Nuk ka të ndalur hovi i emigrimit të ballkanasve

    I frenuar këto dy vitet e fundit për shkak të pandemisë, emigrimi ka ndezur sërish alarmin në vendet e Ballkanit ku kohët e fundit po shënohet një fluks në rritje i personave që largohen në kërkim të një jetë më të sigurt drejt vendeve të Evropës. Të dhënat statistikore evropiane ngrenë shqetësimin se emigracioni është rritur duke u kthyer në shifrat e parapandemisë, duke iu referuar pothuajse 3 milionë lejeve të qëndrimit që u lëshuan në vitin 2021, ose 31 për qind më shumë krahasuar me vitin 2020, duke arritur nivelin para-pandemik të vërejtur në 2019 (2.955.300). Nga Maqedonia e veriut pesë vitet e fundit numri i lejeve të qëndrimit të lëshuara nga vendet evropiane ishte 100 mijë (gjatë periudhës 2021-2017).

    Sipas Eurostat numri më i madh i lejeve të qëndrimit për shtetasit nga MV është dhënë në vitet 2019 (mbi 26 mijë) dhe 2018 (mbi 24 mijë leje qëndrimi). Ndërsa gjatë 2020-2021 numri i lejeve të dhëna ka pësuar një ulje të vogël, mbi 14 mijë leje qëndrimi. Pak ditë më parë në një konferencë që u zhvillua në Shkup zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike, Fatmir Bytyqi, duke iu referuar zbrazëtirës së krijuar gjatë periudhës 2011-2019 me largimin e 700 mijë qytetarëve (33 për qind e popullsisë) deklaroi se tregu i punës gjendet në krizë.

    SITUATË E NGJASHME EDHE NË RAJON

    “Edhe pse ky trend është ulur në periudhën e Kovidit e këtej, për fat të keq paraqet problem serioz jo vetëm për bartësit e funksioneve publike dhe krijuesit e politikave, por edhe për gjithë shoqërinë. Tanët shkojnë në Gjermani, por edhe jemi tërheqës për njerëz nga vendet tjera… Importi i fuqisë punëtore është i pashmangshëm”, ka thënë Bytyqi.

    Një situatë e ngjashme është edhe në Kosovë, ku në harkun kohor prej dhjetë vitesh e kanë braktisur vendin rreth 530 mijë qytetarë, ose 30 për qind e popullsisë së përgjithshme. Bosnja dhe Hercegovina, si edhe Serbia po ashtu kanë shifra të ngjashme. Rreth 170.000 njerëz u larguan nga Bosnjë e Hercegovina në vitin 2021 dhe pothuajse gjysmë milioni qytetarë ose 15 për qind e popullsisë së përgjithshme u larguan nga që nga viti 2013. Sipas të dhënave të Bankës Botërore tregojnë se në 20 vitet e fundit nga Serbia kanë emigruar mbi 967 mijë persona (14 për qind e popullsisë), ndërkohë që 30 mijë deri në 60 mijë njerëz largohen çdo vit. Pjesa më e madhe e popullsisë që e braktisin vendin për një jetë më të mirë janë vendbanimet rurale në Serbinë jugore dhe lindore me 19 për qind për 9 vite. Shqipëria është lider për emigrim në rajon. Në periudhën e vitit 2008-2018, Shqipëria radhitet e para në rajon për migrim me mbi 1 milion e 240 mijë shtetas, apo 44 për qind e popullsisë së përgjithshme.

    “Arsyet e punësimit përbënin 45 për qind të të gjitha lejeve të para të qëndrimit të lëshuara në vitin 2021, me 1.3 milionë leje, ose një rritje prej 47 për qind krahasuar me vitin 2020. Është gjithashtu numri më i lartë i lejeve të dhëna për arsye punësimi. Arsyet familjare zënë 24 për qind, arsimimi 12 për qind”, thuhet në raportin e Eurostat.

    NDËRTIMTARIA NË GJERMANI PARALIZOHET PA PUNËTORËT E BALLKANIT

    Kreu i zejtarisë gjermane, Hans Peter Wollseifer, ka kërkuar dje viza më të shpejta për punëtorët nga Ballkani. “Politika nuk e ka arritur qëllimin për lehtësimin e tregut të punës”, ka kritikuar dje presidenti i Shoqatës Qendrore të Zejtarisë Gjermane, Hans Peter Wollseifer. “Kur njerëzit nga Ballkani duan të vijnë në Gjermani, kjo mund të zgjasë me vite derisa ata të marrin një vizë”. Por pikërisht këta njerëz nga Ballkani na duhen urgjentisht sidomos në fushën e ndërtimit, ka theksuar Wollseifer. Dihet se sektori i ndërtimit ka mjaft vështirësi për shkak të mungesës punëtorëve gjermane.

    “Pa punëtorët hekurpunues nga Ballkani në ndërtim, nuk do të ngrihej më asnjë ndërtesë betoni në Gjermani”, sipas kreut të zejtarisë gjermane. Wollseifer ka kritikuar autoritetet gjermane të dhënies së vizave për mënyrën e veprimit në dhënien e vizës për migrantët e punës.

    “Zyrat e të huajve veprojnë shumë shpesh si autoritete të mospranimit të të huajve. Por ato duhet të jenë qendra të mirëseardhjes. Këtë frymë për fat të keq e përjetojnë shumë pak zyra”, tha ai për gazetat gjermane të Mediengruppe Bayern në fundjavë. “Ne kemi nevojë për fuqi të huaj punëtore nga jashtë. Për fat të keq që nga hyrja në fuqi e ligjit të fuqisë së kualifikuar punëtore para tre vitesh vijnë më pak punëtorë se sa kishim menduar ne”, ka theksuar Wollseifer. Corona ka luajtur rol në trendin e ardhjes së punëtorëve nga jashtë, por ende nuk është lehtësuar sa duhet tregu i punës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Bujqit kërkojnë thjeshtësimin e dokumentacionit në lidhje me subvencionet

    Lajmi i rradhës

    Sa është i sigurtë uji për pije në Tetovë?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë