhshme do të kemi më shumë deputetë për të bllokuar shovinizmin dhe federalizmin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë