NUK GJENDEN SHITËS DHE PASTRUES | As 330 euro nuk bëjnë punë në RMV

    Profesioni i shitësit është më i kërkuari në tregun vendor të punës dhe për të ka plot 814 vende të lira pune. Bile ky profesion kapërceu në vendin e parë në listën e 25 profesioneve më të kërkuarve, duke ia kaluar edhe profesionit të pastruesit, i cili për një periudhë të gjatë disa mujore ishte vazhdimisht në pozitën e parë të profesioneve më të kërkuara në analizën e vendeve të lira të punës së Agjencisë së Punës. Gara për shitës tashmë është bërë përditshmëri në tregun e punës ndaj për t’i fituar ata ofrojnë edhe paga më të larta dhe më shumë ditë pushimi. Mirëpo në shpalljet e punës për shitës fillestar akoma figuron edhe paga afër minimales me 21 mijë denarë, me premtime për rritje pagash të mëvonshme.

    Njëherësh akoma po kërkohen edhe pastrues që renditen në vendin e dytë të 25 profesioneve më të kërkuara me 470 vende vakante të punës dhe me paga prej 18 mijë deri 21 mijë denarë, ndërsa pas tyre me 452 pozita pune që po kërkohen renditet pozita e punëtorit të përgjithshëm që edhe më parë ishte ndër më të kërkuarat në vend dhe për të cilën në mesatare ofrohet paga minimale.

    Ndër dhjetë profesionet më të kërkuara janë edhe ato të vozitësit të kamionit me 340 pozita pune dhe me paga që fillojnë prej asaj minimale që arrin edhe 27 mijë dhe deri në 80 mijë denarë.

    Për kamerier ofrohen 322 vende të lira pune me paga, që luhaten prej 18 mijë, 21 mijë dhe deri 30 mijë denarë.

    Ofrohen edhe 298 vende pune për roje dhe 249 për nëpunës administrativ me paga të ngjashme me pagën minimale.

    Listën e profesioneve që më shumë kërkohen në tregun e punës e përmbyllin 174 vende punë për programues për të cilët paga varion në varësi prej përvojës dhe shkathtësive prej 21 , 30, 43 apo 74 mijë denarë. Për banakier ka 166 bende të lira pune me paga të ndryshme prej 20 apo 25 mijë denarë, ndërsa ofrohen edhe 137 vende pune për administratorë me paga të ndryshme prej 20 mijë, 25 mijë, 30 mijë dhe 35 mijë denarë.

    Kur bëhet fjalë për vendet e lira të punës sipas veprimtarisë, industria përpunuese renditet në vendin e parë me 1629 vende të lira, e ndjekur nga tregtia me shumicë dhe pakicë, ku mund të gjenden 1500 vende të hapura pune.

    Më pas vijnë, me 1186 vende pune, shërbimet administrative dhe ndihmëse, dhe në vendin e katërt me 1057 vende të lira është veprimtaria hotelerike dhe e gastronomisë. Pasojnë aktiviteti i transportit dhe magazinimit me 747 vende pune dhe ndërtimi me 721 vende të lira pune.

    Shkupi si motori ekonomik i vendit dhe me më shumë aktivitet ekonomike dhe më shumë kompani, ofron edhe mundësi më të lehtë punësimi me 5138 vende të lira pune, i ndjekur nga Tetova me 544 vende pune, Kumanova me 409 vende pune, Prilepi me 345 vende pune dhe Manastiri me 274 vende pune. Më pas vijnë edhe qytetet e tjera që ofrojnë më pak vende pune. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PAPASTËRTI KUDO | Mbeturinat hidhen nga dritaret e banesave në Dibër!

    Lajmi i rradhës

    Ndërtimet e reja të kulturës në RMV zgjasin me vite, të vjetrat drejt shkatërrimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë