“Onkologjia”, ministri Mexhiti qetëson publikun me video-mesazhe

    Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, bindi pacientët në Klinikën e Onkologjisë se po marrin terapinë e duhur dhe cilësore.

    Në videon e shpërndarë nga Ministria, Mexhiti u thotë pacientëve të ulur në sallën e pritjes se nuk ka më lëshime dhe u kërkon atyre t’u besojnë mjekëve të Klinikës.

    “Mos kini asnjë fije dyshimi se nuk po jepet terapi ose se po bëhet diçka… Për këtë unë garantoj. Prandaj erdha të flas me të gjithë mjekët këtu. Ju kini besim, e di që ju i shihni këta mjekë si gjithçka. Nëse dikush ka mëkatuar, ai do të përgjigjet dhe do të sanksionohet në mënyrë më rigoroze, për këtë të jeni të bindur. Por ju lutemi t’u besoni këtyre profesionistëve, këtyre mjekëve”, tha Fatmir Mexhiti – Ministër i Shëndetësisë.

    Ministri u nis për të bindur pacientët përmes korridoreve në klinikë pas takimit që paraprakisht kishte me ekipin mjekësor. Sipas deklaratës, mjekët në takim kanë kërkuar të jenë të mbrojtur nga përgjithësimi i përgjegjësisë dhe nga linçimi publik.

    Ndërkohë, vazhduan akuzat mes partive për skandalin duke fajësuar njëra-tjetrën. I pyetur se çfarë do të bënte nëse do të ishte në pushtet, kryetari  i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski u përgjigj se do ta shkurtonte hetimin në maksimum 24 orë.

    “Unë jam edhe më i neveritur kur shoh qeverinë duke u rrotulluar për gjithë këtë rast dhe duke mos bërë asgjë, dhe të gjitha ato iniciativa që vijnë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE në Parlament, si për komision hetimor, seancë parlamentare e kështu me radhë, e shihni se ata refuzojnë. Refuzojnë sepse kanë frikë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

    Paraprakisht Social Demokratët pyetën nëse Mickoski kishte frikë nga ajo që do të tregonte hetimi për atë që kishte ndodhur, siç shtuan, vite më parë. Ata thanë sot se të gjithë të përfshirët do të mbajnë përgjegjësi.

    “Pas 20 vitesh thashetheme, për herë të parë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria hynë në onkologji dhe ndërmorën një aksion për mbledhjen e provave të gjera në lidhje me akuzat dhe dyshimet e paraqitura publikisht nga qytetarët, mediat, pacientët… Politizimi dhe abuzimi i çështjes për pikë të vogla ditore politike është i papranueshëm”, thonw nga LSDM.

    Prokuroria për Alsat informon se çështja është ende në fazën e parahetimit dhe analizimit të provave./ Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Bekteshi i pa informuar për rritjen e çmimit të bukës

    Lajmi i rradhës

    Çka parasheh propozim-ndryshimi i Kodit Penal që po nxitë reagime të opozitës dhe të opinionit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë