Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot ka pasur fjalim para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e RMV-së, në të cilin prezantoi në raport me pikën e rendit të ditës për çështjen e fillimit të negociatave për aderim me BE-në gjatë kohës së kryesimit portugez, e në kontekst të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, përcjell Nistori.
Ai tha se procesi është i ndërlikuar dhe se mungesa e një qeverie politike në Bullgari është një pengesë serioze, prandaj ata nuk duan të rrisin pritjet e qytetarëve.
“Është e rëndësishme të theksohen faktet dhe kushtet e mëposhtme. E para – çështjet e identitetit të tilla si gjuha maqedonase, identiteti etnik maqedonas, maqedonasit, nuk janë dhe nuk mund të jenë në tryezën e negociatave. Së dyti, ne konsiderojmë se propozimi i presidencës portugeze është një bazë e mirë për negociata. Së treti – ne përpiqemi që të mbahet seanca e dytë ndërqeveritare midis dy vendeve nga e cila duhet të dalë një protokoll i përshtatshëm, dhe prej tij një plan veprimi, i cili duhet të bëhet një udhërrëfyes. Së katërti, komunikimi zhvillohet në nivele të ndryshme për të forcuar dialogun e përgjithshëm dypalësh. Së pesti – qëllimi është i përbashkët, mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimi zyrtar i negociatave të pranimit me BE”, tha Osmani, i cili iu drejtua në gjuhën maqedonase, duke theksuar se e bën këtë për shkak të shqetësimeve të qytetarëve maqedonas.
Ministri, potencoi se Maqedonia e Veriut ka demonstruar qasje pro-aktive, pozitive dhe konstruktive në të gjithë nivelet e mundshme. /Nistori/