Nuk ka informacione nga inspektimi në UKM

    Inspektorati i Arsimit nuk konfirmon nëse ka kryer inspektimin e jashtëzakonshëm në Universitetin “Shën Kirilli dhe Metodi”, ashtu siç njoftoi një ditë më parë, për të vërtetuar nëse ka shkelje ligjore në kushtet e caktuara nga universiteti për aplikimin e studentëve të rinj. Studentëve u kërkohet të firmosin deklaratë me përgjegjësi morale dhe penale se nuk do të aplikojnë paralelisht në asnjërin nga universitetet tjera të vendit. E dyta, atyre u kërkohet të firmosin pajtueshmëri që nuk do t’i kërkojnë dokumentet origjinale që dorëzojnë gjatë aplikimit për të paktën tre muaj.

    Nga Inspektorati i arsimit një ditë më parë thanë se këto kërkesa nuk janë paraparë në Ligjin për arsim të lartë dhe se sot inspektorët do ta shqyrtonin rastin. Por sot nuk morëm përgjigje në pyetjet tona. E ndërkohë nga universiteti sqarohen. Ata thonë se periudha e pandemisë ka komplikuar radhitjen e studentëve sipas kuotave të duhura për shkak të aplikimit në formë elektronike me dokumente të skanuara.

    “Me këtë u hap mundësia teorike që kandidatët të regjistrohen me kuotë shtetërore në më shumë universitete shtetërore gjë që në anën tjetër nënkupton shkurtimin e të drejtës së barabartë të studentëve të tjerë që të regjistrohen me kuotë shtetërore në fakultetin që duan. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për programet studimore për të cilat ka më shumë interes për t’u regjistruar me kuotë shtetërore”, thanë nga Universiteti “Shën Kirilli dhe Metodi”.

    Kjo nuk vlen dhe për studimin paralel i cili është nën regjim të veçantë juridik, thonë nga universiteti.
    E për pyetjen se pse studentëve u kërkohet të firmosin pajtim se nuk do t’i kërkojnë dokumentet origjinale tre muaj pas regjistrimit nga ky institucion thonë se u duhet kohë të përpunojnë dokumentet.

    “Kthimi i dokumenteve personale të studentit të regjistruar në afat prej tre muajsh u përfshi për shkak të nevojës për përpunimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe kufizimin e kapaciteteve administrative-teknike të fakulteteve si dhe gjendjen e paparashikueshme të shkaktuar nga pandemia”, shtuan nga Universiteti “Shën Kirilli dhe Metodi”.

    Studentët që takuam në ditët e hapura në Universitetin Shën Kirilli dhe Metodi nuk e kishin idenë se pse duhet t’i firmosin këto dokumente. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mjekët këshillojnë që të mos konsumohen ushqimet e shpejta

    Lajmi i rradhës

    Rritet numri i ankesave për veprimtarinë e kompanive të sigurimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë