Nxënësit e shkollave të mesme, me nevoja të veçanta, në pritje të Ligjit për të marrë asistentë arsimorë

    Nikolla Stojanovski është vetëm një nga nxënësit e shumtë të shkollave të mesme, të cilët kanë nevojë për asistentë arsimorë, sepse vuan nga sindroma Down. Në fakt, Konventa për të Drejtat e Fëmijës e përcakton qartë se është e nevojshme të sigurohet edukim i cili do të synojë zhvillimin e personalitetit të fëmijës, dhuntive dhe aftësive të tij mendore dhe fizike deri në kufijtë maksimal, shkruan Meta.mk.

    Mirëpo, ka një muaj që Nikolla i vijon mësimet në shkollën e mesme shtetërore për edukatë fizike “Metodi Mitevski Brico” në Shkup, së bashku me nënën e tij për shkak se shteti nuk ka siguruar asistentë për fëmijët si ai.

    Ai është djalosh ambicioz dhe, siç tha për Meta.mk, planifikon të regjistrohet në fakultet. Pengesa nuk e ka ndalë atë të ishte pjesë e grupit të fëmijëve që para pak kohësh fituan dhjetëra medalje të arta në ndërkombëtare në Olimpiadën inkluzive shkencore për inovatorët e rinj, ndërsa i ndjek rregullisht orët e gjuhëve të shenjave.

    Nëna e tij Suzana, me shpresën se do të gjendet zgjidhje, ka dërguar me kohë letër deri te institucioneve kompetente në të cilën tregon se me çfarë kalvari po përballet djali i saj. Por deri tani nuk ka marrë përgjigje me zgjidhje konkrete, me arsyetimin se po pritet miratimi i Ligjit të ri për Arsimin e Mesëm.

    Përveç se është e shqetësuar se si të sigurojë asistent arsimor, ajo vlerëson se prania e saj në klasë nuk reflekton pozitivisht në komunikimin e nxënësve të tjerë me Nikollën.

    “Shumica e fëmijëve, të cilët e shohin që edhe një prind i ndjek mësimet, janë disi më të rezervuar se në vitin e dytë kur Nikolla ishte me asistent; atëherë këta fëmijë dinin edhe të bëhen  miq mes veti. Tani situata është paksa më ndryshe; vetë fëmijët e përjetojnë paksa ndryshe faktin që një prind është i pranishëm në mësime gjatë të gjitha orëve të mësimit”, thotë Suzana.

    Aktualisht, asistentët arsimorë për një pjesë të nxënësve të shkollave të mesme ofrohen përmes programit të punës komunale – të dobishme të UNDP-së në partneritet me pushtetin vendor, Agjencinë e Punësimit dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

    Nga UNDP, për Meta.mk, thonë se për këtë vit kanë përkrahur 50 komuna, të cilat kanë aplikuar në këtë program. Kanë angazhuar 584 persona të papunë, për një periudhë 9 mujore.

    Por mes tyre ka edhe nga ata, të cilët ndihmë për personat e moshuar dhe të pafuqishëm, personat me shikim apo dëgjim të dëmtuar, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera të cenueshme.

    “Gjithsej 83 pozita janë për asistent edukativ dhe personal për fëmijët me aftësi të kufizuara në arsimin e mesëm në 17 komuna”, thotë UNDP.

    Qëndrimi i Avokatit të Popullit është se çdo fëmijë duhet të ketë të drejtën e arsimit të pandërprerë dhe cilësor, si drejtë themelore njerëzore e garantuar edhe me Kushtetutë.

    Ata, për Meta.mk, thonë se me vetë iniciativë kanë hapur rast për të monitoruar realizimin e të drejtës së fëmijëve për arsim në shkollat ​​fillore dhe të mesme, ndërsa në ndërkohë përveç thirrjeve të prindërve janë dorëzuar edhe peticionet ku vihen në pah vështirësitë ose pamundësia për sigurimin e asistentëve arsimorë për fëmijët si në arsimin fillor ashtu edhe në atë të mesëm.

    “Është shqetësuese që këtë vit shkollor ndihma arsimore për nxënësit e arsimit të mesëm do të sigurohet me mbështetjen e UNDP-së nëpërmjet përfshirjes së personave të papunë të regjistruar nga Agjencia për Punësim e RMV-së në programin për punë të dobishme komunale. Ndër të tjera, për shkak të informatave se vetëm disa komuna në muajin gusht kanë shpallur thirrje publike për punësimin e asistentëve arsimorë, me ç’rast angazhimi do të zgjasë nëntë muaj, kurse për atë punë secili do të merr kompensim monetar në shumë prej 9.000 denarë. Për shkak të kësaj ka mungesë të madhe të interesimit nga ana e kandidatëve potencialë”, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit.

    Ata shtojnë se shqetësimi serioz është fakti se kandidatët e mundshëm që do të ofrojnë këtë shërbim nuk vlerësohen në bazë të kualifikimeve dhe kompetencave të tyre profesionale, ndërsa do të sigurojnë mbështetje në mësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, që sigurisht është një detyrë me përgjegjësi, detyrë që duhet kryer me përkushtim dhe profesionalizëm maksimal.

    “Pa diskutim që arsimi ka një rol kyç në zhvillimin e fëmijëve/të rinjve, gjë që na detyron si shtet të krijojmë kushte për realizimin e kësaj të drejte pa diskriminim dhe në bazë të mundësive të barabarta, përmes një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, ​​arsim që do të jetë në interesin më të mirë të fëmijës. Prandaj, mungesa e asistentëve arsimorë për nxënësit me aftësi të kufizuara, të përfshirë në shkollat ​​e rregullta, paraqet pengesë serioze për realizimin e kësaj të drejte pa pengesa, problem ky që duhet zgjidhur në mënyrë sistemore sa më shpejt që është e mundur”, theksojnë nga zyra e Avokatit të Popullit.

    Ata gjithashtu vlerësojnë se nevojitet intensifikimi i aktiviteteve nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për miratimin e Ligjit të ri për Arsimin e Mesëm, i cili do të harmonizohet me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe në këtë drejtim mbështetje për nxënësit me aftësi të kufizuara në arsimin e mesëm (asistenca arsimore) të përcaktohen si zgjidhje sistemore.

    Meta.mk kërkoi përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për atë se në cilën fazë është procedura e Ligjit të ri për Arsimin e Mesëm dhe kur do të miratohet, por nuk ka marrë përgjigje konkrete.

    Nga MASH, sikurse në fillim të vitit shkollor, u përgjigjën se Ligji për Arsimin e Mesëm është në fazën e hartimit dhe se me të do të sigurohet ndihmë arsimore për nxënësit me aftësi të kufizuara në shkollat ​​e mesme shtetërore dhe komunale.

    Ndërkohë, nga MASH venë në pah se asistentët arsimorë për nxënësit e shkollave të mesme në shkollat ​​e mesme komunale angazhohen nëpërmjet programit për punë të dobishme komunale.

    Nuk morëm përgjigje konkrete për pyetjet e bëra as nga Ministria e Arsimit dhe Politikës Sociale, që është pjesë e programit për punë të dobishme komunale.

    Lajmi Paraprak

    Hulumtim: Familjet e pasura nuk kujdesen për energjinë elektrike

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE akuzon MASh-in se ka shpenzuar gjysmë milionë euro për materiale mësimore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë