Opozita: po mbrohet ish-zyrtarë të korruptuar

    “Kjo dosje do të bëhet simbol i procesit që sot po nisim për kthimin e lirisë dhe të demokracisë në Maqedoninë e Veriut. Lidhja Social Demokrate (LSDM) po nis me kthimin e vlerave evropiane në vend…”. Kështu kishte deklaruar ish-lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, më 9 shkurt të vitit 2015, duke publikuar aferën e përgjimeve dhe të ndjekjes së mijëra shtetasve maqedonas nga shërbimet sekrete në kohën e qeverisjes së ish -kryeministrit Nikolla Gruevski.

    Për më shumë se një vit, Zaev thuajse çdo ditë publikonte biseda të përgjuara telefonike, në të cilat zyrtarët e asaj periudhe dëgjoheshin se si merreshin vesh për ndjekjen e kundërshtarëve politike, kurdisjen e tenderëve, e duke bërë shpërdorime tjera të detyrave zyrtare.

    Sipas asaj që kishte publikuar Zoran Zaev, i cili në atë kohë drejtonte LSDM-në opozitare, organet e punëve të brendshme nën drejtimin e ish- shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, kishin përgjuar mbi 20.000 qytetarë si, politikanë, ministra, deputetë, intelektual, gazetarë, klerikë, e shumë personalitet tjera.

    Zaev, pas ardhjes në pushtet në vitin 2017, kishte premtuar zbardhjen e plotë të rastit dhe gjykimin e autorëve të kësaj afere që çoi në përmbysjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili qeverisi me Maqedoninë e Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016.

    Por, pas shumë proceseve gjyqësore, të martën, më 17 tetor 2023 Gjykata Penale e Shkupit, me kërkesë të prokurorisë, vendosi për mbylljen e “Aferës së përgjimeve” duke i lënë të lirë Sasho Mijallkovin dhe bashkëpunëtorët e tij të përfshirë në këtë rast.

    Më 2021, ata u dënuan me gjithsej 55 vjet burgim nga një gjykatë e shkallës së parë, por më 2022 Gjykata e Apelit e shfuqizoi dënimin e tyre me arsyetimin se kishte “lëshime procedurale gjatë gjykimit në shkallën e parë” dhe rastin u kthye në rigjykim.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha të mërkurën se për mbylljen e këtij rasti pa epilog, përgjigje duhet kërkuar nga organet e drejtësisë.

    “Bëhet fjalë për një proces gjyqësor që ka nisur para tetë vjetëve dhe nuk ka përfunduar, kështu që të gjitha përgjigjet për këtë e që kanë të bëjnë me efikasitetin duhet kërkuar tek ata që kanë punuar për këtë rast”, tha Kovaçevski.

    Gjykata Penale ndërprerjen e plotë të këtij gjykimi e arsyetoi me ndryshimet e fundit në Kodin Penal që parashikojnë lehtësira dhe shkurtimin e afateve gjyqësore që çuan në vjetërsimin e lëndës.

    VMRO DPMNE-ja opozitare tha se “fajtor” për ndërprerjen e proceseve gjyqësore, por edhe për atë që pritet të ndodhë me lëndët e tjera është Qeveria që propozoi lehtësirat në Kodin Penal dhe presidenti Stevo Pendarovski që i dekretoi.

    “Pendarovski me shpejtësinë më të madhe nënshkroi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, me urdhër të Kovaçevskit dhe Ahmetit, me qëllim që kriminelët nga pushteti të mos mbajnë përgjegjësi. Ai është fajtor i drejtpërdrejtë për kaosin në vend dhe për degradimin e ligjit”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

    Opozita shqiptare vlerësoi se mbyllja e aferës së përgjimeve është edhe një paralajmërim tjetër se shumë shpejt edhe Nikolla Gruevski, ish-kryeministri i arratisur në Hungari, do të kthehet në Maqedoninë e Veriut.

    “Rasti i Mijallkovit është paralajmërim i asaj që tashmë po shihet, se shumë shpejt edhe Nikolla Gruevski mund të kthehet përmes derës së madhe në Maqedoninë e Veriut. Ai u largua si bartës i gjithë procesit të korrupsionit, krimit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të kthehet si hero i një pushteti të dështuar”, tha kryetari i Besës, Bilall Kasami.

    Edhe Lëvizja Demokratike doli me vlerësimin se “shpëtimi i Sasho Mijallkovit nga afera e përgjimeve është sinjal se shumë shpejt edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski do të lirohet nga ndjekja dhe vuajtja e dënimit me burgim”.

    Partia E Majta, për vendimin e Gjykatës Penale për aferën e përgjimeve përveç LSDM-në dhe BDI-në, fajëson edhe VMRO DPMNE-n, e cila sipas saj, me praninë në seancën e Kuvendit ka mundësuar kuorumin për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

    “Është e qartë se demokracia në Maqedoni është një farsë, dhe precedentët e tillë totalitarë bëhen praktikë nën sundimin e këtyre tri partive të rraskapitura”, thuhet në reagimin e saj.

    Ndryshimet në Kodin Penal që parashikojnë lehtësira në procedurat gjyqësore dhe madje lirimin nga ndjekja të zyrtarëve në rast të shpërdorimit të fondeve, janë kritikuar nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoninë e Veriut.

    Nga Qeveria kanë thënë se ndryshimet kishin për bazë legjislacionin gjerman, por zyrtarët e jashtëm kanë thënë se jo të gjitha ligjet evropiane mund të gjejnë zbatim në këtë vend për shkak të mekanizmave të tjerë të kontrollit që lënë hapësirë për keqpërdorime, e të cilët gjithashtu duhet t’u nënshtrohen reformave. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Energjia elektrike është më e shtrenjtë vetëm në Maqedoni  

    Lajmi i rradhës

    Ndryshimet kushtetuese nën hijen e zgjedhjeve!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë